Programi i Bashkëpunimit Territorial 
 Gjosha: Thelbësor për integrimin

Programi i Bashkëpunimit Territorial <br /> Gjosha: Thelbësor për integrimin
"Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian është shtuar dhe kjo ka ndodhur edhe me vendet që ende nuk janë anëtarësuar në BE".

Kështu ka deklaruar në Bolonja Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha e cila ka theksuar se, Shqipëria mbetet e angazhuar për të kontribuuar në çështjen e refugjatëve e emigrantëve dhe të sigurusë në Bashkimin Europian.

“Një nga çështjet më të ndjeshme që Europa tani është duke përballur është kriza e refugjatëve dhe migrantëve, e cila, besoj është e lidhur ngushtë edhe me pengesa të tjera me të cilat Bashkimi Europian dhe vendet fqinje po ballafaqohen, që mund të çojnë edhe në një krizë të mundshme politike, çka është fare e padëshirueshme  në këtë moment. Shqipëria është e angazhuar fort për të kontribuar në Axhendën e Brukselit në këtë situatë në zhvillim, në mënyrë që së bashku të adresojë këtë sfidë të përbashkët që prek jo vetëm vendet anëtare të BE-së, por edhe vendet e tjera” ka thënë Gjosha.
 
Ajo ka shtuar se, programet e Bashkëpunimit Territorial në gjithë Europën mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim dhe të gjitha Programet e Bashkëpunimit Territorial do të bashkojnë forcat dhe idetë, me siguri që mund të prodhojmë diçka me ndikim, që nuk do të kërkojë të ndryshojë situatën e menjëhershme, por do të garantojë një bazë solide afatgjatë.
 
Ajo vlerësoi edhe kontributin që Bashkimi Europian ka dhënë vite për Shqipërinë, sidomos tani që ajo është kandidate dhe aspiron anëtarësimin në BE.

“Objektivi i Shqipërisë për anëtarësimin në BE e bën të domosdoshëm rritjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona, ku shkëmbimi i eksperiencës, koordinimi i politikave të përbashkëta dhe mbështetja reciproke për realizimin e objektivave tona dhe programeve prioritare drejt integrimit në BE është një proces i rëndësishëm”.
 
Sipas Gjoshës, Programi Adrion vjen pikërisht në momentin e duhur dhe ka për detyrë sfiduese të vërë së bashku tetë vende 4 shtete anëtare të BE-së dhe 4 vende kandidate dhe potencialisht kandidate, që duhet të punojnë së bashku për të adresuar çështjet e përbashkëta. Duke pasur një përbërje të tillë gjeografike dhe duke qenë nën mbështetjen e afërt të Strategjisë së BE-së për Strategjinë Adriatik dhe Jon, ajo ka shtuar se, Programi është një program i  veçantë dhe ka një rol strategjik për të luajtur.

Lançimi është bërë në Bolonja, ku të pranishëm ishin përfaqësues nga Italia, Greqia, Sllovenia, Kroacia, Shqipëria, Bosnje & Hercegovina, Serbia dhe Mali I Zi.

Ky program është një nga tetë programet e bashkëpunimit territorial në të cilat merr pjesë Shqipëria gjatë perspektivës IPA II, ku objektivi i përgjithshëm është të veprojë si një ndërlidhës i politikave dhe qeverisjes inovatore duke nxitur Integrimin Europian midis vendeve anëtare dhe atyre jo anëtare, duke përdorur burimet natyrore, kulturore dhe njerëzore në zonën e Adriatikut dhe Jonit, si dhe duke ndikuar në rritje e kohezionit ekonomik, social dhe territorial në zonat e programi.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në SHBA, mbyllen qendrat e para të votimit

Zgjedhjet në SHBA, mbyllen qendrat e para të votimit