Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për David Prendin, i cili u arrestua pak ditë më parë gjatë një operacioni policor, si person që kërkohej nga SPAK. Prokuroria e Posaçme e kërkonte Prendin lidhur me përfshirjen e tij në skemat e mashtrimit me bursat online përmes “Call Center”.
Ai u shpall në kërkim pas një operacioni të SPAK, ku u goditën dy pika call center, njëra e vendosur pranë Gjykatës së Lartë në kullën “Atti Tower”, ndërsa tjetra në kullën “Downtown”.
SPAK tha se hetimet për aktivitetin mashtrues, që Report Tv mësoi se e drejtonin 3 vëllezër, Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, nisën pasi nga emisioni investigativ italian “Le Iene” u dorëzuan materiale.
Nga videot e filmuara nga gazetari italian i “Le Iene” që ishte i infiltruar si punonjës në këtë call center, pikërisht në zyrat e vendosura në katin e 9-të dhe të 13-të shihet se është një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.
Sipas SPAK organizatorët kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.
Ishin pikërisht vëzhguesit jashtë kullës “Atti Toëer” që sipas Prokurtorisë së Posaçme mbrëmjen e datës 15 Janar, pas përfundimit të punës, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 Janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve.
Kur hetuesit e BKH-së kanë shkuar në kullën luksoze më 16 janar i kanë gjeture të boshatisura zyrat, pasi ishin larguar pajisjet dhe personelit. Pas këtij momenti BKH ka identifikuar mjetet që kanë larguar kompjuterat dhe pajisjet e tjera të Call Centerit. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa personave, kryesisht transportues, që kishin lëvizur pajisjet nga “Atti Toëer” në një ambient tjetër të marrë me qira në kullën “Doëntoën One”. Me iniciativën e tyre hetuesit janë ngjitur menjëherë në katin e pestë të kësaj kulle, ku kanë gjetur një tjetër “Call Center”, në ndërtim e sipër.
Pasi kërkoi përforcime nga policia e Tiranës, u bë e mundur arrestimi i Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi, Odeas Kuqi, që u kapën në flagrancë dhe më pas ndalimi i dy të tjerëve, që dyshohen si punonjës të call centerit dhe akuzohen për mashtrim kompjuterik.
Një ditë më pas, më 17 janar, janë lëshuar edhe urdhrat e ndalimit për tre vëllezërit Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, si organizatorë, që vijojnë të jenë në kërkim.
Investigimi mori shkas nga ankesat e disa italianëve të mashtruar. “Le Iene” mundi të infiltrojë një person, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat se jo vetëm shqiptarë, por edhe italianë janë përfshirë në krim, që jetojnë në Itali apo Shqipëri. Transaksionet e fituara nga aktiviteti kriminal kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale të menaxhuara nga kokat e grupit.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente









