Programi fiks si partia

Programi fiks si partia

Gati një vit më parë, Lulzim Basha po rrekej të na mbushte mendjen të gjithëve se kishte thirrur ekspertë të ekonomisë nga CDU gjermane, të bënin programin ekonomik të PD-së. Nuk ishte ide e keqe, sidomos në kushtet e një partie që nuk ka më asnjë emër financieri të njohur dhe as të aftë për të kuptuar çfarë është një program ekonomik.

Programi që prezantoi Lulzim Basha si program ekonomik, nuk është as i CDU, as i PD, as i PS, por është fiks identiteti i Partisë Demokratike nën udhëheqjen e Lulzim Bashës.

Në shtatë vite që ai drejton PD-në, Basha nuk ka pasur kurrë një identitet dhe të ketë luftuar për ta mbrojtur atë.

Ai nuk e ka udhëhequr PD-në, por e ka lënë PD-në ta udhëheqin kauzat e rrugës, që fillojnë nga ekstremi i majtë në ekstremin e djathtë.

Ai e ka vënë PD-në në dispozicion te lëvizjeve të majta të rrugës, e ka vënë në dispozicion të zaptuesve të trojeve në Tiranë, edhe pse mburret si parti që mbron pronarët, e ka vënë PD-në në dispozicion të delirantëve dhe konspiracionistëve trumpistë, e ka vënë PD-në në dispozicion të çdo pakënaqësie popullore që nuk ka lidhje me identitetin e saj.

Motoja  e tij është motoja  e një kryetari dembel, që pret ta udhëheqin problemet dhe jo të udhëheqë zgjidhjen e problemeve.

I tillë është dhe programi ekonomik që ai prezantoi. Ai ka mbledhur gjithë marrëzitë që ka dëgjuar rrugëve dhe i ka “zgjidhur” duke i financuar.

Ka dëgjuar ankesa për taksën e sigurimeve, e ka ulur, ka dëgjuar ankesa për rrogën minimale, e ka ngritur, ka dëgjuar që ankohen për çmimin e naftës, ka premtuar që do heqë taksat shtesë që i janë futur asaj në çmim, dhe që kanë nisur me Berishën, ka dëgjuar që njerëzit ankohen për energjinë elektrike, ka premtuar se do ta ulë çmimin (se si do ta ulë një mall që shitet në treg, një zot e di), për të vazhduar pastaj më tej me gjithë bamirësitë e tjera.

E vetmja gjë e provuar si e dështuar në këtë program, është taksa e sheshtë 9 për qind. Të tjerat shyqyr nuk ka guxuar njeri t’i provojë.

Miti i taksës së sheshtë 9 për qind, në të vërtetë nuk funksionoi në qeverinë “Berisha”, edhe pse Bode ishte një financier i përgjegjshëm. Deri në vitin buxhetor 2007, Bode vazhdoi me sistemin e taksave të Fatos Nanos dhe pati sukses, duke rialokuar dy herë buxhetin e investimeve gjatë vitit, për shkak të shtimit të të ardhurave nga disiplina fiskale.

Viti 2008 që hyri taksa e sheshtë, është viti që fillon e rialokohet çdo vit buxheti me humbje. Kurrë nuk e mori veten buxheti deri më 2013, prej taksës së sheshtë.

Miti se ajo funksionoi, është një gënjeshtër. Gjithë suksesi i Ridvan Bodes si ministër Financash është koha kur ai operoi me sistemin progresiv te taksave, dhe jo me taksën e sheshtë.

Prandaj mos u lodhni të analizoni programin ekonomik të Lulzim Bashës, se ai nuk është ulur të bëjë ndonjë të tillë. Programi është një amalgamë e ideve të një partie të ekstremit të majtë, me një taksë të sheshtë që është ide e partive të djathta.

Deri më sot programi më qesharak ekonomik ka qenë ai i Albin Kurtit, për zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Ai premtonte Bankë për zhvillimin e ekonomisë dhe bujqësisë, kredi si në kohë të Titos, subvencione që fshatarët të punojnë tokat dhe të hapin fabrika, uzina, kantiere…. Këtë të riun s’ja kam lexuar akoma, se ndoshta e ka përmiresuar kjo Vjosa me ide të djathta.

Ky i Lulit është i njëjtë, por ndryshe nga Albini që mendon se dikush do t’i japë para, që ai t’ua japë punëtorëve e fshatërve të punojnë, Luli mendon se dikush do t’i japë para që ky t’ua japë atyre që ankohen, qoftë dhe pa punuar.

Por një gjë të mirë e ka bërë, se e ka prezantuar vetë programin. Kjo e bën më pak dramatike situatën, se nuk e merr njeri seriozisht.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Medemek: 30/01/2021 17:15

    Parti leshi program preshi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Shpërndanin drogë në Sarandë e Delvinë, “Arrest në burg” për 12 persona

Shpërndanin drogë në Sarandë e Delvinë, “Arrest në burg” për 12 persona