Procedurat e reja të nëpunësve
Si do të bëhen emërimet e kushtet

Procedurat e reja të nëpunësve<br />Si do të bëhen emërimet e kushtet
TIRANE- Këshilli i Ministrave ka riformuluar të gjitha procesin e pranimit, lëvizjes paralele, periudhën e provës dhe emërimin si për kategoritë e ulëta të nëpunësve civilë, ashtu dhe për nivelet drejtuese.

Është riformuluar gjithashtu edhe mënura si do zhvillohen konkurset për t’u punësuar në administratë, si dhe procedurat për lëvizjet paralele apo ngritjen në detyrë të punonjësve. “Konkurrimi zhvillohet në dy faza: Verifikimi paraprak, i cili ka për qëllim të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe ato të veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim; Vlerësimi i kandidatëve”, thekson vendimi i djeshëm i Qeverisë me aktet e reja nënligore të ligjit “Për Nëpunësin Civil”.

Periudha e provës
Nëpunësi, që emërohet për herë të parë në shërbimin civil, i nënshtrohet një periudhe prove që zgjat një vit nga data e aktit të emërimit. Vendimi në përfundim të periudhës së provës merret bazuar në: rezultatin e testimit në përfundim të ciklit të detyrueshëm të trajnimit në ASPA; vlerësimin e rezultateve individuale në punë, i cili bëhet sipas procedurave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për vlerësimin e arritjeve vjetore.

Bazuar në vlerësimet eprori direkt është i detyruar të vendosë konfirmimin e nëpunësit civil, nëse ka përfunduar me sukses trajnimin e detyrueshëm në ASPA dhe është vlerësuar të paktën “kënaqshëm”; zgjatjen një herë të vetme deri në 6 muaj të periudhës së provës, në rast se nuk përmbush kushtet.

Emërimi i përkohshëm
Kandidatët fitues, që nuk janë emëruar në një pozicion të rregullt sipas përcaktimieve ligjore, mund të emërohen në mënyrë të përkohshme nga njësia përgjegjëse në një pozicion pune i cili, për arsye të parashikuara nga ligji, është vakant përkohësisht.  Për administratën shtetërore, njësia e burimeve njerëzore e institucionit ku krijohet pozicioni i punës vakant në mënyrë të përkohshme, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike, i drejtohet DAP-it duke e njoftuar për pozicionin e punës dhe shkakun e vakancës së përkohshme. “Me përfundimin e emërimit të përkohshëm, kandidati fitues detyrohet të bëjë dorëzimet përkatëse brenda 5 (pesë) ditëve pune” thekson vendimi i këshillit të Ministrave.

Konkurset
Konkurrimi zhvillohet në dy faza, që do përbëhen nga verifikimi dhe vlerësimi i kandidatëve. DAP, në bazë të dokumentacionit të paraqitur, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga data e mbylljes së pranimit të tyre, bën verifikimin paraprak të kandidatëve që përmbushin kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim.
 
Punësimet vetëm nga Komiteti i Përhershëm i Pranimit
Departamenti i Administratës Publike, për institucionet e administratës shtetërore, krijon Komitetin e Përhershëm të Pranimit (në vijim KPP), për pranimin për çdo grup të administrimit të përgjithshëm/të posaçëm. Komiteti përtërihet çdo vit nga DAP-i. Pranë institucioneve të pavarura dhe njësive të qeverisjes vendore krijohet një Komitet i Përhershëm i Pranimit për secilin institucion.

Në përbërje të Komitetit të Përhershëm të Pranimit janë pesë anëtarë; 1 anëtar nga njësia përgjegjëse, i cili kryeson KPP-në; Për institucionet e administratës shtetërore 2 anëtarë nga nëpunësit civilë të institucioneve të administratës shtetërore, pjesë e kategorisë së mesme drejtuese, i përcaktuar sipas specifikës së Komitetit, të përzgjedhur nga DAP-i. 2 ekspertë të fushës përkatëse, në varësi të fushës së vlerësimit për grupet përkatëse.

Nëpunësit civilë të institucioneve të administratës shtetërore të përzgjedhur nga DAP-i, me përjashtim të rasteve të pengesave ligjore, janë të detyruar të marrin pjesë në komitetet e përhershme të pranimeve ku janë caktuar. Ekspertët zgjidhen nga njësia përgjegjëse, për secilin KPP, duke pasur në konsideratë karakteristikat e secilit grup pozicionesh, për të cilat do të zhvillohet procedura e konkurrimit.
 
Aplikimet vetëm në sitin e DAP
Publikimi elektronik i të gjithë informacionit që i përket rekrutimit dhe lëvizjes paralele të nëpunësve civilë realizohet në faqen zyrtare të DAP-it dhe në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”. DAP-i është përgjegjës për publikimin elektronik në faqen e tij zyrtare të procedurave e të informacionit në lidhje me pranimin dhe lëvizjen paralele të nëpunësve civilë dhe për aplikimin elektronik të kandidatëve. Shërbimi Kombëtar i Punësimit është përgjegjës për publikimin elektronik të informacionit në lidhje me rekrutimin dhe lëvizjen paralele të nëpunësve civilë, si një nga shërbimet e ofruara në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Përmbytjet në Vlorë, reshjet e 4 tetorit, më të mëdhajat e regjistruara ndonjëherë! Sinoptikania Gjoni: Këtë javë rriten temperaturat

Përmbytjet në Vlorë, reshjet e 4 tetorit, më të mëdhajat e regjistruara ndonjëherë! Sinoptikania Gjoni: Këtë javë rriten temperaturat