Nga Kalaja e Tiranës, ekspozita  “Made in Albania” ngjalli interesin e qytetarëve të cilët përmes produkteve të prodhuara në Shqipëri, njohin aspekte të historisë së viteve 1920-2020. Koleksionistët thonë se interesi i vizitorëve është i ndarë në dy grupe; të rinj që përmes produkteve të kohës informohen mbi periudhën historike dhe qytetarë që kanë e jetuar, që e përjetojnë me nostalgji.

“Në varësi të brezave edhe interesi, ne kemi njerëz që janë kritikë, nostalgjik në varësi të periudhave dhe interesit të tyre për produktet.  Me interes është pjesa e konsumit të medias, është interesante se njerëzit vijnë të shohin prodhimet e televizioneve të asaj kohe të viteve 80-të, antenave,etj”, tha Elton Çaushi Tur Operator.

Organizatorët e ekspozitës, thonë se disa produkte shqiptare janë zhdukur.

“Pas rënies së komunizmit, pjesa më e madhe e produkteve që prodhoheshin “Made in Albania” u ndërpre, si prodhimi i lodrave nuk ekzistonin më pas viteve 90-të. Prodhimi i cigareve gjithashtu pati ndërprerje pas vitit 1996-të”, shtoi Bledar Këneta koleksionist.

“Industria e prodhimit të qelqit në qytetin e Kavajës dhe të Tiranës u ndërpre, e cila tek ne ka qenë shumë e rëndësishme. Ja ku kemi një industri që nuk funksionon më në vendin tonë, është zhdukur 100 % në Shqipëri”, shtoi Elton Çaushi Tur Operator.

Televizorët e kohës, antenat marrëse, apo produktet që identifikojnë qytete të ndryshme sipas traditës, ishin pjesë e ekspozitës e cila do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët deri më 15 dhjetor.