Për Bashkimin Evropian, zgjerimi është një objektiv realist i viteve të ardhshme për disa vende kandidate, mes të cilave dhe Shqipëria e cila ka bërë një progres të paprecedentë. Kështu ka deklaruar Marta Kos, Komisionerja për Zgjerim në Komisionin për Punë të Jashtme, ku prezantua progres-raporti për Shqipërinë.

“Viti 2025 ishte një vit i mirë me vendet kandidate. Progres shumë domethënës janë bërë nga vende si Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Kjo tregon se reformat gjithmonë të shpërblejnë. Zgjerimi i suksesshëm është mundësi realiste për vitet në vijim. Mali i Zi kërkon të përfundojë negociatat në fund të 2026-s dhe Shqipëria synon në fund të vitit 2027. Me Këto 4 kandidatë për vitin që po lëmë pas i kanë justifikuar ato ambicie me arritje dhe aksione konkrete”, tha Marta Kos.

Në raport, thuhet se Shqipëria ka ruajtur angazhimin e fortë politik ndaj objektivit strategjik të integrimit edhe përafrimin e plotë me politikën e jashtme dhe sigurisë me Unionin. Ky qëndrim i Shqipërisë, thotë BE, një sinjal të fortë si partner i besueshëm. 

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 evidenton një klimë të tensionuar politike, ndërsa sjell në vëmendje edhe mungesën e barazisë së subjekteve zgjedhore në parlamentaret e 2025-ës.

“Parlamenti funksionon vetëm pjesërisht në mënyrë efektive, për shkak të polarizimit politik dhe mungesës së dialogut të sinqertë ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Kjo situatë ka kufizuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit ndaj ekzekutivit. Emërimet politike në poste të pavarura apo institucione kushtetuese mbeten problem serioz”, thuhet në raport.

Vëzhguesit e OSBE/ODIHR vlerësuan se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të administruara profesionalisht, por evidentuan mungesë të kushteve të barabarta dhe abuzim me burimet publike.

Përparime, raporti evidenton të ketë në luftën kundër korrupsionit me vlerësime për punën e SPAK, e po ashtu funksionimin e gjyqësorit, të cilin e cilëson në nivel të mirë përgatitje, nga mesatarisht I përgatitur në raportin e një viti më parë.

“Shqipëria ka një nivel përgatitjeje ndërmjet mesatar dhe të mirë dhe ka bërë disa përparime në funksionimin e sistemit gjyqësor. SPAK ka forcuar më tej rezultatet e saj pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe ka bërë përparime të dukshme drejt krijimit të një rekordi të qëndrueshëm në këtë fushë. Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm, duke ndikuar si në sferën publike ashtu edhe në atë private”, thuhet në raportin e SPAK.

Me nota pozitive vlerësohet edhe ekonomia.Prokurimet publike vijojnë të mbeten një temë e nxehtë ku Shqipëria vijon të vlerësohet si mesatarisht e përgatitur dhe me përparim të kufizuar, ndërsa me shqetësim shihen ndryshimet në këtë ligj.

“Ekonomia ruajti një vrull të fortë rritjeje në vitin 2024 falë kërkesës së fortë të brendshme dhe turizmit. Inflacioni ra nën objektivin e bankës qendrore, ndërsa konsolidimi fiskal u përshpejtua dhe raporti i borxhit publik vazhdoi të binte. Pavarësisht rritjeve, të ardhurat qeveritare si pjesë e PBB-së mbeten të ulëta, ndërsa shpenzimet për investimet publike janë vazhdimisht të nën-ekzekutuara”, thuhet në raport.

Sa i përket demokracisë dhe reformimit zgjedhor, raporti i vlerëson zgjedhjet e 11 majit si konkurruese dhe të organizuara profesionalisht, por thekson se ka pasur mangësi, përfshirë mungesën e kushteve të barabarta dhe abuzimin me burimet publike, duke shtuar se është e nevojshme një reformë e plotë zgjedhore për të adresuar rekomandimet e e pazbatuara të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Po ashtu polarizimi politik dhe mungesa e dialogut të sinqertë politik vazhdojnë të pengojnë punën e Parlamentit, thuhet në raport.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:27
Progresraporti i BE konfirmon lajmin e Report Tv: Shqipëria nuk është ende gati për zhbllokimin e IPARD 3

1756822132_bujqesia.jpg

Shqipëria nuk është ende gati për zhbllokimin e IPARD 3. Raportprogresi i KE konfirmon lajmin të raportuar ekskluzivisht nga Report Tv se eurot e IPARD III do të zhbllokohen kur të garantohet mbrojtja e tyre.

“Në lidhje me zhvillimin rural, është e nevojshme të rritet kapaciteti dhe mbikëqyrja për të nisur dorëzimin dhe zbatimin efikas të IPARD III, në përputhje të plotë me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar. Gjatë periudhës së raportimit nuk është bërë përparim në përputhjen e legjislacionit mbi politikën e cilësisë me acquis-in e BE-së”, thuhet në raport.

Ora 13:48
Raportprogresi/ KE vlerëson politikën e jashtme të Shqipërisë: Ka qenë në përputhje me atë të BE-së

Raportprogresi i Komisionit Europian vlerëson politikën e jashtme të ndjekur nga Shqipëria. Në raport, thuhet se vendi “ka vijuar të bëjë përparim të qëndrueshëm, duke ruajtur përputhshmëri të plotë me deklaratat e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe me vendimet përkatëse të Këshillit, përfshirë masat kufizuese (sanksionet) të miratuara nga BE.

“Në dhjetor 2024, u nënshkrua Partneriteti i Sigurisë dhe Mbrojtjes BE–Shqipëri, një hap i rëndësishëm që thellon bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe politikës së sigurisë. Gjithashtu, Shqipëria ka rritur pjesëmarrjen e saj në misionet dhe operacionet e menaxhimit të krizave në kuadër të politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes (CSDP) të BE-së”, thuhet në raport.

Pjesë nga raporti

Shqipëria ka një nivel të mirë përgatitjeje në fushën e marrëdhënieve të jashtme. Gjatë periudhës raportuese është bërë disa përparim, veçanërisht me miratimin dhe zbatimin e protokolleve të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe përmes përpjekjeve për zhvillimin e sistemit të kontrollit të eksporteve.

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të:

vazhdojë zbatimin e Protokollit Shtesë 5 të CEFTA-s mbi lehtësimin e tregtisë, Protokollit Shtesë 6 mbi tregtinë e shërbimeve, dhe Protokollit Shtesë 7 mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, si dhe të zbatojë masat e planit të ri të veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025–2028;

përafrojë legjislacionin kombëtar për kontrollin e investimeve të huaja me Rregulloren e BE-së për Filtrimin e Investimeve të Huaja Direkte (FDI Screening Regulation) dhe të sigurojë përputhje të plotë të ligjeve të brendshme me Rregulloren e BE-së për mallrat me përdorim të dyfishtë (dual-use goods);

krijojë kuadrin ligjor për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe politikën e zhvillimit dhe ndihmës humanitare, në përputhje me politikat dhe parimet e BE-së.

Ora 13:30
BE: Rritje e presioneve politike ndaj drejtësisë, të adresohet infrastruktura! S'ka përparim në sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve

1759664347_gjykataetiranes.jpg

Në progres raportin për Shqipërinë, BE e vlerëson pavarësinë dhe paanashmërinë e gjyqësorit në Shqipëri me nota të kënaqshme, sidomos në gjykatat e nivelit të lartë dhe të shkallës së parë, por shpreh shqetësim për ndërhyrjet dhe presionet e shtuara politike ndaj drejtësisë. 

Sipas raportit, është vërejtur një rritje e përpjekjeve nga zyrtarë publikë dhe politikanë për të ndikuar në sistem, veçanërisht ndaj SPAK dhe ILD. Në raport adresohet gjithashtu edhe procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, ku të BKH-së. Për këtë të fundit, KE thotë se megjithëse procesi ka qenë i hapur dhe konkurrues, është shoqëruar me vonesa, ndaj kërkon nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë që të miratojë rregulla më të qarta për raste të ardhshme.

"Pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit është e kënaqshme në gjykatat e nivelit më të lartë dhe në gjykatat e shkallës së parë. Ndërsa qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar, përpjekjet nga zyrtarët publikë ose politikanët për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të panevojshëm janë rritur dhe ngrenë shqetësime serioze, veçanërisht reagimet dhe përpjekjet e papara publike për të ushtruar presion nga degët ekzekutive dhe legjislative kundër Strukturës së Specializuar Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Shtatë magjistratë u vunë nën mbrojtje. Institucionet vetëqeverisëse ishin të zëshme në denoncimin e presionit politik mbi gjyqësorin, duke lëshuar deklarata publike.", thuhet në raport. 

Një tjetër element që duhet adresuar, thuhet në raport, është edhe infrastruktura në gjykata, që mbetet e dobët. Ketu përmendet edhe vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, që nënvizoi nevojën për masa për të garantuar sigurinë e magjistratëve. 

"Ndërsa Qeveria i ka ndarë ambientet e nevojshme Gjykatës së Apelit, cilësia e infrastrukturës së gjykatës mbetet përgjithësisht e dobët. Kjo ka çuar në mbipopullim dhe praktikën e vazhdueshme të errët të seancave dëgjimore që zhvillohen në dhomat e gjyqtarëve. Nuk është bërë përparim në sigurimin e standardeve të mjaftueshme të sigurisë për gjyqtarët dhe prokurorët. Vrasja fatale e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës gjatë një seance gjyqësore ka theksuar më tej shqetësimet në lidhje me pamjaftueshmërinë e infrastrukturës së gjykatës, si dhe sulmet personale të dëmshme të drejtuara ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nënvizoi nevojën për masa për të garantuar sigurinë e magjistratëve. Në nivelin SPAK, ekziston mundësia për transparencë dhe verifikueshmëri edhe më të madhe të marrjes në pyetje, veçanërisht përmes dhomave të reja të marrjes në pyetje.", thuhet më tej në raport. 

Po ashtu, në raport thuhet se efikasiteti i sistemit të drejtësisë është i kufizuar. Kjo vjen si pasojë e kohëzgjatjes së procedurave, ngarkesës së çështjeve të prapambetura. Sipas KE, duhet të bëhen përpjekje më të bazhdueshme për të përmirësuar sistemin e dixhitalizuar në drejtësi.

Ora 13:28
Mjedisi, kapitulli më i vështirë i negociatave/ BE: Të merren masa për të luftuar krimin mjedisor

1762259390_90001910cfdd5c83775cfd90bfb2450de6fe.jpg

Në progres raport vihet theksi edhe te mjedisi, kapitulli më i vështirë për Shqipërinë lidhur me negociatat drejt BE-së. Unioni thotë se rekomandimet në këtë fushë janë zbatuar në masë të kufizuar. Theksohet se duhet të miratohet ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, të merren masa të menjëhershme për të luftuar krimin mjedisor si dhe të forcohet zbatimi i politikave dhe zbatimin e ligjit për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit, veçanërisht në zonat e mbrojtura. 

Pjesë nga raporti: 

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan në një masë të kufizuar dhe mbeten të vlefshme. Vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet, në veçanti:

- të arrijë harmonizimin, zbatimin dhe zbatimin e plotë të Direktivave për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) dhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor (VSM) dhe të sigurojë që të gjitha investimet në infrastrukturë të jenë në përputhje me acquis-in e BE-së për mjedisin dhe klimën dhe detyrimet kombëtare dhe ndërkombëtare për natyrën dhe ujin, dhe të sigurojë pjesëmarrjen e publikut;

- të marrë masa të menjëhershme për të luftuar krimin mjedisor dhe për të arritur harmonizimin e plotë me Direktivën e Krimit Mjedisor dhe Direktivën e Përgjegjësisë Mjedisore, dhe të forcojë zbatimin e politikave dhe zbatimin e ligjit për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit, veçanërisht në zonat e mbrojtura;

- të përditësojë dhe zbatojë Planin Kombëtar të Përshtatjes, të përshpejtojë miratimin e NECP-së së përditësuar 2021-2030, të harmonizohet me acquis-in e Monitorimit, Raportimit, Verifikimit dhe Akreditimit (MRVA) me qëllim futjen e çmimit të karbonit dhe harmonizimin me Sistemin e Tregtimit të Emetimeve të BE-së (ETS).

Ora 13:12
Progres raporti, BE: SPAK, rekord pozitiv në ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë! Të përmirësohet sistemi i rikuperimit të aseteve

1762187005_spak.jpg

Në progres raportin për vitin 2025, BE thotë se Shqipëria ka bërë përparim të mirë në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Raporti vlerëson rolin e SPAK në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, "duke përfshirë ato që përfshijnë politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë, si dhe çështjet që përfshijnë mbrojtjen e interesave financiare të Unionit."  Në raport theksohet se duhet të rritet numri i referimeve në SPAK nga autoritetet e tjera. Vëmendje kërkohet gjithashtu edhe për ngarkesën e punës. 

Por, pavarësisht kësaj, BE thotë se nevojitet përshpejtimi i përafrimit të legjislacionit të BE-së, të përmirësohet funksionimi i sistemit të rikuperimit të aseteve, të rrisë kapacitetet e zbatimit të ligjit etj.

"Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti:  të vazhdojë të forcojë historikun e saj të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në të gjitha fushat e krimit të rëndë dhe të organizuar, duke përfshirë trafikimin e drogës, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Shtetet Anëtare të BE-së dhe agjencitë e BE-së, dhe duke rritur kapacitetin për të penguar krimin e organizuar dhe duke siguruar përafrim të mëtejshëm me acquis të BE-së, veçanërisht në kriminalizimin e pastrimit të parave dhe luftimin e abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet dhe jashtë internetit; të përmirësojë efikasitetin e sistemit të rikuperimit të aseteve, duke forcuar funksionimin e zyrës së rikuperimit të aseteve përgjegjëse për identifikimin dhe gjurmimin e aseteve kriminale brenda policisë shtetërore të Shqipërisë, veçanërisht bashkëpunimin e saj operacional me zyrat e rikuperimit të aseteve në Shtetet Anëtare të BE-së, duke përmirësuar zbatimin e instrumenteve për konfiskimin e të ardhurave nga krimi dhe pronës së nxjerrë nga aktivitetet kriminale, dhe duke menaxhuar më mirë pronën e ngrirë dhe të konfiskuar edhe për ripërdorim social;  të përmirësojë kapacitetin e analizës kriminale dhe financiare, duke përfshirë përmes bashkëpunimit të përforcuar ndëragjencor dhe metodologjive për të trajtuar raste komplekse penale.", thuhet në raport.

Ora 13:00
Progresraporti 2025 i BE: Shqipëria mesatarisht e përgatitur në Reformën e Administratës Publike, duhet kontroll më i fortë financiar në buxhetim e punësim publik

1759771792_bashkimieuropian.JPG

Shqipëria mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e Reformës së Administratës Publike (RAP) – vlerëson Komisioni Evropian në progresraportin 2025. Gjatë vitit të kaluar, vendi ka shënuar disa përparime, veçanërisht me miratimin e Strategjisë së re Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030, Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027 dhe Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën e Administratës Publike 2025–2030.

KE rekomandon se në vitin në vijim Shqipëria duhet të nisë zbatimin e strategjisë së re të administratës publike dhe të miratojë dhe zbatojë një kuadër të ri ligjor për shërbimin civil. BE vëren se praktika e rishikimeve buxhetore përmes akteve normative vazhdon të jetë problematike. Komisioni thekson se parimi i meritës në rekrutime e promovime duhet zbatuar më mirë, se kuadri ligjor për institucionet vartëse duhet qartësuar, dhe kërkon një kontroll më të fortë financiar në proceset e buxhetimit dhe punësimit publik.

“Shqipëria mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e reformës së administratës publike (RAP). Gjatë periudhës raportuese është arritur disa përparim, me miratimin në dhjetor 2024 të Strategjisë së re Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit (ISAC) 2024–2030 dhe të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027, si dhe me miratimin në korrik 2025 të Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën e Administratës Publike 2025–2030.

Megjithatë, ndryshimet në ligjin për shërbimin civil dhe ligjin për organizimin e administratës shtetërore ende nuk janë miratuar, ndonëse ky i fundit është paraqitur për konsultim publik.

Praktika e rishikimeve buxhetore përmes akteve normative të miratuara nga ekzekutivi vijon ende, duke devijuar nga procesi i zakonshëm i rishikimit të buxhetit. Nga ana tjetër, është ruajtur një drejtim i qartë politik për agjendën e reformës në administratën publike nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.

Në vitin në vijim, Shqipëria duhet në mënyrë të veçantë të:

nisë zbatimin e strategjisë së re të administratës publike dhe të rishikojë efektivitetin e strukturave aktuale të monitorimit; të kufizojë përdorimin e akteve normative për rishikimet buxhetore dhe të kthehet te proceset e rregullta të rishikimit të buxhetit;

miratojë dhe zbatojë një kuadër të ri ligjor për shërbimin civil, që të përfshijë rregulla të rishikuara për rekrutimin, promovimin dhe largimin bazuar në meritë, në të gjitha nivelet, veçanërisht në nivelin e lartë drejtues, si dhe të rinisë automatizimin e sistemit të pagave;

miratojë dhe zbatojë legjislacion të rishikuar që rregullon si duhet tipologjinë dhe kriteret për krijimin e institucioneve vartëse dhe qartëson linjat e përgjegjësisë ndërmjet tyre dhe institucioneve mëmë", thuhet në progresraport. 

Ora 12:54
Progres raporti/ BE: Zgjedhjet e 11 majit konkurruese por kishte mangësi, të adresohet Reforma Zgjedhore! Parlamenti pjesërisht efektiv, klimë e polarizuar politike

1762257358_ZgjedhjetneShqiperifotoFacebookEdiRama.jpg

Në progres raportin e Shqipërisë për vitin 2025, të publikuar nga BE, theksohet se zgjedhjet ishin konkurrese por u evidentuan mangësi, duke përfshirë mungesën e një fushe loje të barabartë dhe abuzimin me burimet publike. E nevojshme, thotë Unioni, është që të bëhet një Reformë gjithpërfshirëse zgjedhore dhe të adresohen sa më shpejt rekomandimet nga OSBE/ODIHR. Siç theksohet në raport, mungesa e dialogut politik dhe përplasjet mes partive ndikuajn në aktivitetin e parlamentit. 

"Përfundimet paraprake të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) / Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) vunë re se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të zhvilluara profesionalisht, por identifikuan disa mangësi, duke përfshirë mungesën e një fushe loje të barabartë dhe abuzimin me burimet publike. Reforma e pjesshme zgjedhore ndryshoi Kodin Zgjedhor, por nuk arriti të adresonte një numër rekomandimesh të hershme nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venedikut. Nevojitet një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore. Parlamenti mund të ushtrojë pushtetet e tij në një mënyrë pjesërisht efektive. Polarizimi politik, mungesa e dialogut të vërtetë politik dhe përplasjet midis shumicës në pushtet dhe pjesëve të opozitës vazhduan të ndikonin në aktivitetin e Parlamentit, ndërsa proceset e konsultimit publik mbetën të kufizuara. Parlamenti pengohet gjithashtu nga mbikëqyrja e kufizuar mbi ekzekutivin, ndërsa politizimi i emërimeve parlamentare në pozicione të larta në organet kushtetuese ose institucionet e pavarura të krijuara me ligj mbetet një problem serioz. U vunë re shqetësime në lidhje me punën, metodologjinë dhe ndikimin e komisionit parlamentar ad hoc për thellimin e reformave për qeverisje të mirë, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin. Pas zgjedhjeve të 11 majit, numri i komisioneve të përhershme u rrit nga tetë në njëmbëdhjetë, nga të cilat katër kryesohen nga opozita.", thuhet në raport.

Po ashtu, BE kërkon që "procesi i integrimit në BE duhet të jetë më gjithëpërfshirës, ​​ndërpartiak dhe i mbështetur nga mekanizma efektivë konsultimi

"Organet e Shqipërisë përgjegjëse për procesin e integrimit në BE janë në vend. Ato koordinuan me sukses qëndrimet kombëtare, duke çuar në hapjen e negociatave për pesë nga gjashtë grupet gjatë periudhës së raportimit. Ekspertiza e integrimit në BE, planifikimi dhe mekanizmat ndërinstitucionalë do të duhet të forcohen më tej për të mbështetur ambicien e Shqipërisë për të përshpejtuar reformat e kërkuara nga procesi i pranimit në BE. Procesi i integrimit në BE duhet të jetë më gjithëpërfshirës, ​​ndërpartiak dhe i mbështetur nga mekanizma efektivë konsultimi. Përpjekjet e komunikimit mbi integrimin në BE duhet të intensifikohen. Organizatat e shoqërisë civile (OSHC-të) veprojnë në një mjedis pjesërisht lehtësues. Ata përballen me sfida në lidhje me kërkesat e regjistrimit dhe financimin e kufizuar publik, së bashku me një rritje të narrativave negative dhe fushatave të shpifjes në internet.", thuhet më tej.