Lezhë - Policia e Lezhës filloi procedimin penal ndaj 56 vjeçarit, Zef M., banues në Ishull, Shëngjin, me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Tatim Taksave në Komunën Shëngjin, pasi akuzohet për veprën penale të "Shperdorim detyre".
Burime zyrtare nga policia e Lezhës, thanë për ATSH-në se procedimi ndaj tij filloi pas kallëzimit të bërë nga shtetasi A D, banues në Ishull, Shengjin, i cili sqaron se shtetasi Z M, ka prerë fatura arkëtimi për hapësira private sikur ato të ishin hapësira publike dhe më pas ia ka dhënë firmës Zelin, në Shëngjin. Materialet në fjalë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Lezhë, për veprën penale "shpërdorim detyre".
Po sot, policia e Lezhës, njoftoi se në një zonë pyjore në Shqezë, Cudhi-Krujë, janë gjetur në një parcelë 75 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa me një gjatësi 1.5-2.5 m.
Sipas policisë, zona pyjore ku ishte mbjellë lënda narkotike i përket rrethit Kurbin. Policisa bëri asgjesimin me djegie të bimëve narkotike, ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj vepre penale./ATSH/












