Profil poeti-Frederik Rreshpja: Studio ime është kudo... nata është perandoria ime!

Profil poeti-Frederik Rreshpja: Studio ime është kudo... nata është perandoria ime!

Frederik Rreshpja

Thirrja e fëmijërisë ... 

Kujtimet më kthyen më shumë se gjysmë shekulli më parë. Nuk e di sesi do të ishin ata pas aq e aq vitesh?!.. Të zbehtë, apo..? Teksa më thirrnin, kuptova se u ngjanin xixëllonjave të një viti e të një kohe, që kishin ndriçuar e shkëlqyer. Tani, më dukej se kishin mbetur një tufëz, ata xixëllonja, që, tani, mund t’i numëroje fare lehtë. Edhe pse të pakta, isha i lumtur se më kujtonin edhe fëmijërinë, aq më shumë që kisha lindur në një mëngjes të hershëm të një dite maji. Më dukej se bukurezat me dritën e tyre bënin përpjekje të më ndriçonin, kësaj here, vitet e adoleshencës sime dhe kujtesën. Nuk isha gabuar...

 Sapo i kisha kaluar të 13-at. Pas dy fatkeqësive të rënda që më ndodhën në familje: në një fillim gushti humba vëllain 27-vjeçar dhe në një mes tetori humba babain 55-vjeçar; nuk e kuptova as vetë, sesi u dhashë pas leximeve dhe shkruaja (sipas mendjes sime) veçanërisht vjersha për fëmijë. Nësa nëna e mbetur e re dhe e vejë mendonte, luftonte e sakrifikohej për ne, tre fëmijëve të mbetur jetim, që në çdo moment të ditës të na siguronte ushqim, të na vishte, të dilnin sikushi, të mos na mungonte asgjë. Dhe vërtet nuk na mungoi asgjë nga dora, përkujdesjet dhe buzëqeshjet e saj. Mua, vëllait dhe motrës (binjakë) që ishin tre vjet më të vegjël se unë, nuk na mungoi dashuria e saj, urtësia e saj dhe dituria e saj, ndonëse e shtrenjta nënë mbeti për dy javë pa u bërë gjyshe.

E pafund ishte ngrohtësia dhe bota e saj! Eh, ngrohtësia dhe bota e saj që unë i ëndërroj, dhe do t’i ëndërroj deri në frymën time të fundit.

Edhe diçka dua të kujtoj... Mbeten mësime të vlefshme ato biseda të pafundme me nënën time të shtrenjtë, herë në mjedisin familjar, herë vetëm për vetëm, herë kur kthehesha nga Buzëmadhja e Kukësit e nuk më njihtë shpesh herë. Gjatë rrëfimit të saj të saj, çuditesha për dijet që akumulonte e shpërfaqte. Shpesh e kam tradhëtuar veten se shpesh në vend të nënës sime kam vendosur figurën e një dijetareje. Nuk e di sa kam bërë gabim. Mendoj që nuk jam gabuar. Po i kthehem edhe një herë rrëfimit të saj. Çuditesha se sa mirë e njihte Shkodrën përmes rrjedhave të jetës së saj, që nuk kishin qenë të qeta, në të shumtën e rasteve të dallgëzuara.

Gjatë rrëfimit të saj, të ngadalshëm, si zonjë shtëpie, vështrimi im ndalej shpesh në portretin e saj. Nuk më shqiteshin sytë e saj ngjyrë kafe të pastër, fytyra e bukur, se e bukur kishte qenë edhe në rininë e saj. Nuk e tha kurrë, ndonëse nganjëherë e ngacmoja. Edhe kur e ngacmoja, sytë e saj ngjyrë kafe mbeteshin të bukur, po aq të bukura edhe gjurmët e rinisë së bukur që shfaqeshin edhe në këtë moshë, që unë e quaja: mosplakje të nënës sime.

Gjatë rrëfimit të saj, ndoshta pa e kuptuar unë, ndoshta po ndodhte si në ligjin e Paskalit për enët komunikuese, ajo e shtrenjta ime më po mbushte shpirtin, formimin dhe botën time me kulturën e saj. U rrita me kulturën e saj të Mëmësisë! Është pak t’i them: - Faleminderit, e shtrenjta ime!

Çdo ditë e imja, në pjesën e saj dërmuese, ishte e trishtuar, me yje lotësh e pikëllimesh. Jetën time e ngrohnin disa riska buzëqeshjesh. Siç ishte edhe ai i mësuesit tim kujdestar, erudit, pasionant, të urtë, të ditur, të mençur e të paharruar të gjuhës shqipe Gaspër Ugashi. Fshehurazi meje, mblodhi gjithë klasën dhe u tha: “Xhahidit i ka ndodhur diçka shumë e rëndë! Ta doni e ta hatëroni! Mos e largoni dhe mos e braktisni!”

Të tjera buzëqeshje i mendoja se fshiheshin larg, diku larg, pas një reje. Edhe qielli më dukej më i largët seç ishte. Pas asaj urtie të mësuesit, buzëqeshjet m’u shtuan dhe më ndoqën pas...

Në veten time e ndieja se vetmia po më bëhej shoku im i përditshëm. Një vetmi, që në vetminë e saj rrëfente heshturazi ngjarjet e ndodhitë në formë kujtimesh... Ndonëse kalonin ditët, kujtimet e largëta bëheshin të afërta. Jetoja me kujtime!

Një ditë më thirrën librat, ndonëse i shihja çdo ditë në bibliotekën time.

 Veçanërisht, pasditeve hyja në dhomë ku kisha raftet me libra (biblioteka e gjyshit, e babës dhe e vëllait që tashmë të gjithë ishin larguar nga kjo botë). Tani nuk ishte më një bibliotekë e vdekur. Zgjasja duart dhe prekja librat me radhë, më ngjanin se prekja duart e të shtrenjtëve të mi, sikur bisedoja me to... Më dukej sikur edhe malli ishte shndërruar në faqe libri. Nisa të lexoja dhe të shkruaja pa e ditur sesa orë kalonin... Pas e ditur se dielli në një orë ikte, po ashtu dhe muzgu, dhe vinte nata. I mbushur me aromë e fjalë librash largohesha për të ardhur, përsëri të nesërmen... Derisa një ditë m’u bë ritual, i cili vazhdon edhe sot.

Nisa të botoja herë pas here vjersha në revistat “Fatosi” dhe “Pionieri”, duke pasur fjalë ngrohtësie të Adelina R. Mamaqit dhe Xhevat Beqarajt (ahere redaktorë) në letrat që më dërgonin. Më dërgonin shpesh dhe nuk mërziteshin me mua. Më jepnin kurajo si prind e si shkrimtarë të talentuar të letërsisë shqipe për fëmijë. Disa prej porosive të tyre i kujtoj edhe tani. Janë pasuri e vyer. Rrezatojnë.

Dalëngadalë, botimet u shpeshtuan dhe unë hyra në mjediset letrare të qytetit tim, mjedise që i kujtoj me mall dhe kam ende mall për to... Në ata vite përmendej si një gur i çmuar poetik poeti Frederik Rreshpja, për poezinë e tij të veçantë, ndryshe nga të tjerët. Me poezitë e tij jo dhe aq të pranueshme, siç do ta tregojë koha më vonë, Fred Rreshpja po krijonte kohën e vet.

Një ditë vjeshte, rasti e solli ta njihja Fredin dhe të isha mik në shtëpinë e tij. Jeta ime mori një tjetër kthesë. Takimi i parë me të, më pas takimet që nuk do të kishin numërim, më bënë të mendoja se, pra qenka e vërtetë, se ëndrra mund të bëhet realitet. Ja, u bë e tillë me një poet të shquar, që mbeti i shquar në lirikën e tij.

Teksa hyja në shtëpinë e tij, sytë e mi bënin përpjekje të bënin pronë të tyre çdo gjë e çdo detaj, si: portën e vjetëruar, pusin, gardhin, trëndafilat, erën që po frynte në atë çast, cicërimin e një zogu të vetmuar, barin e butë, ngjyrat e luleve... Seç vinte një erë trëndafilash në oborrin dhe shtëpinë e Fredit! Asaj ere dhe trëndafilave, Fredi u besoj shpirtin si testament.

 Hymë në dhomë. Edhe pse ishte e vjetër, gjysëm e errët, pakëz e mobiluar, seç kishte një dritë, do të thoja, hyjnore që e ruante për të porsaardhurit e miqtë.

 Fredi lëvizte sa andej-këndej. Mua m’u duk se po më harronte. Por jo, isha gabuar. Më solli një karrigë dhe ishim ballë për ballë. Buzëqeshja, e folura e tij m’u duken sa mister aq dhe magji. Nuk e di pse, gjatë leximit të librave, e kam ëndërruar një mister e magji të tillë.

E pyes: “Fred, ku e ke studion, sikur nuk po e shoh?” E bëra këtë pyetje, se nga ato leximet e mia të deri të atëhershme, kisha mësuar se nuk mund të kuptosh një krijues pa studio. “Nëse studioja është një vend misterioz, aq më tepër është i tillë procesi që zhvillohet aty.”[1]

 Ai, në fillim heshti, e më pas qeshi. E qeshura e tij më ngjau me një ylber shumëngjyrësh përrallor. Ylberi iku sipakuptuar, dhe Fredi m’u shfaq si një qiell i zakonshëm por me një kaltërsi të mahnitshme që ke ëndje ta shikosh.

 “Në çdo dhomë, - është studioja ime, vazhdoi të fliste i qetë Fredi. Kudo shkruaj. Kudo. Edhe te kjo tavolinë e vjetër, edhe tek ai raft i vogël ngjyrë arre, në shtrat... Kudo shkruaj. Kudo. Shpesh herë letrat me poezitë që shkruaj, me zhgarravinat e ndryshimet që bëj, i vendos pa e ditur kush, në një vend, në një sirtar, ku kam strehuar kapelet e mia republike. Dua të jenë, aty, vetëm. Si atyre, edhe mua më pëlqen vetmia. Me siguri i pëlqen edhe poezisë sime.

Vërtet më pëlqen të shkruaj kudo dhe kurdo, por nata është perandoria ime. Mezi e pres të vijë... Për dikë nata është e mallkuar (mallkim). Për dikë tjetër nata është vrastare. Për dikë tjetër nata është e pabesë. Për dikë tjetër është dashuri. Për dikë... Për mua nata është qetësi. Qetësinë që më fal ajo, nuk ma fal askush. Dikush tjetër ma fal qetësinë, ma bën tëbukur, dhe ajo është: Nëna. Nata dhe Ajo më falin dhe vetminë që më mungon. Se, unë e dua vetminë, o miku im. Ajo më fal siguri, frymëzim, të nesërme për mua dhe qytetin tim, që legjendën e kështjellës së tij e kam në shpirt dhe kudo e marr me vete. Dhe këtë, mos e harro nga Fredi. Jo më kot kam shkruar:

Nga doli kjo vetmi kështu? Më përpara nuk ishte

Tani ngre mure

Dhe mbi to pikon loti i hënës.

 S’kam për t’i parë më drurët që bëhen shpirtra

 As pulëbardhat që vdesin në horizont

 As xhadenë e pikëlluar ku baresin vrasësit e vdekur

 As liqenin as erën e zezë dhe të heshtur të muzgut

 Kudo vetmja ka ngritur muret e saj.

 Nga doli kjo vetmi kështu? Më përpara nuk ishte

 S’kam për ta parë më këtë qytet me kalldrëmet e vjetra

 Ngrënë nga patkojtë e legjendave,

 As kështjellën e ngritur mbi sytë e një gruaje,

 As minaret e holla si klithma,

 As të gjallët dhe as të vdekurit.”[2]

Rreshpja, një figurë ende e pandriçuar
Herëpashere, qëmtoj materiale të ndryshme që flasin për poetin, lirikun e talentuar të letrave shqipe, Frederik Rreshpja. Nga vrojtimet e mia, tek materialet e deritanishme zënë vend shkrimet përkujtimore, ca më pak ato studimore, shumica të përgjithshme, dashamirëse, gjë që flet se duhen shtigje të reja për studimin e poezisë e shpirtit lirik të Rreshpjes. Ka ardhur koha për t’i mbledhur në një kolanë të vetme poezinë e tij të vyer, të papërsëritshme së bashku me shkrimet e shikimet e shumë autorëve, që në një mënyrë a në një tjetër janë përpjekur ta ndriçojnë në mënyrën dhe kulturën e vet, figurën e Rreshpjes.

Përse e them këtë? Ka ende shkrime, edhe sot e kësaj dite, ku shëtisin: mosnjohja nga e vërteta, jobjektiviteti, moskuptim i i vërtetë i poezisë, interpretime të përcipta, hamendësime të paqena, etj. Këto keqdashje, shpesh jashtë konteksteve letrare nuk e zvogëlojnë figurën e Fredit, përkundrazi i japin dimension të ri. Fredi është aty, te poezia e tij. Jo te mediokrit ku mungon thellësia dhe kultura e fjalës studimore. Është detyrë, kulturë dhe borxh të vazhdojmë thellimin për të nxjerrë në dritë vlerat e njëmendta të kësaj poezie. Po sa kohë na duhen, kur koha ecën e ecën..?

Fredi, nga natyra ka qenë i heshtur dhe lakonik në të folur. Intervistat dhe shkrimet problemore i vërtetojnë më së miri këto cilësi të tij. Edhe në këto hapësira, poezia, -kjo bashkudhëtare besnike e tij, është gjithëherë e pranishme. Fredit asnjëherë nuk i ka munguar ngjyra poetike e shpirtit. Kështu, në një shkrim që përcillet me një simbolikë trishtuese “Mesjetë kulturore”[3], autori i saj, Fredi nënvizon raportet mes dritës së dijes dhe errësirës, të vlerave e dimensioneve të librave të vërtetë dhe kulturologjisë si shenjë e rëndësishme në kohësi.

Fredi shkruan: Ne tërë njerëzit, e kemi pranuar me kohë që librat janë dritaret e shpirtit, pra e kemi pranuar me kohë që se jetojmë në një lloj errësire që vjen nga mungesa e librave. Fatkeqësisht sot, sikur po ambientohemi me këtë errësirë, sikur nuk po na shqetëson më.” Vërtetësia e këtyre fjalëve në disa zhvillime e botime të letërsisë shqipe, është e vërtetuar.

Problemi i dytë që trajton Fredi, është ai i vlerave të librave dhe i kontributeve te shkrimtarëve kthyer në modele të pavdekshme. Teksti mbart në nëntekstin e tij një lloj trishtimi, por njëkohësisht edhe një lloj shprese. Fredi, përsëri, shkruan: “Shkrimtarë pa libra nuk ka. Nëpër tërë shekujt ne na kanë munguar shumë gjëra, por kemi patur Bogdanin, Seremben, Mjedën, dhe dhjetëra të tjerë. Kjo është një lloj mesjete që do të na kushtojë shumë. Kam parasysh të rinjtë. Kur një popull nuk lind shkrimtarë është më tepër se fatkeq. E para herë në histori që një popull pret të bëhet i lumtur, pa të shkruajë libra. Gjithmonë librat janë shkruar për t’i prirë lumturisë.” Të mbetemi tek thënia e Fredit: “Gjithmonë librat janë shkruar për t’i prirë lumturisë.”

 Shkodër, qershor 2019

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë