Gjykata e Lartë ka ndryshuar relatorin e çështjes në procesin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.
Burime për Report TV bëjnë me dije se shorti kishte caktuar që në vitin 2022 gjyqtarin Sokol Binaj si relator të çështjes, por mësohet se në dhjetor të vitit të kaluar, ai ka dhënë dorëheqjen dhe është caktuar si relator gjyqtari i sapo emëruar Genti Shala.
Binaj mësohet se e ka dhënë dorëheqjen me argumentin se ka shqyrtuar kërkesa të mëhershme gjyqësore të Tahirit në ish-Apelin e Krimeve të Rënda.
SPAK ushtroi rekurs në Gjykatën e Lartë pasi nuk u pajtua me dënimin e ish-ministrit vetëm për shpërdorim detyre, por kërkon të dënohet edhe për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal, duke kërkuar 12 vite burg.
Ndërkohë ish-gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e dënoi për shpërdorim detyre me 5 vite burg, që zbriste në 3.4 vite me gjykim të shkurtuar, por në fund vendosi pezullimin e dënimit dhe vënien në provë.
Më pas ky vendim u ankimua nga të dyja palët dhe Apeli i GJKKO-së e prishi vendimin e pezullimit të dënimit duke caktuar 3.4 vite burg. Pas disa kohësh në burg, Tahiri u lirua nga Gjykata e Elbasanit pa e shlyer gjithë dënimin për shkak të disa rrethanave familjare.
Në Gjykatë e Lartë veç relatorit Gent Shala, pritet të caktohet data e sancës dhe dy anëtarë të tjerë të tjerë të trupës, për të shqyrtuar rekursin e SPAK dhe atë të vetë Tahirit që kërkon pafajësi.
Komente









