TIRANE- Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të hënën ndryshimet në marrëveshjen e financimit të programit "Malet drejt tregut"
Ndryshimi i marrëveshjes së financimit të programit "Malet drejt tregut", ndërmjet Shqipërisë dhe Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Agrikulturës synon miratimin e rishpërndarjes së fondeve dhe shtyrjen e afatit të përfundimit të programit dhe datës së mbylljes së huasë.
Programi "Malet drejt tregut" financohet nga Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin e Agrikulturës (IFAD) me një shumë kredie prej 5.86 milionë SDR-sh dhe një grant 260 000 SDR-sh, nga qeveria shqiptare me një shumë prej 2 milionë dollarësh dhe përfituesit me një shumë 6 milionë dollarë. Agjencia zbatuese e programit është Agjencia e Zhvillimit të Zonave Malore (MADA).
Sipas zëvendësministrit të Bujqësisë, Alban Zuzi objektivi i programit është rritja e të ardhurave të ekonomive shtëpiake të varfra duke përmirësuar mundësitë e banorëve të këtyre zonave për të marrë pjesë e punësuar në rrjetet rurale konkurruese dhe tregtare të furnizimit nëpërmjet aksesit në tregje, ekspertizës teknike e financës, si rezultat edhe reduktimi i varfërisë në zonat rurale.
Sipas p/ligjit, fondet për punimet civile do të rriten 360,309 SDR. Fondet e reja do të përdoren për tri skema të reja infrastrukturore. Këto janë investime të qëndrueshme me një impakt afatgjatë në komunitet, prandaj për to ka pasur një numër të madh kërkesash nga komuniteti. Projektligji parashikn edhe rritjen me 6,928 SDR të kategorisë trajnime dhe seminare. Rritja e kategorive të punimeve civile dhe granteve për fermerët e bën të domosdoshme rritjen e këtij zëri, për shkak se njëri prej objektivave të programit është promovimi në panaire lokale dhe kombëtare i produkteve të prodhuara nga fermerët përfitues. Po ashtu p/ligji parashikon edhe zvogëlim me 90,432 SDR të kategorisë grante për kualifikime profesionale./ATSH/