Rritje ekonomike, më shumë investime, eliminim të përjashtimeve tatimore, reduktim të borxhit publik dhe një reformë të re për pensionet. Janë këto disa nga pikat kryesore të Programit të Reformave Ekonomike për periudhën 2026-2028, që është hartuar nga Ministria e Financave.

Në dokument thuhet se rritja ekonomike në këtë periudhë 3-vjeçare, do të jetë 4% e nxitur nga rritja e konsumit privat, si dhe nga investimet në infrastrukturë dhe zhvillimet në sektorë strategjikë si turizmi.

“Në mënyrë më specifike, për periudhën afatmesme (2026–2028), konsumi final parashikohet të rritet në terma realë me një mesatare prej rreth 2.5% në vit, duke kontribuar mesatarisht me 2.1 pikë përqindje në vit në rritjen e përgjithshme ekonomike. Paralelisht, investimet pritet të shënojnë rritje reale me një normë mesatare prej 6.6% në vit, duke kontribuar mesatarisht me 1.7 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB-së”, thuhet në program.

Ky trevjeçar sipas ministrisë edhe pse do të shoqërohet me rritje ekonomike të qëndrueshme, nuk do t’i rikthejë ‘shkëlqimin’ bujqësisë, që nuk do të ketë kontribut pozitiv në rritjen ekonomike.

Pritshmëritë janë që turizmi të rritet me 5.4%, duke kontribuar me 2.7% në rritjen ekonomike, ndjekur nga ndërtimi me 3.2% me kontribut 0.4%, më pas është industria që projektohet në rritje 2.7% dhe me efekt pozitiv 0.3% në ekonomi. Kurse bujqësia thuhet në program do të rritet me vetëm 0.2% në vit, pa dhënë ndikim në ecurinë ekonomike të vendit.

Në program për punësimin është parashikuar ecuri të ngadaltë me rritje prej vetëm 0.1%, kurse për pensionet është parashikuar vetëm reforma me bonuset mujore.

Sa i takon borxhit publik, parashikohet që brenda këtij 3-vjeçari të ulet me afro 3.1%. Sipas Ministrisë së Financave nga 54.1% që është projeksioni për 2025-ën, të tkurret në 51% në fund të vitit 2028. Ndërsa brenda 10 vjeçarit qeveria pret që të realizojë objektivin për borxh publik sa 40% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.