Ish-anëtari i kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli e ka konsideruar programin e qeverisë 'Rama 3' si 'programin e ripërtypjes' ku përsëriten të njëjtat premtime që nuk janë mbajtur gjatë mandateve të tjera. Sipas Kadillit i gjithë programi është një faturë e madhe pagesash për shpenzime të padobishme për joshje elektorale dhe qoka për ortakët e Ramës.
"Asgjë e re nga programi i qeverisjes në mandatin e tretë. Gjithçka është ripërtypje e të njëjtit ushqim bajat. Asgjë të mirë nuk pret populli nga Ripërtypja e të njëjtave premtime të pambajtura që shiten si angazhime të reja. Qeverisja do të vazhdojë të sillet me ekonominë tonë si djali i llastuar që prish me kotësira paratë e babait. I gjithë programi është një faturë e madhe pagesash për shpenzime të padobishme. Ato që shiten si solidaritet janë para për joshje elektorale. Dhe investimet janë një listë qokash për ortakët e tij në biznes.
Njerëz, janë paratë tuaja. Nuk mund t’ia lëmë t'i shpërdorojë si të gjetura. Më e keqja është se na “kërcënon” që e ka këtë programim tonin në Ripërtypje për gjatë. Ripërtypje është sot ajo që u paketua si Rilindje dje", shkruan Kadilli.
Mazhoranca ka publikuar programin që do të qeverisë vendin për 4 vitet në vijim duke e cilësuar atë si mandatin ngjitjen e vendit më lart në shkallën e zhvillimit. PS shpalos 5 shtyllat kryesore të programit që janë: 1. Rimëkëmbje e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia; 2. Mirëqenie për të gjithë, që do të përkthehet në një ekonomi të zhvilluar që krijon shanse për të gjithë. 3. Modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë, bujqësisë, ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve; 4. Familja si themeli ku ndërtojmë të ardhmen; 5. Shqipëri e fortë, me shtet të fortë, vëmendje për çdo Shqiptar dhe me dinjitet në botë.