Profil/Mirash Ivanaj, sekretet e reformës në arsim të një ministri pa kompromise

Profil/Mirash Ivanaj, sekretet e reformës në arsim të një ministri pa kompromise

Mirash Ivanaj, ministër Arsimi në vitet 1930

Mirash Ivanaj ishte një intelektual i shkëlqyer, që dallohej për vlera, virtyte dhe moral shumë të lartë. Ishte një patriot i përkushtuar që e deshi me tërë fuqinë e shpirtit të tij Shqipërinë. Ai ka lindur më 12 mars të vitit1891, në një familje malësorësh trima, të zonës së Trieshit në krahinën e Plavës dhe Gucisë; vinte nga një fis që dallohesh për burrëri, mençuri dhe për tradita të forta atdhedashurie, që i ruanin me dashuri dhe besnikëri doket dhe zakonet e bukura shqiptare. Në një mjedis të tillë të pastër u rrit dhe u edukua Mirashi. Prindrit e tij donin që djemtë Martini dhe Mirashi të arsimoheshin sa më mirë. Në shkollën e mesme të dy vllezërit dëshmuan aftësi të shkëlqyera intelektuale dhe e mbaruan gjimnazin me rezultate shumë të mira. Me mbarimin e shkollës Mirashi aplikoi dhe fitoi një bursë që jepte shteti Italian dhe në nëntor të vitit 1913 u rregjistrua në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Universitetin Mbretëror të Romës. Filluan keshtu vitet e bukura të jetës studentore të Mirashit në Romë. Me dashuri të madhe ai ndiqte leksionet dhe me një pasion të jashtëzakonshëm studionte për të fituar njohuri sa më të plota në fushën e studimeve që kishte zgjedhë vetë, atë të letësisë dhe të filozofisë. Ai u dallua shumë shpejt si një nga studentët më të mirë të Universitetit. Vështirësitë ekonomike e kishin detyruar atë të kufizonte argëtimet rinore të kohës. Megjithëatë Mirashi kujdesej shumë për veshjen e vet si dhe për paraqitjen e tij të jashtme që ajo të ishte e këndëshme, e pastër dhe e bukur. Me trupin e tij elegant e të gjatë ai binte në sy dhe ishte shumë tërheqës. Por në ato vite ai pësoi një dramë shumë të rëndë, të cilën e vuajti për gjithë jetën. Një vajzë e bukur që ai e dashuronte marrëzisht vdiq. Një fotografi, përsipër të cilës kishte vënë një shenjë zie si dhe pak flokë të saj ai e mbajti me vehte deri në fund të jetës së tij. Dashurinë e fortë për këtë vajzë zemra e Mirashit nuk mundi ta zëvendësoi me asnjë tjetër, kështu që ai mbeti gjithë jetën beqar.

Puna e tij e zellshme, e përkushtuar prej 8 vitesh studimi intensiv dhe shumë të suksesshëm u finalizua në vitin 1921 me mbrojtjen e tezës (laura) me temë: “Nga historia e gjuhës shqipe në marrëdhënie me gjuhët e vjetra”. Ky është rasti i parë kur gjuha shqipe bëhej objekt i diskutimeve shkencore universitare. Studimi i paraqitur nga studentit shqiptar u vlerësua me maksimumin e pikëve 110 nga 110 pikë si dhe me lavdërimet si një punë e vërtetë dhe e mirëfilltë shkencore (vero e proprio lavoro scientifico).

Me gjithë suksesin e arritur për përfundimin e studimeve në fushën e Letërsisë dhe Filozofisë, Mirashi kishte ambicje për të kompletuar njohuritë e tij edhe në fushën e drejtësisë. Me një vullnet të admirueshëm dhe punë të palodhur ai arriti të mbyllë studimet për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Romës brenda dy viteve. Teza e tij e diplomimit ishte: “Kodi i Stefan Dushanit” që i përkiste shekullit të IV. Mbrojta qe një sukses tjetër madhor i Mirash Ivanajt. Ajo u zhvillua në sallën e Madhe të Universitetit ku merrnin pjesë të gjithë profesorët e Fakultetit Juridik. Në përfundim të mbrojtjes kryetari i komisionit të diplomimit deklaroi vlerësimin maksimal 110 pikë me lavdërime (cum laude). Lajmin e mbrojtjes së diplomimit të Mirashit e dha edhe gazeta e përditshme e Romës: “Il nuovo Paese”, e cila informoi lexuesit Italian për suksesin e merituar të studentit shqiptar.

Arritjet e studimeve të tij në Universitetin e Romës e bënë atë të njohur në rrethet intelektuale italiane. Kështu me mbarimin e studimeve atij i erdhën disa herë propozime për ta emëruar si asistent në Universitetin e Romës si dhe në disa poste të larta të shtetit Italian. Por Mirashi e kishte marrë vendimin e tij të prerë: do të këthehej në Shqipëri. Ai thoshte: “Dëshira ime ka qenë dhe asht me i shërbye me çfardo mënyrë atdheut, për të mirën e të cilit nuk paraqes e as do të paraqes kondita”. Kështu Mirash Ivanaj këthehet në Shqipëri në korrik të vitit 1923 me dy diploma universitare të vlerësuara shkëlqyeshëm në Universitetin e Romёs, vjen në atdheun e tij një intelektual që edhe vendeve më të përparuara rrallë se mund t’i vijnë një herë në disa dhjetëvjeçar. 

Martin dhe Mirash Ivanaj

 

Mirashi erdhi nё Shkodёr me bindjen dhe vullnetin pёr tё kontribuar pёr zhvillimin dhe pёrparimin e shoqёrisё shqiptare. Nё kёtё qytet Mirashi filloi menjёherё punёn pёr tё pёrgatitur botimin e njё gazete, nё tё cilёn ai do të paraqiste lirёshёm bindjet dhe idetё e tij pёr formёn politike qё duhej tё kishte Shqipёria. Shoqёria shqiptare nё atё kohё ishte nё udhёkryq: ajo ose duhej tё ishte tradicionale shqiptare ose duhej tё hynte nё rrugёn e modernizimit, duke pёrqafuar modelet e shoqёrive tё vendeve tё pёrparuara. Mirash Ivanaj kishte vendosur qё gazeta qё do tё botonte duhej tё paraqiste realitetin shqiptar mundёsisht me tё gjitha problemet e tij si dhe do tё parashtronte idetё mё tё mira tё ndryshimit tё kёtij realiteti. Gjatё kohёs sё studimeve universitare ai njohu parimet republikane dhe ndikimin e madh qё patёn ato nё shoqёrinё italiane tё Xhuzepe Maxinit qё ishte njeri prej personaliteteve mё tё shquar qё ia kushtoi gjithё jetёn e tij lirisё dhe bashkimit tё Italisё nё njё shtet tё vetёm republikan. Ky patriot i madh i vendit tё tij, qё i kishin vёnё epitetin “Zemra qё rreh pёr Italinё”, pat hartuar parimet e lirisё dhe tё drejtave tё barabarta pёr tё gjithё njerёzit. Mirashi ynё u bё njё adhurues i zjarrtё i ideve tё republikanizmit tё Maxinit, tё cilat ai i shprehu nё gazetёn e tij. Nё tetor tё vitit 1923 doli numri i parё i gazetёs sё Ivanajve “Republika” me devizёn e Mazinit: “Republika ashtё e vetmja trajtё ligjore dhe logjike qeverimi”. Shumё shpejt gazeta u bё njё mjet i fuqishёm ku u shpalosёn idetё e lirisё, tё demokracisё dhe tё atёdhedashurisё nё realitetitn e ndёrlikuar shqiptar tё asaj kohe. Ajo tёrhoqi vemendjen e publikut shqiptar pёr nivelin e saj tё lartё intelektual, pёr tematikёn e çeshtjeve qё trajtonin artikujt dhe pёr elegancёn e spikatur. Pёr gazetёn e vet Mirashi shkruante: “Lёvizja jonё do tё shёnojё nё historinё e popullit shqiptar fillimin e nji kohe tё re, fundin e mistifikatorёve, e tё pazotёve, e tё kёqijve moralisht e politikisht”. Programi tematik i gazetёs pёrfshinte problemin e shkollave shqiptare qё duhej tё administroheshin vetёm nga shteti, modernizimin dhe riorganizimin e drejtёsisё dhe administratёs shtetrore, shfrytёzimin racional tё pasurive natyrore tё Shqipёrisё etj. Nё programin e gazetёs bie nё sy fakti se çeshtja e arsimit ёshtё vёnё nё plan tё parё dhe trajtohet si njё problem jetik pёr shoqёrinё shqiptare, prandaj shteti duhet tё ketё tё drejtёn e plotё qё kujdesin pёr shkollёn kombёtare tё mos ta ndaj me askёnd. Nё njerin prej artikujve tё parё tё gazetёs lexojmё: “..çashtja e shkollёs xen tё parin vend ..nji vend shumё ma tё naltё se ushtria apo se drejtёsia”. Nё artikujt e saj kёrkohej njё shkollё kombёtare dhe laike, jashtё çdo lloj ndikimi fetar dhe politik, qё do tё zhvilloj aktivitetin e saj me metodat dhe programet e vendeve tё pёrparuara tё botёs. Gazeta “Republika” u bё njё tribunё e fuqishme e ideve mё pёrparimtare qё duheshin tё udhёhiqnin mbrojtjen e interesave jetike tё Shqipёrisё. Por fatkeqёsisht gazeta shpejt ra nё vёshtirёsi tё pakalueshme dhe pa u mbushur akoma njё vit ajo u mbyll. Mirashi vendosi t’i kushtohej tёrёsisht punёs edukative dhe mёsimore nё shkollё.  

Mirash Ivanaj

 

Nё shkurt tё vitit 1925 mori detyrёn e drejtorit tё Gjimnazit Shtetёror tё Shkodrёs. Drejtori i ri e gjeti Gjimnazin nё gjendje shumё tё keqe, si rezultat i mungesёs sё disiplinёs si nga ana e nxёnësve ashtu edhe nga ana e mёsuesve. Por ajo qё e shqetёsonte mё shumё Drejtorin Ivanaj ishte mos zbatimi i detyrimit ligjor pёr çdo shkollё, sipas tё cilit nxёnёsi nuk mund tё rregjistrohet nё njё klasё mё tё lartё nё qoftё se nuk ka kryer klasat mё tё ulta tё shkollimit (njё rregull qё nuk ёshtё zbatuar as 80 e sa vjet mё vonё nё universitetet private qё kemi nё Shqipёri). Nё atё kohё nxёnёsit qё mbaronin shkollat e mesme mund tё merreshin si nёpunёs nё administratёn shtetrore dhe mos pёrgatitja e tyre e duhur do tё pasqyrohej menjëherë nё cilёsinё e dobёt tё nёpunsave tё shtetit. Shkelje tё tilla ligjore u pёrjashtuan pёr tё mos ndodhur kurr mё nё kёtё gjimnaz.

Mirash Ivanaj shumë shpejt vuri rregull dhe disiplinё nё shkollё, ngriti autoritetin e mёsuesve qё mё parё ishte nёpёrkёmbur dhe e vuri punёn mёsimore dhe edukative nё rrugё tё mbarё. Me masa tё tilla tё forta gjimnazi hyri nё njё rrugё tё suksesshme dhe pas dy vjetёsh Drejtori M. Ivanaj do tё deklaronte: “Kjo drejtori nё kёtё vjet shkolluer ia mrrijti plotёsisht qёllimit.. qё nga pikёpamja e disiplinёs dhe e sjelljes sё nxanёsve tё mund tё pohohet se ky gjymnaz gjindet nё shkallёn e çdo shkolle tё mesme europiane”.

Me mbёshtetjen e Drejtorit M.Ivanaj, nё vitin 1926 nё Gjimnazin e Shkodrёs u krijua dega pedagogjike (normale) dhe nxёnёsit qё do tё mbaronin studimet nё kёtё degё do tё shёrbenin si mёsues nё shkollat shqiptare qё po shtoheshin vazhdimisht nёpёr Shqipёri.

Puna e palodhur dhe e shkёlqyer e Drejtorit nё Gjimnazin e Shkodrёs u dёshmuan fare qartё nё provimet e lirimit, ose siç thuhet sot tё maturёs shtetёrore, qё u zhvilluan nё qershorin e vitit 1928 pёr degёn normale dhe njё vit mё vonё nё Gjimnaz. Ato zhvilloheshin  me shumё seriozitet dhe me njё ceremoni zyrtare qё mund tё merret si njё shembull shumё i bukur edhe sot. Ja si e pёrshkruan njё nxёnёs i degёs normale tё Gjimnazit tё Shkodrёs kёtё ditё: “Qe ma nё fund provimi i dёshiruem ia mrrini!...hymё nё klasё…duel Drejtori, me nji zarfё nё dorё e tha:”Qe nё kёtё zarf tё mbyllun, sikurse po e shihni edhe ju vetё, gjinden pyetjet qё ka dёrgue Ministria pёr provimin e maturitetit nё gjuhёn shqipe. Pra zarfin e mbyllun me dyll tё kuq kёtu pёrpara jush e zotrijve tё komisionit po e çilim”. Kёshtu filloj provimi i maturёs nё Gjimnazin e Shkodrёs. Njё vit mё vonё u zhvillua provimi i maturёs pёr nxёnёsit e gjimnazit. Nё librin ku janё mbajtё process-verbalet e provimeve tё Gjimnazit tё Shtetit, Drejtori ka shkruar me dorёn e vet: “Nё mbarim tё vitit shkolluer 1928-29 pёr herё tё parё bahet nё Shqypni, nё gjuhёn shqipe e nё Gjimnazin shtetnuer, provimi i maturёs i Gjimnazit tё naltё. Tё jetё fatlum dhe fillim i mbarё ky hap, me tё cilin fillon indipendenca edhe nё fushёn arsimore tё kombit shqiptar”. Pёrfaqёsuesi i Ministrisё sё Arsimit qё ndoqi provimin, i nderuari Jani Minga, mbeti shumё i kёnaqur nga rezultatet e nxёnsve tё kёtij Gjimnazi. Ai vlerësoi punёn shumё tё lavdёrueshme tё Drejtorit tё Gjimnazit tё Shkodrёs, i cili me vullnetin e tij tё fortё, vetёm pёr katёr vjet, e ngriti kёtё shkollё nё nivelin e shkollave mё tё mira europiane tё asaj kohe. Nё vitin 1925 e mori drejtimin e Gjimnazit me 83 nxёnёs  dhe e la atё me 280 nxёnёs kur u largua nga Shkodra dhe shkoi si mёsues nё Gjimnazin e Tiranёs me kёrkesёn e tij. Por vlerёsimin mё tё lartё M. Ivanaj ia ka bёrё mbreti Zog kur i dha nё qershor tё vitit 1929 medaljen mё tё lartё “Kumandar i urdhёnit tё Skёnderbeut”.

I kёnaqur me arritjet e tij nё Gjimnazin e Shkodrёs M. Ivanaj dёshironte qё tё jepte kontributin e tij nё fushёn e arёsimit nё nivel kombёtar, pёr ta nxjerrё atё nga gjendja skandaloze ku ndodhej, pёr ta ndёrtuar njё shkollё shqiptare laike, qё tё jap dije dhe kulturё bashkёkohore, njëherazi pёr tё shpёtuar arsimin shqiptar nga ndikimet e politikave shoviniste qё bёnin shkollat e huaja private qё vepronin nё Shqipёri nё atё kohё. P. sh. për gjendjen e shkollave private të minoritetit grek Jani Minga, në atë kohë inspektor i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, deklaronte se: “ato shkolla ishin veçse kazerma me ushtarë aktivë pa uniformë të ideologjisë grekomadhe që i nënshtroheshin dërgatës së tyre apostolike në Janinë”. Dёshira e M. Ivanaj  për të marrë detyrën e Ministrit të Arsimit  nuk vinte nga ndonjё ambicje meskine, siç ndodh rёndom te politikanёt shqiptar edhe nё ditёt e sotme qё duan tё marrin njё karrike ministrore apo njё vend nё parlament, pёr ta shfrytёzuar atё pёr pёrfitime personale; pёr M. Ivanajn ajo ishte njё dёshirё fisnike pёr t’i shёrbyer me devocion Shqipёrisё nё fushёn mё tё rёndёsishme, siç ёshtё arsimi. Ai dёshironte qё ta shëndërronte arsimin shqiptar në arsim kombëtar e laik, me vision prendimor, që shkollat shqiptare tё shkёputeshin nga kleri fetar dhe ndikimi i tij, pёr tё mёnjanuar çdo pёrçarje ndёrmjet qytetarёve nё kushtet e vendit tonё ku kishim tri besime tё ndryshme fetare. Ai dëshironte të pastronte shkollat shqiptare prej imoralëve dhe e realizoi këtë detyrë në mënyrë të shkëlqyer. Kjo gjё u arrit me reformimin e plotё tё arsimit shqiptar, qё u krye me sukses nga M. Ivanaj kur ai mori detyrёn e Ministrit tё Arsimit nё vitin 1933.

Reforma arsimore qё u pёrgatit qe e plotё dhe e thellё. Për t’i hapur rrugën realizimit të Reformës Parlamenti Shqiptar i asaj kohe, me propozimin e ministrit M. Ivanaj, vendosi të ndryshoi dy nene të Statutit të Shtetit, si më poshtë:

Neni 206: Mësimi dhe edukimi i shtetasve shqiptar janë një e drejtë ekskluzive e shtetit.

Jepet ndër shkolla shtetërore shkallësh të ndryshme sipas ligjës.

Arsimi fillor për të gjithë shtetasir shqiptarë është i detyrueshëm dhe jepet falas.

Shkollat private të çfardo kategorie qofshin që kanë veprue deri më sot mbyllen.

 Neni 207. Shkollat fetare për përgatitjen e klerit të mbajtura prej komuniteteve fetare shqiptare janë të lira dhe rregullohen me ligj.

Reforma e Ministrit M. Ivanaj preku të gjitha problemet dhe shqetësimet që kishte në atë kohë arsimi shqiptar. U mbyllёn tё gjitha shkollat private qё nuk pranonin autoritetin e shtetit shqiptar pёr tё kontrolluar aktivitetitn e tyre edukativ dhe mёsimor.

Reformatori i madh i arsimit shqiptar Mirash Ivanaj mund tё merret si shembull se si duhet tё punojnё politikanët dhe intelektualët për interesat e mëdha të kombit shqiptar. Është për të ardhur keq kur shohim se si punojnë sot një pjesë e politikanëve tanë, sa të papërgjegjshëm janë ata për të kryer detyrat që kanë marrë përsipër. Ministri M. Ivanaj shkonte në punë dhe këthehej në shtëpi me një makinë të vjetër personale, pa përdorë makinën e shtetit, punonte në zyrë deri në mesnatë me qirij, pa përdorë energjinë elektrike, për të kursyer paratë e dikasterit të tij që t’i përdorte për të rritur sado pak rrogat e mësuesve. Nuk kishte vila në bregdet e në mal si shumë politikanë të sotëm. Për atë ishte e huaj çdo gjë që nuk ishte në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Vitet kur u pёrgatit dhe u realizua Reforma arsimore ishin mjaft tё vështira pёr Shqipёrinё, e cila vuante pёrkeqësimin e gjendjes ekonomike. Qeveria shqiptare, e ndodhur në një situatë të tillë të vështirë, hyri në traktativa me Italinë për të nënëshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila u realizua në mars të vitit 1936. Në këtë marrëveshje u parashikua edhe mundësia e rihapjes së shkollave private italiane, por me kusht që të mos cënoheshin interesat e shtetit shqiptar. Në këtë gjendje, duke parë se po cënohej thelbi i Reformës së tij, M.Ivanaj vendosi të jepte dorëheqjen nga detyra e tij e Ministrit të Arsimit.

Prilli i vitit 1939 shënoi fatkeqësinë e madhe të popullit shqiptar. Më 7 prill 1939 ajo zbarkoi me forca të shumta ushtarake në territorin shqiptar, duke filluar kështu pushtimin e Shqipërisë. Kjo ditë e zezë shënoi njëherazi edhe fillimin e fundit të Mirash Ivanajt. Në këto ditë ai ra në një dëshprim të thellë, në një hutim të plotë dhe u detyrua me dhimbje të madhe të largohet nga Shqipëria; kështu përfundojë në Stamboll ku jetoj vetëm deri në vitin 1945 me ndihmën e bashkëatdhetarëve emigrant.

Me përfundimin e luftës së dytë botërore, Fronti Nacional-Çlirimtar, i udhëhequr nga Partia Komuniste, formoj qeverinë, duke deklaruar se në Shqipëri do të vendoset një rend demokratik republikan. Në qeverinë e parë komuniste, në krye të dikasterit të arsimit shqiptar u vu Gjergj Kokoshi, një intelektual i shquar, që kishte luftuar me armë në dorë për çlirimin e vendit. Me dëshirën e tij ai donte të tërhiqte në Shqipëri intelektualët më të mirë shqiptar që ishin në mërgim jashtë vendit. Kështu ai iu drejtua me një letër edhe M. Ivanajt, duke e garantuar se do të jetë i mirëpritur në Tiranë. Marrja e ftesës nga Ministri Gj, Kokoshi e gëzoi pa masë dhe me mallin e dëshirën e madhe vendosi të këthehej në atdheun e tij të dashur. Kështu në një kohë rekord arriti në Tiranë më 1 tetor 1945. I ngazëlluar për këthimin në atdheun e çliruar, ai donte të falenderonte me gjithë shpirt çliruesit e vendit. Një javë pas kthimit të tij në Shqipëri E. Hoxha e priti atë në zyrën e tij. Jeta në Stamboll, në emigrim, e kishte privuar M. Ivanajn  të mësonte se çfarë kish ndodhur realisht në Shqipëri gjatë luftës, se si Enver Hoxha kishte kishte vra pa asnjë gjyq intelektualët e mirëfilltë. Ai nuk kish arritur të kuptonte se në Shqipëri, pas çlirimit të saj, po instalohej një rregjim diktatorial komunist. Por zhgënjimi i tij erdhi shumë shpejt. Mirashi e ndjente veten të turpëruar për veprimin që kreu kur u detyrua të largohej nga atdheu në momentin më të vështirë historik. Këtë gjë ai e ka shpreh vetë fare qartë, kur miqtë e tij kishin arritur të bindnin udhëheqësit e Frontit Demokratik, që Mirash Ivanaj të ishte në listat e zgjedhjeve për deputet. Ai e refuzoi menjëherë këtë ftesë. Por fakti se në Kuvendin Popullor do të kishte deputet vetëm nga një forcë politike, siç ishte Fronti Demokratik, po krijonte te Mirash Ivanaj bindjen se në Shqipëri nuk do të mund të instalohej kurrësesi një rend demokratik, por demokracia popullore e komunistëve do të ishte një rend diktatorial, siç ndodhi në të vërtetë.

Ai nuk pranoj të merrte asnjë detyrë shtetrore dhe me dëshirën e tij pranoj detyrën e mësuesit në shkollën femrore pedagogjike të Tiranës, ish Instituti “Nana Mbretneshë” që ai kishte hapur në vitin 1933. Por puna në shkollë me rregullat e reja e zhgënjeu dhe në pamundësi për të kundërshtuar këto rregulla, ai zgjodhi mënyrën më të thjeshtë: të mbyllte gojën. Por shkatërrimin e plotë moral ai e mori kur mësoi lajmin e arrestimit të mikut të tij të ngushtë, luftëtarit për liri e drejtësi shoqërore, të Ministrit Gjergj Kokoshi. Ai ishte i bindur se Gjergj Kokoshi nuk kishte mohuar parimet për të cilat kishte luftuar për çlirimin e atdheut.          

Në shkollë ai rrinte shumë i vetmuar; ishte krejtësisht i pa përzier në politikë dhe të gjitha këto krijuan dyshime se ai nuk kishte asnjë simpati për pushtetin e komunistëve. Kështu pas një viti e gjysmë që kur kishte ardhë në Shqipëri, më 15 maj të vitit 1947 i vunë prangat dhe e përplasën në një prej qelive të burgut të armiqëve të popullit me akuzën absurde për faje kundër shtetit dhe popullit. Një ndër atdhetarët më të mëdhej të Shqipërisë, inetelektuali i kalibrit europian, që konsolidoi arsimin laik kombëtar shqiptar, përfundoi në burgjet e diktaturës më të egër që ka përjetuar vendi ynë. Pas 9 muaj tortutash çnjerëzore filloi hetimit për ”krime” kundra pushtetit popullor. Me një qëndrim burrnorë dhe me kompetenca të spikatura në fushën e drejtësisë M.Ivanaj hodhi poshtë me fakte dhe me argumenta të gjitha akuzat për faje të pa kryera. Eshtë e lehtë të përfytyrohet çfarë denigrimi iu bë një njohësi të shkëlqyer të ligjeve, i cili dhunshëm u vu në bangën e të akuzuarëve para aparatçikëve të një politike të shëmtuar, që nuk kishin asnjë përgatitje të mirëfilltë gjyqësore. U dënua me 7 vjet heqje lirie, me punë të detyruar, konfiskim të pasurive të tundshme e të patundshme dhe pas daljes nga burgu ai nuk do të kishte të drejta civile dhe politike për 5 vjet. U mbyll kështu egërsisht prapa hekurave të burgut të egër të komunizmit një njeri i ndershëm që nuk kish bërë asnjë padrejtësi në jetën e tij, një edukator i përkushtuar dhe reformatori më i madh i arsimit shqiptar.

Jeta e mjeruar dhe puna shumë e rëndë në burg si përkthyes sollën degradimin e shpejtë të shëndetit të M. Ivanajt. Thuhet se disa javë para ditës së lirimit nga burgu ai i ka dërguar drejtorit një letër ku i kërkonte atij ta mbante në burg se nuk kishte ku të shkonte për të banuar dhe nuk kishte asnjë të ardhur për të jetuar. Por, i dërrmuar nga puna e rëndë dhe kushtet e tmerrshme të burgut, më 22 shtator të vitit 1953, 12 ditë para mbarimit të afatit të dënimit të tij, ai mbylli sytë për jetë. E mbylli jetën në moshën 62 vjeçare. Në këtë mënyrë Shqipëria humbi një ndër bijtë më të mirë të saj.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen