11 milionë euro nga fondet e BE do të shkojnë për financimin e bashkive për të përforcuar pushtetin vendor. Programi, i cili u prezantua në Durrës, do të mbështesë bashkitë me investime konkrete, rritje kapacitetesh dhe modernizim të shërbimeve për qytetarët.

Kryeministri Rama u shpreh se është një investim strategjik nga BE në nxitjen e bashkive. Ai shtoi se anëtarësimi është njëkohësisht bekim për vendin, por sfidë për pushtetin lokal.

“Nuk mishëron thjesht mbështetje financiare por përbën investim strategjik të BE për të nxitur rritjen e kapaciteteve të bashkive në horizontin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Bashkitë janë problemi ynë më i mprehtë i kësaj kohe nëse nuk fokusohemi sot tek adresimi. BE dhe anëtarësimi në familjen europiane janë bekim për Shqipërinë dhe sfidë në nivelin vendor pasi konsolidimi i nivelit të qeverisjes vendore është pjesë e pandarë dhe e patjetërsueshme e mënyrës së funksionimit dhe mirëfunksionimin e marrëdhënieve mes BE dhe një vendi anëtar”, tha Rama.

Fokus të veçantë kërkoi te dixhitalizimi i shërbimeve të pushtetit vendor.

Kemi një diferencë të papranueshme dhe të pajustifikueshme të dixhitalizimit në pushtetin qendror dhe vendor, do t’i adresohemi problemit”, tha Rama.

Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, renditi një sërë përfitimesh që programi do të sjellë për bashkitë dhe theksoi forcimin e rolit aktiv të tyre.

“Ky program sjell përfitime të prekshme në nivel vendor sepse politikat shndërrohen në përmirësime të vërteta. Nuk është sekret që 70% e direktivave, rregulloreve të BE do të vihen në zbatim në bashki. Prandaj janë kaq të rëndësishme bashkitë. Roli juaj dhe partneriteti ynë është shumë i rëndësishëm. Rrugëtimi europian i Shqipërisë duhet të përqafohet dhe përjetohet në çdo bashki të Shqipërisë. Programi synon që qeveria vendore të mos jetë thjesht vëzhgues në proces, por aktiv në të ardhmen europiane”, tha ambasadori.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:07
Mbështetja e BE për bashkitë, ministri Demo: Vjen në moment të rëndësishëm për vendin! Bashkitë, aktorë kyç për integrimin

 

Programi europian i mbështetjes për pushtetin vendor vjen në një moment të rëndësishëm, tha ministri Ervin Demo, i cili u shpreh se bashkitë janë “aktorë kyç” në procesin e integrimit. 11 milionë euro do të shërbejnë për përmirësimin e infrastrukturës së bashkive, forcim të kapacitetit strategjik dhe dixhitalizim të shërbimeve.

"Ky projekt vjen në një moment të rëndësishëm për vendin, ndërsa Shqipëria vijon rrugën drejt BE. Programi pasqyron një partneritet të fortë dhe të vyer mes BE. Me një buxhet total prej 11 milionë eurosh, ky projekt do të zbatohet deri në vitin 2029 bashkitë që do të përfitojnë nga skema e granteve për investime konkrete në infrastrukturë dhe shërbime publike. Së dyti, përmes asistencës teknike do të forcojnë kapacitetin strategjik.  Së treti, përmes dixhitalizimit, do të ndryshojë mënyra si bashkitë ofrojnë shërbime, financuar nëpërmjet Bankës Botërore", tha Demo.

Ora 13:00
Dixhitalizimi, Rama i pakënaqur me bashkitë: Diferencë e papranueshme dhe e pajustifikueshme me pushtetin qendror, do i adresohemi problemit

 

 

Dixhitalizimi është ngërçi më i madh i bashkive, sipas kryeministrit Rama që kërkoi fokusim dhe ndryshim të thellë në këtë aspekt. Ai u kërkoi kryebashkiakëve që ta shohin mbështetjen prej 11 milionë eurosh të BE përtej financimit me fonde.

“Kemi një diferencë të papranueshme dhe të pajustifikueshme të dixhitalizimit në pushtetin qendror dhe vendor. Kemi folur gjerë e gjatë me ministrin, do të flasim edhe me përfaqësinë e BE, edhe me partnerët gjermanë, edhe pse ata në dixhitalizim janë prapa nesh, akoma punojnë me faks në ministri në Gjermani dhe përtej shakasë që në këtë rast është shumë më shumë se gjysma e së vërtetës, do t’i adresohemi problemit. Bëni më të mirën që ta përdorni këtë projekt jo si mundësi financimi, por për të krijuar një eksperiencë, për të fuqizuar kapitalin njerëzor, për të përgatitur brenda bashkive, akoma më mirë, bërthamat e vogla që keni filluar të ngrini. Në këtë aspekt, ky projekt është i pazëvendësueshëm”, tha Rama.

Ora 12:40
Programi europian për pushtetin vendor, Gonzato: Zbatim i 70% të direktivave të BE! Reforma territoriale e zgjedhore, mundësi për potencialin zhvillimor

 

Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, renditi një sërë përfitimesh që programi do të sjellë për bashkitë.

“Ky program sjell përfitime të prekshme në nivel vendor sepse politikat shndërrohen në përmirësime të vërteta. Nuk është sekret që 70% e direktivave, rregulloreve të BE do të vihen në zbatim në bashki. Prandaj janë kaq të rëndësishme bashkitë. Roli juaj dhe partneriteti ynë është shumë i rëndësishëm. Rrugëtimi europian i Shqipërisë duhet të përqafohet dhe përjetohet në çdo bashki të Shqipërisë. Programi synon që qeveria vendore të mos jetë thjesht vëzhgues në proces, por aktiv në të ardhmen europiane”, tha ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato.

Ai shtoi se bashkitë e vogla do të mbështeten që të mos mbeten pas në këtë program që do të ofrojë:

“E para, janë shërbime dhe infrastrukturë më e mirë për qytetarët. E dyta është zhvillimi ekonomik dhe vendor, e treta, institucione më të forta dhe transparente. Do të krijojmë një qendër europian që çdo bashki të përfitojë nga fondet e BE. Duam që zgjidhjet t’i përshtatim me nevojat përkatëse pasi sfidat ndryshojnë nga njëra-tjetra. Së fundmi, duam të nxisim bashkëpunimin ndërbashkiak”, u shpreh Gonzato.

Ai u ndal edhe te procesi i reformave territoriale e zgjedhore.

“Procesi i reformave duhet të udhëhiqet nga sfida territoriale, të ketë një ekuilibër. Ky proces është mundësi për të zhbllokuar plotësisht potencialin zhvillimor”, u shpreh Gonzato.

Lajm në përditësim...