Shqipëria mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e Reformës së Administratës Publike (RAP) – vlerëson Komisioni Evropian në progresraportin 2025. Gjatë vitit të kaluar, vendi ka shënuar disa përparime, veçanërisht me miratimin e Strategjisë së re Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030, Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027 dhe Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën e Administratës Publike 2025–2030.
KE rekomandon se në vitin në vijim Shqipëria duhet të nisë zbatimin e strategjisë së re të administratës publike dhe të miratojë dhe zbatojë një kuadër të ri ligjor për shërbimin civil. BE vëren se praktika e rishikimeve buxhetore përmes akteve normative vazhdon të jetë problematike. Komisioni thekson se parimi i meritës në rekrutime e promovime duhet zbatuar më mirë, se kuadri ligjor për institucionet vartëse duhet qartësuar, dhe kërkon një kontroll më të fortë financiar në proceset e buxhetimit dhe punësimit publik.
“Shqipëria mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e reformës së administratës publike (RAP). Gjatë periudhës raportuese është arritur disa përparim, me miratimin në dhjetor 2024 të Strategjisë së re Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit (ISAC) 2024–2030 dhe të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027, si dhe me miratimin në korrik 2025 të Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën e Administratës Publike 2025–2030.
Megjithatë, ndryshimet në ligjin për shërbimin civil dhe ligjin për organizimin e administratës shtetërore ende nuk janë miratuar, ndonëse ky i fundit është paraqitur për konsultim publik.
Praktika e rishikimeve buxhetore përmes akteve normative të miratuara nga ekzekutivi vijon ende, duke devijuar nga procesi i zakonshëm i rishikimit të buxhetit. Nga ana tjetër, është ruajtur një drejtim i qartë politik për agjendën e reformës në administratën publike nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.
Në vitin në vijim, Shqipëria duhet në mënyrë të veçantë të:
nisë zbatimin e strategjisë së re të administratës publike dhe të rishikojë efektivitetin e strukturave aktuale të monitorimit; të kufizojë përdorimin e akteve normative për rishikimet buxhetore dhe të kthehet te proceset e rregullta të rishikimit të buxhetit;
miratojë dhe zbatojë një kuadër të ri ligjor për shërbimin civil, që të përfshijë rregulla të rishikuara për rekrutimin, promovimin dhe largimin bazuar në meritë, në të gjitha nivelet, veçanërisht në nivelin e lartë drejtues, si dhe të rinisë automatizimin e sistemit të pagave;
miratojë dhe zbatojë legjislacion të rishikuar që rregullon si duhet tipologjinë dhe kriteret për krijimin e institucioneve vartëse dhe qartëson linjat e përgjegjësisë ndërmjet tyre dhe institucioneve mëmë", thuhet në progresraport.
Lajmi kryesor:
Progresraporti/ BE vlerëson Shqipërinë: Moment pozitiv me negociatat! Rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit! Klimë e polarizuar politike










