Procesi i reformës në polici, Çako vizitë pune në Britaninë e Madhe

/ATSH/- Në kuadër të procesit reformues të ndërmarrë për përmirësimin strukturor të Policisë së Shtetit, me synim për të qenë sa më pranë komunitetit dhe për ti ofruar një shërbim sa më cilësor qytetarëve, Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, nga data 9-14 Nëntor zhvilloi një vizitë pune në Britaninë e Madhe,
Kjo vizitë mbështetej nga Programi ICITAP dhe Ambasada Britanike dhe u zhvillua pranë Policisë së Mançesterit, Greater Manchester Police, e cila për nga numri i popullsisë dhe numri i punonjësve të policisë është e përafërt me atë të vendit tonë.
Në kuadër të kësaj vizite u zhvilluan një sërë takimesh me drejtues të strukturave të ndryshme të Policisë së Mançesterit, si dhe Drejtues të Shkollës së Trajnimit, duke u njohur nga afër më mënyrën e funksionimit të shërbimeve policore, si dhe të procesit të përzgjedhjes dhe trajnimit të punonjësve të policisë.
Gjatë takimit të zhvilluar me Z. John O'Hare, Assistant Chief Constable, Drejtues i Strukturave të Sigurisë Publike, biseda u përqëndrua në rëndësinë e Sallave të Komandimit dhe zinxhirit të komandimit, ku zinxhiri i komandimit ndahej në 3 nivele: niveli i artë që përfshinte drejtuesit e lartë të policisë, niveli i argjendtë që përfshinte punonjës të nivelit të mesëm drejtues, si dhe niveli i bronxtë që përfshinte punonjësit në terren. Po ashtu një vend të rëndësishëm gjatë bisedës zuri edhe rëndësia e Policimit në Komunitetet.  
Drejtori i Policisë së Shtetit, Çako, vlerësoi mënyrën e funksionit të Policit të Zonës apo Lagjes në Policinë e Mançesterit, ndërtimin e bashkëpunimit në zonë mes policisë e qytetarëve, ngritjen e organit këshillmor pranë policisë me përfaqësues të komunitetit dhe tërheqjen e mendimit të komunitetit mbi punën e policisë, si element të rëndësishëm, të zbatimit të suksesshëm të policimit në komunitetit, të cilët po synohet të gjejnë zbatim dhe të marrin rëndësinë e duhur edhe në Policinë e Shtetit.
Gjatë ditëve të vizitës në Greater Manchester Police, Z.Çako pa nga afër mënyrën e funksionimit të zinxhirit të komandimit dhe të Sallave të Komandimit të njësive në terren, si dhe të sallave të telefonatave të publikut, duke u njohur me procedurat e kryera në secilën prej tyre, procesin e monitorimit me kamera dhe ndërthurjen e sistemeve inteligjente për nxjerrjen e të dhënave rreth personave të përfshirë në aktivitete kriminale.
Një tjetër takim u zhvillua në Shtëpinë NEXUS, (Nexus House) të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ku Drejtori i Policisë së Shtetit u njoh nga afër me mënyrën e funksionimit të Njësisë "Challenger" kundër krimit të organizuar e krimeve të rënda, njësi në të cilën punonin së bashku punonjës policie të luftës kundër drogës, trafiqeve dhe krimeve të rënda, si dhe punonjës të njësive të tjera ligjzbatuese, të cilat kishin lidhje me veprimet operacionale të kryera nga kjo strukturë në funksion të një shkëmbimi të shpejtë të informacionit, gjithashtu edhe punonjës të agjencive shtetërore të shërbimeve sociale në mbështetje të viktimave të shfrytëzimit, trafikimit etj..
Po ashtu u njoh edhe me mënyrën e funksionimit të njësisë kundër krimit ekonomik, mashtrimeve në këtë fushë, korrupsionit dhe krimit kompjuterik.
Takime të tjera të rëndësishme u zhvilluan pranë Shkollës së Trajnimit, ku Drejtori i Policisë së Shtetit zhvilloi një sërë takimesh me drejtues të njësive të ndryshme të kësaj shkolle, duke u njohur me të gjithë zinxhirin e procesit trajnues të punonjësve të policisë, që nga përzgjedhja e deri tek ecuria në karrierë.
Elementë të rëndësishëm të këtij procesi ishin përqëndrimi tek kërkesat e vetë punonjësve për nevojat për trajnimin, mbi bazën e të cilave shkolla ndërtonte programe të veçanta trajnimi.
Gjatë takimit me Zoe Sherad, Drejtuese e lartë policie përgejgjëse për Mirëqënien e Forcave Policore, biseda u përqëndrua në ecurinë në karrierë të grave e vajzave pjesëtare të Policisë së Manchesterit, të cilat përbënin rreth 35% të forcës policore të Greater Manchester Police dhe që aktualisht mjaft prej tyre ishin në pozicione të larta drejtuese, si dhe ishin të vendosura në role operacionale.
Çako, duke vlerësuar rëndësinë e këtij procesi theksoi se hapa të tillë janë ndërmarrë dhe nga Policia e Shtetit dhe do të zbatohen edhe në vijim për ti dhënë më shumë hapësirë grave e vajzave për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit, si dhe veçanërisht e strukturave operacionale.
Në Njësisë e Armëve të Zjarrit, Drejtori i Policisë së Shtetit, jo vetëm u njoh nga afër me mënyrën e funksionimit të kësaj strukture, si dhe të logjistikës në përdorim prej saj, por gjithashtu pati mundësinë të ndiqte edhe pjesë të trajnimit të këtyre strukturave për menaxhimin e situatave të vështira e në mënyrë të veçantë në përballjen me turmat dhe rastet problematike.
Një tjetër takim i zhvilluar ishte edhe ai me drejtues të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, të cilët ishin përgjegjës jo vetëm për ecurinë disiplinore të punonjësve të policisë lidhur me shkeljet e kryera në detyrë, por në përbërje të tyre ishte edhe një strukturë e veçantë përgjegjëse për hetimin dhe ndjekjen penale të tyre në rast të shkeljeve të ligjit nga punonjësit e policisë.
Krahas këtyre takimeve Drejtori i Policisë së Shtetit zhvilloi edhe një vizitë në një prej strukturave vendore të policisë, përkatësisht stacionit të Policisë North Manchester, ku u takua me drejtuesin Arif Nawaz.
Ai bëri një ekspoze të mënyrës së funksionimit të njësive vendore policore dhe të problematikave të cilat ato trajtonin. Ndërkohë takimi u pasua nga një vizitë në ambientet e brendshme të këtij stacioni, tek dhomat e shoqërimit dhe të mbajtjes së personave të arrestuar, të dhomave të intervistimit apo marrjes në pyetje që gjendeshin pranë tyre, si dhe të zyrave të policisë shkencore, të cilat gjendeshin në këto ambiente të standardeve të larta.
Drejtori i Policisë së Shtetit dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilluan një sërë vizitash në ambientet e brendshme të Greater Manchester Police, si dhe takimesh të tjera si: me përfaqësues të Drejtorisë së Komunikimit, Drejtorisë së Bashkëpunimit Policor etj, duke u njohur nga afër me mënyrën e funksionimit të tyre.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Bebe Rexha reagon sërish pas incidentit në aeroport: Nuk do të mjaftoj falja