Procesverbali, Greqia po kërkon 
Korçën e Gjirokastrën,gati për luftë

Procesverbali, Greqia po kërkon <br />Korçën e Gjirokastrën,gati për luftë<br>
Në Konferencën e Paqes në Paris  29 korrik deri në 16 nëntor 1946, Shqipëria, megjithëse kishte marrë pjesë në rezistencën e armatosur kundër agresorëve fashistë italianë dhe gjermanë, ajo nuk u ftua të merrte pjesë si fuqi shoqe e kampit të madh antifashist.

Sipas historianit Kristo Frashëri: “argument për përjashtimin e saj nga radhët e kampit antifashist, u përdor fakti se Shqipëria ende nuk ishte pranuar në radhët e OKB-së.

Si shkaktarë të përjashtimit të Shqipërisë nga radhët e OKB-së ishin Britania e Madhe dhe ShBA-ja, të cilat përdorën si argument se Shqipëria nuk respektonte detyrimet që rridhnin nga të drejtat ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Konferenca e Paqes nuk e pranoi as tezën e Greqisë për ta konsideruar Shqipërinë si satelit i Italisë fashiste.

Kjo për arsye se vetë shqiptarët me luftën e tyre nacionalçlirimtare kishin dënuar qeverinë kuislinge të Tiranës, e cila i kishte shpallur luftë Greqisë dhe se Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare kishte luftuar si pjesëtare e kampit antifashist kundër agresorëve nazifashistë”.

Kësisoj, Shqipëria nuk mori pjesë në Konferencën e Paqes as në radhët e fitimtarëve, as në ato të agresorëve nazifashistë. Megjithatë, Greqia nuk hoqi dorë nga kërkesa e saj për t’i shkëputur Shqipërisë si dëmshpërblim viset e saj jugore, të përfshira në qarkun e Gjirokastrës dhe të Korçës.  

Në këtë atmosferë në Shqipëri kishin nisur dhjetëra tubime e reagime për të kundërshtuar pretendimet greke në jug t vendit. Në mbledhjen e 39-të të Kuvendit Popullor, me pasditen e 2 shtatorit 1946, diskutohej pikërisht për çështjen e pretendimeve greke në jug të vendit, parashtruar gjatë ditëve të Konferencës së Paqes në Paris.

Grupi i deputetëve të Peshkopisë  kishin përgatitur nj reagim i cili u lexua në fillim të mbledhjes e menjëherë pas saj kishin vijuar diskutime të nxehta. “Nuk kërkojmë as nji pëllëmbë tokë prej Greqis, por jemi të vendosur të mos lëshojmë as nji pëllëmbë tokë prej t’onës prej tokës ku pamë për të parën herë dritën e diellit patriotit e rilindjes s’onë si Themistokli Gërmënji, Mihal Grameno, Spiro Bellkameni, At Stathi Melani, Çerçis Topulli e shumë patriotë të tjerë”, thuhej në reagimin e deputetëve të Peshkopisë.

Më poshtë e sjellim të plotë procesverbalin i cili reflekton gjithë atmosferën e ditëve të trazuara të vjeshtës së 1946.

Dokumenti i plotë

Republika popullore e shqipërisë

Kuvendi popullor    

sesioni i i-rë

Procesverbal i Bisedimeve

Mbledhja e 39-të

Tiranë, më 2 shtator 1946 ora 17

(Kryeson Z. Dr. Ymer Dishnica)

Bëhet thirrja emërore e ZZ. Deputetë dhe ndodhen pranë: Abdyl Këllëzi, Gogo Nushi, Ollga Plumbi, N/Kol. Baba Fejzo Dervishi, Salahudin Toto, Zylyftar Veleshnja, Dr. Enver Sazani, Nako Spiru, Gje. Maj. Spiro Moiziu, Shefqet Beja, Prof. Aleksandër Xhuvani, Kol. Baba Faje Martaneshi, N/Kol. Kadri Hoxha, Kadri Musaj, Prof. Kostaq Cipo, Dr. Petraq Popa, Kol. Ramadan Çitaku, Sami Baholli, Sulejman Spahiu, Gjen. Maj. Bedri Spahiu, Prof. Kadri Baboçi, Lefter Konomi, Qirjako Harito, Prof. Sejfulla Malëshova, Prof. Siri Shapllo, Prof. Thoma Papapano, Pandi Kristo, Prof. Sali Mborja, Prof. Skënder Luarasi, Xhelal Rusi, Dr. Ymer Dishnica, Refat Spahiu, Gjen. Maj. Dali Ndreu, Maj. Ethen Bajrami, Faik Shehu, Haki Stërmilli, Kol. Haxhi Lleshi, Irfan Majuni, Sulejman Baholli, Arif Gjyli, Beqir Gjylbegu, Gjovalin Lluka, Prof. Mark Ndoja, N/Kol. Bilbil Klosi, Liri Gega, Dr. Sezai Agalliu.

Mungojnë: Gjen. Kol. Enver Hoxha (me mision), N/Kol. Beqir Bulluku (me lejë), Andrea Sahatçi, Dr. Ingj. Gaqo Tashko, Karaman Ylli (me mision), Maj. Rahman Uruçi (me lejë), Sheh Ibrahim Karbunara (me lejë), Met Seseri, Gjen. Maj. Myslim Peza, Kol. Islam Radovicka, Dr. Manol Konomi (me mision), Mihal Jorgji, Dr. Omer Nishani, Kol. Shefqet Peçi, Gjen. Leint. Koçi Xoxe, Koço Tashko (me mision), Kol Kuqali, Kristo Themelko, Dr. Mendar Shtylla, Naxhije Dume (sëmurë), N/Kol. Pëllumb Dishnica (me mision), Abedin Shehu, N/Kol. Rahman Përlaku, Sali Mani (me lejë), Kol Prela, Kostandin Boshnjaku, Riza Dani (me lejë), Kol. Tuk Jakova (me mision), Zef Haxhija (me lejë), Zija Dibra, Hasan Pulo (me lejë), Kol. Hysni Kapo (me mision), Kol. Manush Myftiu, Ingj. Spiro Koleka, Shefqet Musaraj (me mision).

Z. Kryetar pasi konstaton shumicën deklaron mbledhjen e hapët.

Këndohet dhe aprovohet shkurtimi i procesverbalit të mbledhjes së kaluar.

Z. Kryetar. – Para se të hymë në rendin e ditës po i këndojmë Kuvëndit nji proponim që i ka ardhë nga grupi i deputetëve të Peshkopisë.

Këndohet propozimi si vijon:  

Kryesis së Kuvëndit Popullor

TIRANË    

Në lidhje me propozimin e bamun nga përfaqësuesi i Greqis në Konferencën e Parizit për t’u vue në rend të ditës ç’ështja e pretendimeve megallomane të kufirit të Jugut, u mësue me hidhërim të thellë nga populli Shqiptar, se Konferenca e Parizit pranoj të vinte në rend të ditës për bisedim këtë ç’ështje.

Populli Shqiptar, i ç’do tendence ose ideollogjije qoftë, e pritë këtë lajm me indinjatën më të madhe për pa drejtësin që bëhet në kuriz të tij.

Në bazë të premtimeve të dhanuna prej aleatëve të mëdhenj, populli Shqiptar, u bashkue pa rezerva në luftën anti-fashiste dhe sot i din gjithë bota sakrificat t’ona dhe gjakun qi ne derdhëm për kauzën e përbashkët.

Me vendimin e djeshmë të Konferencës së Parizit, Aleatët trathtuen premtimet e tyne dhe vepruan krejt në kundërshtim me vendimet e Kartës së Antllantikut.

Përveç pa drejtësis qi u-ba popullit Shqiptar, tuj mos u thirë në S. Francisko dhe në Paris, ku duhej t’ishte i pari, sot me këtë vendim po i bahet, këtij, edhe nji pa drejtësi edhe ma e madhe.

Ne Shqiptarët e dijmë mirë se nuk kemi as nji çështje kufini për të zgjidhur me Greqin. Këjo çështje asht zgjidhë me kohë nji herë e mirë.

Nuk kërkojmë as nji pëllëmbë tokë prej Greqis, por jemi të vendosur të mos lëshojmë as nji pëllëmbë tokë prej t’onës prej tokës ku pamë për të parën herë dritën e diellit patriotit e rilindjes s’onë si Themistokli Gërmënji,

Mihal Grameno, Spiro Bellkameni, At Stathi Melani, Çerçis Topulli e shumë patriotë të tjerë.

Le t’a mësojnë klika e Çaldarisit si edhe ata qi e përkrahun qeverin fashiste t’Athinës, se populli Shqiptar asht i vendosur qi të derdhi gjakun për të projtur kufit e Jugut. – Le t’a mësojnë se nuk egziston as nji divergjencë në mes t’onë, por ashtu si ç’ishin të bashkuar në luftën anti-fashiste, sot përpara këtij vendimi të pa drejtë; këtë bashkim do t’a forcojmë, edhe ma tepër dhe grushti i jonë do të jetë edhe ma i randë se ay qi i dhamë okupatorit, po të jetë qi të preken të drejtat t’ona.

Le t’a mësojë e tanë bota se neve kemi vendosur të lëftojmë me ashpërsi, të derdhim gjakun rrëke dhe të vdesim të gjithë për të projtur kufit t’ona.

Lutemi prandaj Kryesija qi t’i parashtrohet propozimi i jonë mbledhjes Përgjithëshme për t’a firmue këtë vendim. Njikohësisht kërkoj qi nga ana e Kuvendit të bahet nji protestë energjike kundrejt vendimit të pa drejtë qi u muer në Konferencën e Parizit me datë 30/8/1946.

Me nderime                                

Deputetët e Peshkopis

Irfan Majuni, Haki Stërmilli, Faik Shehu, Et-hem Bajrami, Sulejman Baholli

Z. Haki Stërmilli. – Shok, unë kujtoj se jo vetëm populli Shqiptar por mbar bota besonte se mbas mbarimit të luftës së dyt botërore do të mbretëronte drejtësija an’e mb’an dhe çdo popull do të ronte në paqe e qetsi në siguri e lumni brenda kufijve të veta. Ky besim i formuem nga premtimet e njerëzve të mëdhej, neve Shqiptarve na i shtoi forcat morale, na bani të hidhemi ma me tërbim kundra armiqve të njerzimit dhe të luftojmë ma me guxim. Mjerisht ngjau e kundërta. Ata që ishin mësuar me i mashtruar popujt dhe me i fut të përlesheshin me njëri tjetrin për të siguruar përfitimet, përsëri filluan me ushtrue mjeshtrin e vet në dam të popujve të vegjël.

Shqipërija që luftoj kundra fashizmit Italo-Gjerman, që derdhi gjak, që bani kaq sakrifica jo vetëm për lirin e vet por edhe për kauzën e përbashkët, nuk u pranua as në UNO as në Konferencën e Paqes. Ata që guxuan me kundërshtue marjen pjesë të Shqipërisë, kan marë nji përgjegjësi shumë të madhe dhe i kanë shkrue nji flet ma se të shëmtueshme historisë; unë kam bindje të plotë se kjo ka për të ngel e pashlyeshme sa të jetë bota.

Tsaldaris e mohon luftën t’onë, mohon sakrificat t’ona, ka plotësisht të drejtë pse ai kur na luftofshim, kur tymi dhe flaga e kish mbuluar Atdheun t’onë, ai prapa barrikadës të fashizmit llogaritëte fitimet e fashizmit Italo-Gjerman dhe luftën t’onë e shihte me nji tej-kqyrës, më at’anë që i largon dhe i zvogëlon gjanat sado të mëdhaja që janë.

Ai kërkon të shkëpusë nga Atdheu t’onë Korçën e Gjinokastrën vënd-lindjen e atdhetarëve. Vënd-lindjen e udhëheqsve të luftës t’onë Nacional Çlirimtare. Tsaldaris-i duket nuk e ka njojtur popullin Shqiptar, popullin Shqiptar e njojti shumë ma mirë fashizmi Italo-Gjerman dhe njojti në fushë të burave, në fushë të nderit. Tsaldarisi me shokë dëshirojnë t’a njofin popullin Shqiptar, neve jemi gati t’i përgjigjemi vetëm duhet t’a dimë se Korça e Gjinokastra kanë qënë dhe do të jenë gjithmonë Shqiptare.

(duartrokitje) Tsaldaris-i duhet t’a dijë se në kufit t’ona të Jugut nuk do të jenë vetëm të rinjt e të rejat, por do të jenë edhe pleqtë dhe plakat që do të rinë në vijën e parë të zjarit për të mbrojt Korçën dhe Gjinokastrën t’onë. Duke mos u pranue Shqipnija në Konferencën e Paqes u ba nji pa drejtësi e madhe. Kjo padrejtësi kaloj kufinin tash që disa shtete pranuen kërkesat e padrejta të Tsaldaris-it për të vue në rendin e ditës çështjen e kufive Shqiptaro-Greke.

Kjo asht nji padrejtësi që neve na ban të protestojmë energjikisht dhe të jemi gati t’i përgjigjemi në çdo mënyrë që të faqet nevoja. Na protestojmë me të gjitha forcat t’ona dhe unë lus Kuvëndin që të bashkohet me ne që të protestojmë këtë padrejtësi se na nuk e durojmë dhe nuk do t’a durojmë kurrë. (duartrokitje).

Zylyftar Veleshnja. – Shok përfaqësuesa të popullit. Për luftën e popullit Shqiptar gjat 5 vjetëve kondra dy okupatorëve të tmershëm të njerëzimit foli me admirim gjithë bota, folën edhe Aleatët e Mëdhenj q’ishin krah për krah në luftë me neve dhe e admiruan gjat luftës, luftën e popullit Shqiptar.

Por nuk dimë si nji pjesë e këtyre aleatëve tash së fundi jo vetëm që kanë heshtur për luftën t’onë heroike, për gjakun e derdhur dhe për gërmadhat por kanë filluar edhe t’a mohojnë këtë luftë dhe këtë gjak të derdhur që bëri populli i jonë. Mos vallë ata pandyen se lufta t’onë do t’ishte për interesin e tyre, mos vallë ata pandyen se na do të bëheshim servilët e tyre, mos vallë ata na pandyen si Tsaldaris-i dhe Evvath-i, mos pandejshin që Shqipërija të jetë nji vatër baruti, nji flakë për Ballkanin e që të mos kishin popujt bashkim në mes të tyre. Kështu mendon nji pjesë e njerëzve që deri dje, ishin aleat me neve.

Por neve jemi të sigurt se popujt e tyre mendojnë ma ndryshe, nuk mendojnë si ata. Ata mendojnë siç mendojnë gjithë popujt liridashës. Unë nuk kam ç’të them veçse të bashkohemi me proponimin e përfaqësonjësve të Peshkopis dhe të ngrehim zërin t’onë përpara gjith botës se në tokën Shqiptare nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj dhe neve nuk lëshojmë asnjë pëllëmbë toke pa derdhur dhe pikën e gjakut të fundit të popullit t’onë.

Pra le t’a dijë gramofoni Tsaldaris, le t’a dijë gjithë bota mbarë se këtu është tokë Shqiptare dhe derdhet gjak në qoftë se preket.

Nuk kam gjë tjetër veçse i lutem Kuvendit Popullor të bajm protestën t’onë energjike pranë Konferencës të Paqes dhe të bëjmë thirje botës mbarë për përkrahjen e të drejtave t’ona.

Sami Baholli: Bashkohem me mendimin e deputetëve të Peshkopisë dhe jam pro për nji protest energjike në amër të popullit që përfaqësojmë.

E them këtu dhe t’a dijë gjithë bota se me gjith se jemi të dëmtuar nga lufta, me gjithsej na s’jemi për luftën, na jemi gati të projmë kufit t’ona deri në fund dhe do t’i mbrojmë.

Ata që duan të shkelin gjakun e bijve të popullit t’onë, ata që duan të shkelin gjakun e 30 milion njerëzve që dhanë jetën për këtë luftë le t’a dinë se po qe nevoja dhe tjetër gjak do të derdhet që të bahet drejtësi mbi tokë.

Unë ju them që t’a provoni me nji za propozimin e deputetëve të Peshkopisë dhe të bëjmë nji protestë energjike.

Abyll Këllëzi. – Shok deputet!

Propozimi i shokëve deputet të Peshkopisë asht ma se me vend. Neve përfaqësuesit të popullit duhet t’a ngrehim zanin se mar populli Shqiptar e ka ngritun.

Këto dit në Konferencën e Paqes jan shtrue ç’ështje në lidhje me traktate të shteteve q’ishin satelit të Gjermanisë. Po në këtë Konferencë është shtruar edhe çështja e kufive të Shqipërisë. Kjo Konferencë ka vends të mar në shqyrtim kufit t’ona.

Propozimit të Tsaldaris-it i janë përgjigj miqt e ngushtë të tij, ndërsa pjesa tjetër qëndron me mprojt popullin, janë rjeshtuem për të drejtat t’ona. Të mohosh luftën e popullit Shqi[tar, luftën e tij 5 vjeçare, do të thot të mohosh të drejtën ma elementare të demokracisë. Të mohosh atë që vet me gojën e tyre thonë gjat luftës për të ngritun nalt luftën t’onë, do të thot të rëzosh pa drejtësisht gjith çka bani populli Shqiptar.

Për popullin t’onë dhe për gjith popujt e botës liridashëse nuk ka se si të diskutohen kufit t’ona. Vorio-Epir nuk ka, Korçë e Gjinokastër nuk ka. Ato janë tokat t’ona, atje qe djepi i Lëvizjes, djepi i patriotizmit. Ato toka janë t’onat dhe neve po qe nevoja do t’i mbrojmë.

Qeverija e Tsaldaris-it po bëhet nji rrezik për paqen në Ballkan; por populli i jonë do të dijë t’i përgjigjet po të jet se këta kalojnë nji pëllëmbë tokë të kufirit t’onë të Jugut. Unë jam pro propozimit të deputetëve të Peshkopis dhe ftoj që të gjithë deputetët t’aprovojnë këtë protestë energjike që t’a marë vesh gjith bota.

Passi nuk kishte më njeri të fliste, vihet në votim dhe pranohet me unanimitet.

Propozohen dhe pranohen ZZ. Dr. Ymer Dishnica, Haki Stërmilli, Abdyl Këllëzi, Pandi Kristo, dhe Gjen. Maj. Bedri Spahiu për të hartuar tekstin e protestës për në Konferencën e Paqes.

Bëhet 30 minuta pushim dhe pastaj mbledhja hapet.

Këndohet teksti i hartuar nga Komisioni, si vijon:

Ne, përfaqësuesit e Popullit Shqiptar, protestojmë për shkeljen flagrante që u është bërë të drejtave t’ona me mos pranimin e Shqipërisë si antare e UNO-s dhe si antare e Konferencës së Paqes që po bëhet në Paris. Protestojmë me indinjatë për pranimin e propozimit të Qeverisë reaksionare Greke për marrjen në diskutim të kufijve t’ona të shenjta.

Protestimi i ynë është shprehja e indinjatës më të thellë të manifestuar spontaneisht prej gjithë popullit Shqiptar. Lufta e jonë heroike përkrah kombeve antifashist, humbjet kolosale në njerëz e material të popullit t’onë, qëndrimi i ynë i vendosur karshi kuislingëve dhe tradhëtarëve të vëndit e të kauzës antifashiste, kontributi i ynë në konsolidimin e paqes na jep të drejtë të kemi nji vend të shënuar si në UNO ashtu dhe në Konferencën e Paqes.

Këto të drejta të fituara kaq shtrejt, na janë mohuar duke u shkelur në këtë mënyrë principet themeltare për të cilat luftuan popujt dhe Kombet liri-dashës për të cilat populli i ynë u-hodh në luftë pa rezerva dhe pa kursuer as gjë.

Veç kësaj pranimi i marrjes në diskutim të kërkesave imperialiste greke, aq absurde sa dhe kriminale, që revolton dhe indinjon mbarë botën përparimtare jo vetëm që prek sedrën t’onë kombëtare, por dhunon principet dhe qëllimet e konferencës vetë.

Populli Shqiptar në këto momente kur po ndërton vendin e tij të çkatërruar nga pesë vjet luftë kundra okupatorit jo vetëm që endinjohet nga çfaqjet të tilla po i çpallë botës dhe asaj konference solemnisht se është e vendosur të mprojë me çdo kusht kufit e tij, tokën e tij, nderin e tij dhe sovranitetin e tij.

z. Qirjako Harito është i mendimit që atje ku thuhet “...manifestimi i popullit...”, mund të thuhet kanë shpërthyer manifestime në të gjithë Shqipërinë.

Z. Kryetar. – Kur thuhet është shprehja e indinjatës më të thellë të manifestuer... kuptohet që është manifestimi i gjithë popullit Shqiptar. Po të mos harojmë se kjo i drejtohet Konferencës së Paqes, nuk mund të përmëndet se u-bë manifestim në këtë e këtë qytet. (përkrahet)

Vihet në votim dhe pranohet me unanimitet dhe duartrokitje.

N/Kol. Kadri Hoxha. – Në ç’far gjuhe do të dërgohet ky teks?

Disa zëra: “Në tri gjuhë”.

N/Kol. Kadri Hoxha. – Jo se dij ca raste që kan shkruar në gjuhë shqipe...

z. Kryetar. – Passi ësht koha e kaluar po e mbyllim mbledhjen për sonte dhe e vazhdojmë mesër në ora 17 me këtë rend dite që kishim sot.

     Mbyllet Mbledhja në orën 19.

S E K R E T A R I                                    K R Y E T A R I

(Prof. Sali Mborja)                                  (Dr. Ymer Dishnica)

 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Bardhi takim me strukturat e PD në Divjakë, thirrje dhe për protestën e të martës në Tiranë: Fermerët kanë mjaftueshëm arsye!

Bardhi takim me strukturat e PD në Divjakë, thirrje dhe për protestën e të martës në Tiranë: Fermerët kanë mjaftueshëm arsye!