Në prag të ndërrimit të viteve, drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, shprehu mirënjohjen ndaj forcave të policisë për përkushtimin e treguar çdo ditë, në një vit që sipas tij, nuk ka qenë i thjeshtë. Këto sfida sipas Prodës, e kanë lidhur policinë më shumë me qytetarët dhe me partnerët.

“Viti që po lëmë pas nuk ka qenë i thjeshtë, ka qenë sfidues, një vit përgjegjësish të mëdha dhe sakrificash, të cilat na kanë lidhur më fort me njëri-tjetrin, me qytetarët dhe me partnerët, na kanë forcuar dhe na kanë bërë më të qartë se si duhet të jemi dhe çfarë duhet të bëjmë, për të qenë të denjë për misionin tonë”, thotë Proda.

Proda falenderoi edhe qytetarët e vendit si aleat kryesor i policisë, gazetarët për rolin e tyre në informimin e publikut dhe partnerët kombëtarë e ndërkombëtarë për angazhimin në garantimin e sigurisë në vend. 

Sa i përket rendit dhe sigurisë natën e ndërrimit të viteve, Proda siguroi se " Policia e Shtetit është në gatishmëri për përmbushjen e detyrave, në çdo cep të vendit, për të garantuar një ndërrim vitesh të sigurt dhe të qetë".

Ndërkohë efektivë nga i gjithë vendi kanë ndarë me Report TV jo vetëm mesazhe urimi por edhe thirrje për kujdes, duke theksuar apelin që të rriturit të ngasin makinën me kujdes të shtuar në këtë periudhë, të kenë kujdes me përdorimin e alkolit dhe të mos i lejojnë fëmijët të përdorin fishekzjarret.