Partia Demokratike në opozitë deklaron se programi qeverisës nuk është depozituar në mënyrë kushtetuese në Kuvend. Një deklaratë e tillë hidhet poshtë nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilët deklarojnë se programi është depozituar që prej ditës së djeshme. Madje zyrtarë të lartë të PS-së, të cilët citohen sot nga Shqiptarja.com (print) japin dhe orën 16:00 të ditës së djeshme (10 shkurt) si moment kur programi është depozituar në kuvend, madje dhe se sekretaria e PD-së e ka tërhequr programin.
BASHA: NUK E KEMI MARRE PROGRAMIN NE RRUGE ZYRTARE
“Uroj që vendosja e procesit në binarët Kushtetues të nisë një orë e më parë, duke nisur me depozitimin Kushtetues të programit të qeverisë që nuk ka ndodhur akoma. Mazhoranca duhet ta kuptojë se sot përgjegjësitë janë përtej paraqitjeve mediatike. Presim që programi të na vihet në dispozicion në mënyrë kushtetuese nga Kuvendi. Presim që pas vënies në dispozicion të përgatitemi për një debat serioz gjithëpërfshirës e transparent. Për këtë jemi të gatshëm të ushtrojmë dhe të marrim të gjithë përgjegjësitë në Parlament”- tha Basha sot në një dalje publike të orës 12: 30 minuta nga selia e PD-së ku ishte zhvilluar mbledhja e grupit parlamentar të kësaj partie.
Ai nënvizoi se opozita do të vazhdojë të ketë primare transparencën dhe ballafaqim për premtimet me të cilën mazhoranca e re erdhi në pushtet.
““Sikundër dua të përsëris se akti i shëmtuar i djeshëm është një precendet jo premtues dhe opozita është e vendosur për të mos lejuar në asnjë çast të nëpërkëmbë të drejtat themelore të saj. Uroj që ky reflektim, të përkthehet në veprime konkrete dhe të mos pasohet nga të tjera akte e mendësi të vjetra të cilat jo vetëm nuk i shërbejnë përgjegjshmërisë, por kanë një synim t’i mbyllin gojën opozitës, dhe t’i ikin përgjegjësisë para qytetarëve shqiptarë për premtimet e shndërruara në program dhe mënyrën si do i realizojë këto premtime.
Qëndrimi i papranueshëm i djeshëm ishte një përpjekje për t’i ikur transparencës për ballafaqimin premtimeve të mosmbajtura. Garatojmë se opozita është e vendosur të luajë rolin e saj, e të bëjë transparencën e plotë të çdo premtimi me të cilën mazhoranca ka ardhur në pushtet.”- tha Basha.
VASILI PER A1 REPORT: U DORËZUA DJE, BASHA TË JETË I SINQERTË
I ftuar në studion e A1 Report, (rreth orës 13: 30) kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili deklaroi se, programi i mazhorancës është dorëzuar që ditën e djeshme në Kuvend dhe kush ka pasur dëshirë e ka marrë. Ai tha se, mazhoranca e re do ti japë të gjitha hapësirat e mundshme opozitës.
“Debati konsumohet në media dhe live, nuk ka ndonjë debat jashtë medias”, - u shpreh Vasili në lidhje me deklaratat për kohën e shqyrtimit të programit të mazhorancës qeverisëse. Gjithashtu ai vlerësoi rolin e luajtur gjatë ditës së sotme nga ana e kreu të Kuvendit, Ilir Meta, që negocioj me krerët e grupeve parlamentare në lidhje me seancën e diskutimit të programit.
Vasili ka kujtuar edhe kohën, kur opozita e sotme ishte në mazhorancë dhe sjelljen e saj në Kuvend, kur ishte fjala për të diskutuar programet. “Në Kuvendin e kaluar, koha e depozitimit të pyetjeve pas leximit të programit ka qenë vetëm, 30 minuta dhe koha për depozitimin e emrave, ishte vetëm 5 minuta”.
“Programi është i depozituar në Kuvend që nga dita e djeshme, kush donte ta merrte e merrte. Kushtetueshmërisht duhet të depozitohet në selinë e Kuvendit dhe ne e kemi bërë. Deklaratat janë thjeshtë një furtunë në gotë”, tha Vasili gjatë bashkëbisedimit në studion e A1 Report, përballë gazetares, Mira Kazhani.
I pyetur në lidhje me rrjedhjen e votave të opozitës, gjatë votimit si kryetar i Kuvendit të kreut të LSI-së, Vasili nuk bëri komente. “Nuk kam asnjë koment për rrjedhjen e votave dhe se si funksionon opozita, është puna e saj. Për votimin e djeshëm kam vetëm një koment, që platforma e zotit Meta është e një ekuilibri dhe respekti të plotë për opozitën dhe jo vetëm, por edhe për shoqërinë civile dhe botën akademike”. “Ka politikanë me një eksperiencë jo të vogël, në Kuvend të cilët e kanë menduar të drejtë dhe kanë shprehur mbështjetjen e tyre ndaj platformës së zotit Meta”, - tha Vasili.
Për shtyrjen e seancës e cila ishte parashikuar për në orën 11.00 por që do të zhvillohet në orën 18.00, Vasili deklaroi se, “negocimi i zotit Meta ka qenë shumë intensiv me dëshirë që të krijohet një mundësi, pasi rregullorja thotë që Kreu i Parlamentit dhe Kryeministrit përcaktojnë dhe datën e mbledhjes së Kuvendit. Hapësira e madhe me të cilët ai negocioj, ka qenë që të krijojmë sa më shumë hapësira opozitës, që kur ka qenë në pushtet nuk i ka krijuar”.
Vasili i ka kujtuar Bashës, faktin se duhej të ishte më i sinqertë gjatë deklaratës së tij, dhe të fliste edhe për kohën kur ka qenë në Kuvend dhe sa kohë jepej atëherë për deputetët. “Doja ta besoja që zoti Basha është i sinqertë, por kur nuk kujton ato që kanë ndodhur më parë, nuk mund ta besoj më“.
Duke iu përgjigjur deklaratave të opozitës për bojkot, Vasili tha se, “nuk kishte nevojë për bojkotimin e Kuvendit, pasi opozita mori kohën e mjaftueshme. Zoti Rama sot në orën 18.00 do të paraqesë thjeshtë programin dhe më pas do të ketë 24 orë kohë për të depozituar pyetjet dhe emra. Debati për programin do të bëhet ditën e shtunë. Është mirë që të rikujtohen të gjithë precedentët, pasi ky është një standard që i ka munguar PD-së ku ishte në pushte, standard që e kërkon sot. Ju i kujtoni drejtuesit e parlamentit të kaluar”.
“Çështja për mua është e qartë, nuk kemi arsye të konfrontohemi në Kuvend. Sepse mundësia është për të gjithë në Kuvend. Unë jam deputet dhe kam të drejtë të jap mendimin tim. Këtë të drejtë e ka edhe opozita sot. Secili ngrihet dhe thotë të tijën, pasi këto furtuna qesharake duhet ti lëmë pas. Debati ynë me opozitën është dhe do të jetë në Kuvend. Nëse kemi një program politik që respekton premtimet e bëra në fushatë e diskutojmë në parlament. Nëse ata nuk janë dakord le të mos e votojnë”, - u shpreh Vasili në studion e A1 Report.
Duke folur për programin e përgatitur nga grupet e punës së Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vasili tha se, “programi përfshin të gjitha prioritetet madhore të LSI-së dhe PS-së, prioritete që bënë ndryshimin në fushatë. Ne nuk u kacafytëm me PD-në në fushatë dhe normalisht ka pasur një kacafytje. Unë vij nga terreni dhe ne nuk u kacafytëm por neve na besuan më shumë qytetarët dhe na votuan”.
Sipas Vasilit, “prioritete e programit qeverisë dhe të dy partive janë, punësimi, frymëmarrja e ekonomisë, lufta ndaj korrupsionit, etj”. Për kreun e grupit parlamentar të LSI-së, rikonceptimi i fushave të ndryshme, ministrive do të sjellë zhvillim në vend.
“Në sallën e parlamentit shkohet me një program solid dhe ne nuk është se presim votën e opozitës, por është një program solid që do të zhvillojë vendin. Orientimi drejt dimensionit të bashkëpunimit nga ana e zotit Meta, është ai për të evituar debatin dhe konfliktet artificiale ose ndryshe furtunat në gotë”, - përfundoi bashkëbisedimin në studion e A1 Report, kreu i grupit parlamentar të LSI-së.
PS: PROGRAMI I DEPOZITUAR QE DJE NE 16:00
Zyrtarë të lartë të PS-së sqaruan për gazëtën Shqiptarja.com (print) se opozita e ka pasur në Kuvend programin e qeverisë që në orën 16:00, te ditës së djeshme. “Deputetët e opozitës e kanë pasur që në orën 16:00 programin e qeverisë bashkë me letrën e protokolluar. Ka qenë sekretarja e PD qe i ka tërhequr programet, për të ciëlt edhe ka firmosur. Ndërkohë që në orën 19:00 programi është shpërndarë edhe elektronikisht për të gjitha mediat. Precedenti 2005-2009 Berisha ka prezantuar programin në seancë dhe pastaj kanë filluar diskutimet” u shprehën të majtët.
Redaksia online
(Suela Gera/ Artan Cena/shqiptarja.com)