Komisionerja për zhvillim, Marta Kos teksa ka prezantuar sot përpara Komisionit të Jashtëm progres raportet e vendeve kandidatë për tu anëtarësuar në BE, ka përgëzuar rezultatet e Shqipërisë si dhe angazhimin e lartë politik që ka treguar me qëllim bërjen pjesë e familjes së BE-së.

Kryeministri Rama ka shpërndarë në llogarinë e tij zyrtare, një pjesë nga fjala e Marta Kos shoqëruar me mbishkrimin: Po, e bëmë! Dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për t'u ulur më në fund si të barabartë rreth tryezës së BE-së. Le të vazhdojmë, të ecim përpara, së bashku.

Marta Kos e cilësoi progresin e Shqipërisë në hapjen e grup-kapitujve si të paprecedentë gjithashtu dhe në zbatimin e reformave.

“Shqipëria ka bërë progres të paprecedentë që prej konferencës ndërqeveritare në tetor 2024. Katër grupkapitujt të tjerë janë hapur dhe në nëntor hapim grupkapitullin e fundit. Kjo është një njohje e angazhimit të qartë politik të Shqipërisë dhe e aspiratave të qartë të shoqërisë shqiptare, 91% e qytetarëve e duan anëtarësimin në BE. Shqipëria ka bërë progres në reformat mbi kapitujt themelorë dhe në fund të vitit do të ketë gati përfundimet e ndërmjetme”, tha Marta Kos.

Gjatë konferencës për media, Marta Kos dhe presidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas dhanë përgjigje poitive përsa i përket mundësive të Shqipërisë për të arritur objektivat, mbylljen e grupkapitujve në vitin 2027 dhe integrimin në BE në vitin 2030.

Ndër të tjera, Komisionerja për Zhvillim, Marta Kos dha një lajm të mirë për Kosovën duke thënë se Be së shpejti mund të heqë masat ndëshkuese të vendosura që prej vitit 2023. Lidhur me Serbinë, Kos tha se raport progresi është kritik dhe se kontaktet janë të vazhdueshme me qeverinë për të përmirësuar situatën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:47
Raporti i KE për integrimin, Kallas: Zgjerimi, përparësi politike! Shqipëria ka bërë një përparim të paprecedentë

Presidentja e Komisioni Evropian, Kaja Kallas ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjatë konferencës për shtyp, Kallas thotë se Shqipëria ka bërë një progres të paprecedentë ndërsa shton se e shikon të mundur anëtarësimin e vendit tonë në BE deri në vitin 2030.

“Zgjerimi mbetet një përparësi politike, një investim gjeopolitik mbi të gjitha. Pushtimi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe zhvillimet politike e bëjnë mjaft të rëndësishëm procesin e zgjerimit. Shanset për ta zgjeruar BE-në nuk vijnë shpesh, këtë e dëgjuam në KE, ku u tha ‘o sot o kurrë!’.

Nuk do të ketë një rrugë të shkurtër pasi procesi i anëtarësimit është proces që bazohet në merita. Është një mundësi mjaft realiste të kemi disa vende të anëtare të reja brenda vitit 2030, Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi dhe Ukraina.

Më pas duhet të punojmë me vendet e tjera, Kosovën, Turqinë… Shqipëria ka një përparim të paprecedentë. Anëtarësimi i Ukrainës në BE do të jetë një garanci e fortë sigurie, por ndërkaq pavarësisht se është një vend në luftë duhen reforma të thella.

Zgjedhjet e mëparshme në Moldavi treguan një rritje po të fortë të dëshirës së qytetarëve të këtij vendi për anëtarësim. Është ngadalësuar procesi i zgjerimit në Kosovë dhe Serbi për shkak të konflikteve mes tyre”, tha Kallas.

Ora 15:41
Marta Kos: Së shpejti BE mund të heqë sanksionet për Kosovën! Raporti për Serbinë, kritik

Komisionerja për zhvillim, Marta Kos nga Brukseli ka deklaruar se Bashkimi Evropian mund të heqë së shpejti sanksionet e vendosura për Kosovës gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.

“Përsa i përket masave ndëshkuese ndaj Kosovës në progress-raport, ne besojmë se mund t’i heqim këto masa sa më shpejt të jetë e mundur, pasi dhe zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe normale”, tha Kos.

E pyetur për progres-raportin e Serbisë, Kos tha se ka kritika, por kontaktet janë të vazhdueshme me qeverinë dhe se pritet që t’i përmbahen angazhimeve.

“Sa i përket Serbisë, progres-raporti është kritik, sigurisht. Nga ana tjetër ne jemi në mënyrë konstante në komunikim me qeverinë, me presidentin Vuçiç.

Ata na kanë premtuar se do arrijnë t’i përmbahen angazhimeve. Ne po presim që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt. Ka qenë një vit i vështirë për Serbinë sepse ka patur një proces ku u krijua një qeveri e re. Ne duhet të pranojmë që duhet të ketë një ritëm tjetër, në zbatimin e rekomandimeve që kanë të bëjnë me ligjin e ri elektoral”, tha Kos.

Ora 15:27
Sa shanse ka Shqipëria të mbyllë grupkapitujt në 2027-ën? Marta Kos: Është e mundur, por ka shumë punë për t'u bërë

1762263287_martakos.jpg

Gjatë prezantimit të raport-progreseve të vendeve kandidate për në BE përpara Komisionit të Jashtëm të PE, Marta Kos, i është përgjigjur pozitivisht pyetjes nëse Shqipëria mundet të mbyllë grupkapitujt në vitin 2027.

Marta Kos shton se është shumë punë për tu bërë dhe se vendet kandidate kanë mbështetjen e mekanizmave evropianë për të përmbushur qëllimet e tyre.

“Procesi i integrimit për të mbyllur kapitujt deri në 2027 është e mundur. Këto janë ambicie të Shqipërisë. Ne nuk e ndajmë Be me vendet kandidate. Do të shohim çfarë do të bëjë qeveria dhe deri në 2027 është e mundur,, por ka akoma shumë punë për tu bërë. Mendoj se procesi negociues ka nevojë për 1 apo 2 vite për të parë deri në vitin 2027 për t’iu bashkuar Komisionit Evropian”, tha Marta Kos.

Ora 14:12
Marta Kos: Shqipëria progres të paprecedentë që prej 2024-s! Angazhim i lartë politik për anëtarësimin në BE

Komisionerja evropiane për zhvillim, Marta Kos, përpara Komisionit të Jashtëm, ka prezantuar progres raportet e vendeve kandidate dhe ka përgëzuar vendet e Ballkanit Perëndimor për progresin e bërë në rrugën e anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian si dhe për Shqipërinë.

Teksa mes vendeve me progres më të lartë përmend Shqipërisë, Moldavinë dhe Ukrainën, Kos veçon Malin e Zi, si vendi më i përgatitur në Ballkan për procesin e zgjerimit.

Ndër të tjera, komisionerja ka renditur dhe rezultatet e Shqipërisë duke vënë në dukje ritmin e shpejtë të hapjes së grup-kapitujve si dhe progresin në reforma.

“Ne evropianët sot duhet të bëjmë më shumë që të marrim në kontroll kontinentin tonë, të zhvillojmë vlerat tona dhe të mbrojmë sigurinë tonë. Kjo mund të jetë e suksesshme vetëm duke punuar dorë për dore me fqinjët tanë, sidomos vendet kandidate. Vetëm kur të bëjmë të plotë unifikimin e Evropës mund të sigurojmë paqe dhe prosperitet.

Viti 2025 ishte një vit i mirë me vendet kandidate. Progres shumë domethënës janë bërë nga vende si Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Kjo tregon se reformat gjithmonë të shpërblejnë.

Ne kemi implementuar një integrim gradual me vendet e Ballkanit Perëndimor, me investime dhe ndarje vlerash dhe një rol më të madh përpara se ata të plotësojnë të gjitha kriteret. SEPA dhe Roaming janë disa prej fushave ku disa vende janë bërë anëtare.

Zgjerimi i suksesshëm është mundësi realiste për vitet në vijim. Mali i Zi kërkon të përfundojë negociatat në fund të 2026-s dhe Shqipëria synon në fund të vitit 2027. Moldavia dhe Ukraina në vitin 2028. Për mua ambiciet janë më të rëndësishme se vitet apo datat dhe Komisioni i mbështet këto ambicie. Këto 4 kandidatë për vitin që po lëmë pas i kanë justifikuar ato ambicie me arritje dhe aksione konkrete.

Mali i Zi më i avancuari, dhe më i përgatituri drejt zgjerimit.

Shqipëria ka bërë progres të paprecedentë që prej konferencës ndërqeveritare në tetor 2024. Katër grupkapitujt të tjerë janë hapur dhe në nëntor hapim grupkapitullin e fundit. Kjo është një njohje e angazhimit të qartë politik të Shqipërisë dhe e aspiratave të qartë të shoqërisë shqiptare, 91% e qytetarëve e duan anëtarësimin në BE. Shqipëria ka bërë progres në reformat mbi kapitujt themelorë dhe në fund të vitit do të ketë gati përfundimet e ndërmjetme”, tha Marta Kos.