Masivet pyjore në Kukës, kryesisht pishat e zeza, po rrezikojnë tharjen nga insekti i procesionares.
Kudo në degët e pishave shikon toptha të bardhë, të mbushur me larva të cilat presin ngrohjen e kohës për të çelur.
Ilmi Gjana, specialist i pyjeve pranë Bashkisë Kukës, thotë se në vendin tonë ekzistojnë mënyrat biologjike për të eliminuar këtë sëmundje që than pemët, ndaj bën thirrje për ndërhyrje të menjëhershme.

“Pisha e zezë ka disa dëmtues. Është trungrënësi, por kryesisht që e dëmton është procesionarja. Faza larvare e kalon në qeska të bardha. Me ngrohjen e motit larvat hapen dhe dalin në natyrë. Ka mënyrë mekanike duke prerë degët dhe mënyra biologjike. Procesionarja në stadin maksimal dëmton jo vetëm psihën e zezë”, tha Gjana.
E njohur ndryshe si sëmundja e pishave, procesionarja rrezikon sipërfaqe të tëra pyjore jo vetëm në Kukës, por në mbar vendin.
Sipas specialistëve, përveç dëmeve që shkakton në pemët e pishave, shkakton edhe irritim të lëkurës te njerëzit që kanë kontakt me pemët e prekura nga kjo sëmundje.
M.Q./K.T./Shqiptarja.comKomente

