TIRANË - Ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin i ka dorëzuar sot Presidentit Bujar Nishani Progres-Raportin e KE. Ky i fundit vlerësoi dokumentin, duke theksuar rëndësinë e reformave dhe përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Europian, në funksion të afrimit të vendit me Bashkimin Europian.

Gjatë prezantimit Vlahutin vlerësoi ndihmën e autoriteteve shqiptare në hartimin e këtij Raporti, i cili ndërtohet mbi atë të qershorit, që çoi në marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, dhe mbi zhvillimet e mëtejshme deri në tetor 2014.

nishani
 
Ajo e cilësoi raportin si një mjet në duart e autoriteteve shqiptare, ku duhet të përqendrohet puna për zbatimin e reformave të nevojshme, sipas standardeve evropiane. Ambasadorja e BE-së theksoi se përtej arritjeve të deritanishme, pas marrjes së statusit kandidat, autoritetet vendore kanë përpara edhe më shumë përgjegjësi, dhe se është ende herët të flasim për hapjen e negociatave, pasi për këtë kërkohet një bazë të dhënash solide dhe bindëse.
 
Më tej  Vlahutin inkurajoi që të vijojë puna për përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara nga BE-ja, duke theksuar veçanërisht shtetin ligjor, qeverisjen ekonomike dhe reformën në administratën publike. Duke u ndalur tek shteti ligjor, ajo veçoi si sfida luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformën në drejtësi. Ambasadorja Vlahutin vlerësoi angazhimin personal të Presidentit të Republikës për ndërmarrjen e nismës për të mbledhur të gjithë aktorët në konferencën e reformës në drejtësi, duke siguruar për mbështetjen e plotë të Delegacionit të BE-së dhe të Komisionit Evropian për të ecur në këtë drejtim, sipas dy parimeve shumë të rëndësishme, gjithëpërfshirjes dhe konsensusit.
Kreu i Shtetit vuri në dukje se shqiptarët e kanë kuptuar më së miri se procesi i integrimit evropian është një proces që u përket atyre, dhe ku të gjithë aktorët duhet të përmbushin plotësisht përgjegjësitë përkatëse që kanë.
 
Presidenti Nishani vlerësoi se qasja e drejtpërdrejtë dhe e hapur si dhe çdo rekomandim i reflektuar nga Komisioni Evropian në këtë Raport janë një ndihmë shumë e madhe për Shqipërinë, në orientimin e paekuivok të prioriteteve, nga të cilat duhet të udhëhiqen reformat në vend.
 
Duke u ndalur në rëndësinë që ka vendosja dhe konsolidimi i shtetit ligjor në Shqipëri, Presidenti e siguroi Ambasadoren Vlahutin, se do të jetë aktivisht dhe përherë i angazhuar në të gjitha reformat që do të ndërmerren në këtë fushë, përfshirë edhe koordinimin e të gjithë aktorëve për finalizimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi.


Po ashtu, progresraporti i është dorëzuar edhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta. Kryeparlamentari u garantoi se Kuvendi i Shqipërisë do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për përmbushjen e reformave legjislative.

meta
  
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)