U mbushën plot 6 vjet që nga mëngjezi i datës 28 dhjetor 2011, kur në një spital të Brukselit, i mbylli sytë përgjithmonë, pas një sëmundje të rëndë Prof. Frano Prendi, përfaqësues i fundit i brezit të parë të arkeologëve të pasuftës së dytë botërore, njëri nga 4 themeluesit e arkeologjisë institucionale shqiptare dhe njëherësh “babai” i prehistorisë së Shqipërisë. Frano (Françesk) Prendi ka lindur më 27.08.1928 në qytetin e Shkodrës në një familje me tradita patriotike dhe është rritur në një ambient qytetar tipik shodran. Ai ishte djali i dytë i Simon Ndoc Prendit(Shkodër) dhe Marie Teodor Stefit(Kavajë), pas vëllait Mark dhe para dy motrave Veneranda dhe Angjelina.
Babai i tij, Simon Prendi, kishte kryer studimet në kolegjin San Demetrio Corona (Kalabri) dhe ishte një ndër mësuesit e parë dhe të nderuar të qytetit të Shkodrës të periudhës së pavarësisë. Ai ishte mik dhe bashkëpunëtorë me mjaft figura të shquara të këtij qyteti dhe krahas tyre mori pjesë në lëvizjet patriotike të periudhës së pavarësisë dhe të konsolidimit të shtetit të ri shqiptar në periudhën midis dy luftrave botërore. Frano Prendi shkollën unike (kl. I-V) dhe 6 vitet e para të gjimnazit, i ka kryer në Kolegjin Françeskan të Shkodrës (shok klase me At Zef Pllumi), dhe pas mbylljes së tij si dhe të shkollave të tjera klerikale në shkurt 1946, ai i vazhdoi mësimet në Gjimnazin e Shtetit, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1947. Që në vitin 1943, në moshën 15 vjeçare, ai përfshihet në grupet e të rinjëve antifashistë të qytetit duke kontribuar aktivisht në mbështetje të Luftës Çlirimtare.
Në vitet e para të pasluftës (1944-1947), ai aktivizohet në veprimtaritë artistike të qytetit, duke marrë pjesë si në korin përfaqësues të tij ashtu edhe duke luajtur si aktor në disa pjesë teatrale të vënë në skenë në atë kohë. Ai madje provon të shkruaj edhe poezi, ndonjë prej të cilave, siç është poezia shumë e ndjerë për shokun e tij të rinisë së hershme, Heroin e Popullit Manush Alimani, pati rastin ta recitojë vetë para publikut artdashës të Shkodrës. Kjo veprimtari modeste artistike ushqeu tek djaloshi Frano Prendi dëshirën për të ndjekur studimet e larta në artin dramatik, me qëllim që të bëhej një aktor i kultivuar i skenës, që për hirë të së vërtetës, Shkodra i ka dhënë gjithnjë Shqipërisë.
Por në vitin 1947 jeta e tij do të merrte një drejtim krejt tjetër. Për rezultatet e shkëlqyera të gjimnazit, ai do të përzgjidhej për të vazhduar studimet e larta në Fakultetin Historiko-Filozofik të Beogradit, për të vijuar një vit më vonë në kryeqytetin bullgar. I diplomuar shkëlqyeshëm në Fakultetin Historiko-Filozofik të Universitetit të Sofies me vlerësimin maksimal në të gjitha lëndët mësimore, ai do të rekomandohej nga Instituti i Shkencave të Tiranës, për të vazhduar një kurs specializimi në fushën e arkeologjisë pranë Muzeut Arkeologjik të Sofies, për një periudhë 6 mujore. Është pikërisht kjo periudhë që do ta lidhte Frano Prendin përjetësisht me arkeologjinë.
Në marsin e vitit 1952, ai kthehet në atdhe dhe menjëherë fillon punë si arkeolog në Muzeun Arkeologjik të Institutit të Shkencave në Tiranë, të krijuar në vitin 1948. Nis kështu rruga e gjatë dhe e vështirë e shkencës, të cilën ai e vazhdon akoma edhe sot, në themelet e të cilës Frano Prendi do të vinte të gjithë dashurinë dhe zellin e tij djaloshar e mjaft pasionant. Këto cilësi do ta shoqëronin atë gjatë gjithë jetës së tijë në këtë fushë të shkencës, të cilës iu përkushtua plotësisht, aq sa sentenca “Një jetë për arkeologjinë” do t’i përshtatej më shumë se kujtdo prof. Frano Prendit. Si njeri nga themeluesit e saj krahas profesorëve të nderuar H. Ceka, S. Islami e S. Anamali ai është pjesë e rëndësishme e jetës dhe historikut të saj.
Është interesant fakti që ky personalitet i spikatur i arkeologjisë shqiptare, ndërsa ishte shumë i njohur nga bota akademike brenda e jashtë Shqipërisë, ka qenë pak i njohur nga masa e lexuesëve të thjeshtë brenda vendit, pasi se ai kurrë nuk i kushtonte kujdes publicitetit. Kjo cilësi e tij, e ndihmuar edhe nga përdorimi i dyzuar i emrit, nga Frano në variantin zyrtar, në Çesk në komunikimin e përditshëm, kishte sjellë në ndonjë rast edhe përceptime dyzuese të të tretëve. Aq e vërtetë është kjo, sa që edhe studentët e tij të Fakultetit të Historisë, të cilëve u mbante leksionet e Arkeologjisë në vitet 1959-1966, në seminaret mbi kulturën ilire, i përgjigjeshin pyetjeve të prof. Çeskut “ që këtë apo atë çështje e kemi lexuar nga Frano Prendi”, pa arritur që të bashkojnë në një person të vetëm emrin e këtij studiuesi me Prof. Çeskun që ligjëronte çdo ditë para tyre!
Frano Prendi për 50 vjet rrjesht nuk pushoi së gërmuari në vendbanime e varreza tumulare të një vendi që para tij ishte konsideruar si “njollë e bardhë” në hartën prehistorike të Europës Juglindore. Çdo vit ai së bashku me kolegët e tij, do t’i kalonte muajt e verës dhe shpesh dhe ato të vjeshtës në ekspedita gërmimi në terren, ku në atë kohë mungonin plotësisht infrastruktura dhe kushtet normale të jetesës. Arkeologët akomodoheshin në çadra, pranë vendit të gërmimit, në kushte tepër të vështira jetese, shpesh të paimagjinueshme për brezin e mesëm dhe atë më të ri të arkeologëve. Për 50 vjet rrjesht ai nuk mundi të shijonte pushimet e verës me familjen, sepse i duhej të gërmonte në Maliq e site të tjera të Shqipërisë, sepse i duhej të shtronte themelet e prehistorisë së Shqipërisë, sepse i duhej të ndriçonte misteret dhe enigmat e saj dhe të argumentonte karakterin autokton të etnogjenezës ilire. Megjithatë, ishte pasioni i tyre i madh për profesionin dhe dashuria e pakufishme për atdheun, që i sfidonin të gjitha vështërsitë përmendura më lart.
Veprimtaria e tij kërkimore-shkencore në terren daton në vitin 1952. Vitet e para të veprimtarisë së tij shkencore (1952-1959) do të përqëndroheshin në gërmimin dhe studimin e kulturës së varrezave tumulare ilire në hapësirën shqiptare. Ky orientim i kërkimeve arkeologjike në këtë fushë studimi, diktohej nga fakti se kultura ilire dhe ajo protoilire në këtë kohë ishte akoma shumë pak ose aspak e studiuar. Gjatë kësaj periudhe u kryen prej tij gërmime në varrezat tumulare të Vajzës së Vlorës, të Vodhinës, të Bodrishtës dhe të Kakavijës së Dropullit të Sipërm, të Mjedës dhe të Grizhës të zonës së Shkodrës si dhe në tumat e luginës së Matit etj. Një vend të veçantë në këtë fazë të parë të veprimtarisë së tij zënë dhe gërmimet e gjata dhe shumë rezultative të tumave të luginës së Matit (1952-1959), të cilat duhej të gërmoheshin para se të përmbyteshin nga ujrat e liqenit të HC të Ulzës. Rezultat i këtij projekti do të ishte gërmimi i 35 tumave dhe njohja e kulturës ilire të pellgut të Matit.
Që në artikujt e tij të parë mbi kulturën tumulare në Shqipëri, F. Prendi premtonte se do të bëhej një studiues serioz dhe i dobishëm në fushën e arkeologjisë prehistorike shqiptare. Në artikullin mbi tumat e Vajzës ai shtronte për zgjidhje tri probleme themelore të prehistorisë sonë, atë të kohës së fillimit të epokës së hekurit në territorin e Shqipërisë (shek.XI para Kr), atë të përkatësisë etno-kulturore ilire të përdoruesëve të këtyre tumave, si dhe atë mardhënjeve iliro-egjeane, problem që F. Prendi do ta trajtojë gjatë gjithë kohës në studimet e tij prehistorike. Të dhënat e fituara nga gërmimet e tumave të Vajzës, Dropullit të Sipërm dhe të Matit, i dhanë atij mundësi për të formuluar konkluzionin tjetër të rëndësishëm të lidhjeve etno-gjenetike të bartësve kulturorë të këtyre dy epokave në territorin e Shqipërisë. Gjithashtu që në atë kohë, ai vinte theksin mbi praninë e një grupi të pasur kulturor ilir në luginën e Matit të ngjashëm me atë të Glasinacit të Bosnjës. Këto ngjashmëri të mëdha kulturore i shtynë studiuesit F. Prendi dhe K. Kilian (Gjermani), që në mënyrë të pavarur, të emërtonin grupin kulturor ilir të Matit me binomin Mat-Glasinac[1].
Një fazë të re më të lartë e mjaft të rëndësishme në punën e tij kërkimore-shkencore, shënojnë gërmimet në vendbanimet prehistorike. Vendbanimi më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm në historinë e prehistorisë shqiptare është padyshim ai i Maliqit. Ky vendbanim shumështresor është gërmuar me ndërprerje nën drejtimin e prof. F. Prendit për 10 fushata gërmimi në vitet 1961-1966, 1973-1974 dhe 1988-1990, që sollën si rezultat gërmimin e një sipërfaqe banimi mbi 3000m2. Maliqi do të mbetet në historinë e arkeologjisë sonë si baza e të dhënave të prehistorisë shqiptare, si vendbanimi i parë stratigrafikisht i gërmuar dhe i studiuar dhe si shkolla e parë e përgatitjes së kuadrove të reja në fushën e arkeologjisë prehistorike.
Ishte Frano Prendi ai që mbi bazën e një stratigrafie mirë të përcaktuar të Maliqit do të formulonte për herë të parë një sekuencë të plotë dhe të pandërprerë të zhvillimit të qytetërimeve pre e protohistorike duke filluar që nga neolitit i vonë e deri në fund të periudhës së hershme të hekurit. Ishte Frano Prendi ai që mbi bazën e kësaj stratigrafie do të ndërtonte për herë të parë një kronologji relative mjaft të sigurtë të fazave evolutive të kulturës së Maliqit. Ishte Frano Prendi ai që për herë të parë do t’i vinte theksin mbi problemet e formimit gjenetik të popullsisë eneolitike të Maliqit. Ishte Frano Prendi ai që për herë të parë do të shtronte për zgjidhje karakterin gjenetiko-kulturor të bartësëve dhe krijuesëve të kulturës së epokës së bronzit e asaj të hekurit të Maliqit.
Ishte Frano Prendi ai që do të studionte kulturën shumë të pasur e të larmishme të Maliqit mbi bazën e një stratigrafie të qartë dhe të një dokumentacioni të pasur arkeologjik, duke dhënë modelin e një studimi, ku gërshetohen në mënyrën më adekuate analiza dhe sinteza, në raporte të admirueshme dhe duke evidencuar tiparet kulturore dhe karakteristikat lokale të zhvillimit të tyre, raportet me grupet dhe komplekset kulturore bashkëkohëse fqinje apo ato rajonale, mardhëniet reciproke midis tyre etj. Këto arritje përbënin një ndryshim cilësor në drejtim të studimit të qytetërimit prehistorik të vendit tonë dhe të problemeve të ndryshme që ai shtronte për zgjidhje. Një rëndësi akoma më të madhe kishte zbulimi i këtij vendbanimi për njohjen dhe studimin në një sfond më të gjërë historik të kulturës së bronzit dhe të zhvillimit të saj të brendshëm e të pandërprerë që nga fillimet e kësaj epoke. Në stratigrafinë e Maliqit, kultura e Bronzit të Hershëm Maliq IIIa-b me tipare krejt të reja, është përcaktuar qartë si dukuri e menjëhershme që mbulon depozitimet e shtzrtesës eneolitike.
Një drejtim i veçantë dhe mjaft i rëndësishëm i kontributit të tij shkencor është ai lidhur me studimin e kulturës së epokës së bronzit dhe asaj të hekurit në Shqipëri. Ai evidentoi tiparet unitare dhe veçoritë krahinore të kulturës së këtyre dy epokave si dhe për të parën herë krijoi sistemin e periodizimit dhe të kronologjisë relative dhe absolute të kulturës së tyre. Ai gjithashtu argumentoi vijimësinë kulturore midis epokës së bronzit dhe asaj të hekurit, fenomen ky i lidhur me vijimësinë etnike të bartësve të kulturës së këtyre dy epokave në Shqipëri. Kërkimet e tij në fushën e këtyre dy epokave i dhanë atij mundësi që të trajtoi edhe aspekte të veçanta të zhvillimit metalurgjik të vendit tonë dhe të ndikimeve të jashtme në zhvillimin e saj.
Ai është i pari që evidentoi mardhënjet e ngushta kulturore të territorit të Shqipërisë, veçanërisht asaj jugore me qytetërimin Egjean dhe ndikimin e tij në kulturat e epokës së bronzit dhe asaj të hekurit në Shqipëri. Përgatitja e shkëlqyer profesionale dhe intuita e veçantë shkencore që e karakterizojnë, e çuan Frano Prendin në formulimin për të parën herë të teorisë mbi unitetin dhe diversitetin në zhvillimin e kulturës ilire gjatë epokës së hekurit në Shqipëri, si dhe në argumentimin më të plotë të procesit autokton të formimit etnogjenetik të popullsisë ilire në territorin e Shqipërisë në veçanti dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kontributi i tij është i rëndësishëm edhe në fushën e arkeologjisë antike ilire dhe mesjetare, ku vlejnë të përmenden gërmimet e tij të sukseshme në Apolloni (1958-1960), në qytetin ilir të Irmajt (Kodrion) në rrethin e Gramshit, në atë të Lisit (1967-1970) etj.
Ai ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e studimeve historike dhe pedagogjike, një kontribut të çmuar në kualifikimin e të kuadrit të ri arkeologjik si dhe gjurmë të pashlyeshme në veprimtaritë shkencore ndërkombëtare. Mjafton të përmendim faktin se Prof. Frano Prendi ka marrë pjesë në mbi 20 simpoziume e kongrese ndërkombëtare në vende të ndryshme të Europës dhe të Azisë, si në Sheffield (Angli), Clermont-Ferrand (Francë), Mynih, Bon, Berlin (Gjermani), Amsterdam (Hollandë), Veronë, Taranto, Foggia, Kosenca, Udine, Lecce,Bari (Itali), Ankara (Turqi), Bukuresht (Rumani), Sofie (Bulllgari), Athinë, Janinë (Greqi), Beograd (Serbi), Zagreb, Dubrovnik (Kroaci), Mostar (Bosnje), Ljubljana (Slloveni), Palma de Majorka (Spanjë) etj.Një vend nderi në botimet e tij jashtë Shqipërisë zë padyshim studimi monografik “The prehistory of Albania”, botuar në vëllimin III të botimit akademik shumëvëllimesh“The Cambridge Ancient History”[2], i cili shërben si burim i rëndësishëm informacioni mbi prehsitorinë e Shqipërisë në rrethet shkencore të botës së jashtme.
Megjithë atributet e tij shkencore të njohura brenda dhe jashtë vendit, Prof. Frano Prendi, sa ishte gjallë, çuditërisht nuk u vlerësua nga strukturat përkatëse me titullin e merituar shkencor të Akademikut. Megjithatë, duhet thënë se titullin e Akademikut, Prof. Frano Prendi e ka fituar prej shumë kohësh në opinionin shkencor shqiptar dhe atë europian. Nuk ka studiues të arkeologjisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit që të mos bashkohet me mendimin se Prof. Frano Prendi është dhe mbetet Akademik dhe Dekan i shkencës arkeologjike shqiptare dhe një nga përfaqësuesit më dinjitozë të saj.
Ai ishte nisur për në Belgjikë për një operacion të vështirë në sy me 25 korrik 2009, me shpresën e madhe për t’u kthyer shpejtë në Tiranë!. Ai ishte nisur për të operuar sytë e tij, të cilët aq shumë i kishte lodhur duke lexuar e studiuar ditën dhe natën, për 57 vjet rrjesht, për të hedhur sa më shumë dritë mbi enigmat e arkeologjisë prehistorike dhe asaj antiko-mesjetare në Shqipëri. Ai që i fali një jetë arkeologjisë, i fali më së fundi asaj edhe dritën e syve, që ajo të shihte më mirë e të orientohej më drejtë në udhën e vështirë të shkencës. Megjithë atributet e vyera shkencore të tij, paradoksalisht, ai jetoi në kushte të vështira ekonomike. Asnjë nga ish studentët e tij, aktualisht pjesë e rëndësishme e superstrukturës politike, shtetërore dhe kulturore të vendit, nuk u kujtua që këtij njeriu i duhej lidhur që në gjallje një pension i posaçëm.
Sepse ai e meritonte atë më shumë se kushdo tjetër. Për kontributin e jashtëzakonshëm që ai ka dhënë në themelimin dhe zhvillimin e shkencës arkeologjike në Shqipëri. Edhe pse ai ishte i fundmi i 4 mohikanëve të arkeologjisë shqiptare, i fundmi i 4 mosketierëve të saj, që për fat të keq, prej datës 28 dhjetor 2011, nuk e kemi më midis nesh! Thirja e studiuesit të njohur Dr. Moikom Zeqo në 75 vjetorin e lindjes së tij[3], për të drejtuar vëmendjen ndaj këtij shkencëtari të madh, mbeti një zë i vetëm, pa arritur të ndryshojë asgjë lidhur me statusin ekonomik të këtij kollosi të shkencës sonë arkeologjike. Kjo thirje, e ricikluar në rrugë institucionale më 18 maj 2009, nga hotel “Sheraton” Tiranë, kur u festua 80 vjetori i ditëlindjes së tij, mbeti pa përgjigje!
Për fat të keq, pas operacionit të syve, armiku i tij fatal u bë poliartriti. Poliartriti i fituar gjatë zbulimit të palafitit të Maliqit, kur çdo shtyllë vertikale e strukturave të banesave eneolitike të ngulura thellë në tabanin e liqenit, nga qindra të tilla, duhej mbuluar me baltën-llucë të fundliqenit të Maliqit, ndryshe, sapo t’i shihte dielli, ato do të shkërmoqeshin e zhdukeshin. Dhe kjo punë cfilitëse është bërë në vitet 1961-1966 nga Frano Prendi, atëherë 31-38 vjeçar, në sezone arkeologjike që zgjasnin mbi 3 muaj. Por në se në atë moshë, ai e nuk e ndjente reumatizmën, në dy vitet e fundit, poliartriti u acarua dhe e rëndoi së tepërmi shëndetin e tij. Sëmundja e rëndë arriti të mposht njeriun me një rini të përhershme, Frano Prendi.
Ishte 83 vjeç, kishte sshumë gjëra për të thënë dhe kishte një kthjelltësi të admirueshme mendimi. Për fat të keq, ai mbeti atje, në dhe të huaj, i harruar nga shteti i tij, sikur të ishte anonim, anipse e shkriu jetën për vendin e tij, anipse malli për këtë vend i mbante gjallë shpresën për t’u kthyer! Prof. Frano Prendi ka bërë një punë të shkëlqyer dhe me pasion dhe përkushtim të jashtëzakonshëm shkencor në arkeologjinë e Shqipërisë në përgjithësi dhe atë prehistorike në veçanti, duke lënë një trashëgimi shumë të pasur shkencore që e bënë atë të pavdekshëm Ai ka hedhur themelet e shkencës sonë arkeologjike, dhe e ka shkruar emrin e tij me germa të arta në historikun e arkeologjisë shqiptare.
Përveç vlerave unikale dhe të papërsëritshme si shkencëtar, për të cilat emri i tij nuk ka për t’u harruar kurrë, Prof. Frano Prendi ishte edhe një njeri i mrekullueshëm dhe një mik i rrallë dhe shumë i vyer. Gjithmonë i qeshur dhe i dashur, me një humor fin që i buronte së brendshmi, me sytë që i shkëlqenin nga energjia dhe thellësia e mendimit, i çiltër si një fëmijë, gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar të tjerët, kështu do ta mbajnë mend përgjithmonë profesorin tonë të madh e të nderuar, të gjithë ata që patën fatin t’a njohin ose të punojnë pranë këtij shkencëtari të rrallë.
Ndarja nga jeta e Prof. Frano Prendit është një humbje e madhe për familjen e tij të gjërë e të ngushtë, për bashkëshorten Drita dhe vajzat, Lisina dhe Marina me fëmijët, për rrethin e shumtë të miqve e të kolegëve në Shqipëri e jashtë saj si dhe për shkencën albanologjike shqiptare në përgjithësi dhe atë arkeologjike në veçanti. Prof. Frano Prendi do të na mungojë shumë të gjithëve. Prej kohësh na ka marrë malli për portretin e tij të qeshur, për zërin e tij të ngrohtë, për dritën e syve të tij, për humorin i tij të këndshëm, për shpjegimet e tij pasionante e të rralla dhe padyshim do ta ndjejmë gjatë mungesën e analizave dhe sintezave shkencore që vetëm ai mund t’i bënte.
Ndërsa rrekem të gjej fjalinë përmbyllëse, më bëhet sikur e dëgjoj lutjen e tij “Dritë u baftë shpirti!”, sa herë kujtonte dy nga miqtë më të mirë të tij, albanalogët e shquar, Prof. Aleks Buda dhe Prof. Eqerem Çabej. Ata e deshën shumë arkeologun Frano Prendi. E deshën dhe e mbështetën sa qenë gjallë, se ai e meritonte dashurinë dhe respektin e tyre. “Dritë i baftë shpirti!” edhe Prof. FRANO PRENDIT. Qoftë i paharruar kujtimi i tij në jetë të jetëve! Amin!
Viti 2018 është vit i rëndësishëm për albanologjinë shqiptare. Është viti i 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe viti i 70 vjetorit të themelimit të Arkeologjisë. Është edhe viti i 90 vjetorit të lindjes së njërit nga 4 themeluesit e Arkeologjisë shqiptare, Prof. FRANO PRENDI! Albanologjia është në borxh të madh ndaj Profesorit tonë të nderuar FRANO PRENDI! Do të ishte në nderin e saj, që në këtë përvjetor të tij dhe të arkeologjisë shqiptare, të përgatitej edhe dekorimi i tij nga Presidenca me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, krahas figurave të tjera të ndritura të albanologjisë. (Tiranë, 25. 12. 2017)
d.c./shqiptarja.com