/ATSH/- Një ndër sesionet më të rëndësishëm të Forumit strategjik të Bledit në Slloveni, në datën 1 shtator iu kushtua Ballkanit Perëndimor.
Tashmë agjenda e problemeve në Ballkan ka pësuar zhvendosje nga ato të lidhura kryesisht me sigurinë në ato të shtetndërtimit dhe të integrimit evropian.
Njëherazi duhet nënvizuar se ende ka punë të papërfunduar dhe nuk janë shuar plotësisht mundësitë për rikthim në konflikt. Problemet ekonomike dhe ato sociale konsiderohen pazgjidhmërisht të lidhura me zhvillimin e këtij rajoni.
Siguria në jug e në lindje të Evropës dhe në fqinjësinë e saj, përfshi edhe situatën e migrimit me të cilën Evropa po përballet, padyshim shoqërohet edhe me efekte e pasoja në vendet e Ballkanit Perëndimor. Këto e çështje të tjera ishin temat e diskutuara në panelin e Ballkanit Perëndimor, një nga më të rëndësishmit e forumit.
E pranishme në panelin për Ballkanin Perëndimor, Zëvendesministrja e Jashtme, Odeta Barbullushi në ndërhyrjet e saj solli në vëmendje nevojën e bashkëpunimit e të integrimit ekonomik e social në rajon. Procesi i Berlinit dhe konferenca e Vjenës përfaqësojnë platformën më të mirë për bashkëpunim në rajon. Kjo platformë sinergjie në rajon nuk ka ekzistuar më parë. Agjenda e lidhshmërisë përfaqëson një mundësi të mirë për vendet e rajonit që të lidhen e të bashkëpunojnë.
Procesi i Berlinit nuk nënkupton vetëm projekte në transport, infrastrukture e energji. Por shumë më tepër se kaq, duke inkurajuar bashkëpunimin bilateral ndërmjet vendeve, për të ndërtuar besimin mes tyre.
Ajo që është arritur ndërmjet kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë qartazi tregon se bashkëpunimi bilateral është duke lëvizur në drejtimin e duhur. Mesazhi i paqes e qëndrushmërisë në rajon është mëse i nevojshëm dhe duhet mbështetur me më shumë projekte, sidomos kjo në përgjigje të pasigurisë ekonomike.
Procesi i integrimit evropian në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor është një proces i bashkëpunimit të mirë në nivel dypalësh e rajonal. Rinia e vendeve tona ka nëvojë të shoh perspektivë të qartë dhe për këtë duhet punuar. Në punimet e forumit Znj. Barbullushi shoqërohej nga amabasadori Pëllumb Qazimi.
Punimet e Forumit Strategjik të Bledit në Bled të Sllovenisë filuan më 31 gusht. Pas ceremonisë së hapjes, me pjesëmarrjen e liderëve të rajonit u zhvillua paneli i liderëve me temë: "Rendi i ri global: Konfrontim apo Partneritete?". Forumi vijon me panele të tjerë.
Forumi i Bledit organizohet për të dhjetin vit radhazi nga Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë. Këtë vit në veprimtari marrin pjesë rreth 700 pjesëmarrës nga mbi 60 vende nga mbarë bota, përfshi politikanë, biznesmenë, gazetarë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e të shoqërisë civile.






