Procesi, Basha zhbllokon PD
Javën tjetër nisin zgjedhjet

Procesi, Basha zhbllokon PD<br />Javën tjetër nisin zgjedhjet
TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, ka shpjeguar se zgjedhjet brenda forcës së tij politike janë zhbllokuar dhe brenda javës, strukturat do t’i nënshtrohen zgjedhjeve. “ Brenda javës që vjen do të shpërndajmë udhëzimin ku do përcaktohen pikat se si do të zhvillohen zgjedhjet në seksione, grupet e seksioneve dhe Degët e Partisë Demokratike”-ka deklaruar Basha.

Procesi
Pas 7 muajsh të bllokimit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka sqaruar mënyrën se si do të procedohet për reformimin e PD-së. Në përfundim të përzgjedhjes së pikave në të cilat do të zhvillohen zgjedhjet në seksione dhe degë, do të kryhen rifreskimet dhe anëtarësimet e reja në degën më të madhe të PD-së që është Tiranë. Duke qenë se Tirana është edhe dega më e madhe e PD-së, edhe në këtë degë do të kryhet e njëjta mënyrë procedimi dhe selektimi të të gjithë anëtarëve fiktivë që ekzistonin në listat e kësaj partie. I gjithë procesi i zgjedhjes në seksione, grupet e seksioneve dhe degë është planifikuar që të mbarojë brenda datës 25 maj, për t’i hapur rrugë edhe votimeve të degëve të tjera brenda Partisë Demokratike.

Ndërkohe që në muajin qershor do të bëhet edhe votimi për kuvendin e PD-së. Sipas statutit të Partisë, kuvendi kombëtar përzgjedh edhe këshillin, institucion ky që zgjedh edhe kryesinë e Partisë Demokratike.
Sipas Bashës, nënkryetarët e komanduar janë duke i kryer normalisht detyrat e përcaktuara dhe me ta nuk ka asnjë problem. Basha e quajti thelbësore analizën që do t’i bëhet humbjes së PD-së, në 23 qershor, duke mos përjashtuar edhe dhënien e përgjegjësive të merituara për gjithsecilin nga ish-drejtuesit e vjetër të PD-së.

Reforma Territoriale
Në lidhje me çështjen e ndarjes administrative , Basha ka paralajmëruar maxhorancës t’i përmbahet konsensusit dhe të mos krijojë skenare të këqija sepse në të kundërt do të përballet me pasojat. “ Në do të insistojmë që të kemi një dialog pa kushte dhe të pakushtëzuar nga maxhoranca. Nuk uroj të kemi ndonjë skenar të keq, ne insistojmë që të mos ndodh asnjë skenar i keq. Në të kundërt ne do të zbresim me kushtetutë në dorë, në të gjitha sheshet e Shqipërisë në protesta popullore bashkë me qytetarët.

Përsa i përket refuzimit të ftesës publike që Basha, i bëri kryeministrit për Reformën Administrative, komentet e kryetarit të PD-së kanë qenë se nuk mund të pranojë oferta të njëanshme dhe i ka rikujtuar kryeministrit reformat me konsensus që janë miratuar në të shkuarën. “ Ne e duam konsensusin, nuk jemi tekanjozë. Asnjë reformë nuk është marrë pa konsensus. Rama e di këtë formulë. Edhe atij ju ofrua diçka e tillë në vitin 2008. Forma e plotë e konsensusit është në Kuvend. Ne jemi zotuar se konsensusin e shohim si zgjidhjen e vetme të reformës territoriale”, -tha Basha. Ai vijoi më tej me akuzat se maxhoranca i prodhoi votat në mënyrë fiktive, duke blerë deputetë të opozitës. “Numrat atyre nuk jua dhanë votuesit, i bën pas zgjedhjeve. Opozita do insistojë për konsensus”, -deklaroi kreu i PD-së.

Qëndrimi ndaj Kodhelit
Sot Partia Demokratike do të depozitojë në Komisionin e Sigurisë, një kërkesë për të zhvilluar një seancë dëgjimore me Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Kreu i PD-së, deklaroi dje se akuzat e bëra nga deputeti Imami për implikimin e ushtrisë në trafikun e lëndëve narkotike janë mëse të vërteta, gjë që përbën një situatë alarmante. “Është një çështje serioze dhe shumë shqetësuese. Partia Demokratike ka adoptuar opozitën me fakte dhe argument.

Përsa i përket kësaj akuze unë kam udhëzuar deputetët. Ka fakte të tjera edhe më tronditëse, është një çështje që na shqetëson. Nga nesër do të hedhim hapat e plotë edhe nga ana institucionale për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje që nëse do të rezultonte e vërtetë do të trondiste gjithë strukturën e ushtrisë shqiptare.”,-tha Basha.

Shkrimi u publikua sot (11.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale