/ATSH/.- Komuna e Istogut ka përfituar një projekt kapital nga Komisioni Evropian në vlerë prej rreth 500.000 euro, në kuadër të thirrjes nga programi EURED për zhvillimin ekonomik.
Sipas KosovaPress, projekti që ka për qëllim zhvillimin dhe promovimin e potencialit turistik të komunës së Istogut dhe zhvillimin e infrastrukturës së biznesit pranë potencialeve ekzistuese në komunë, është hartuar nga organizata "Syri i Vizionit" nga Peja, kurse vetë komuna financon 20 % të shumës së përgjithshme.

"Mbështetje për agro-turizëm dhe infrastrukturë për të ngritur dhe promovuar potencialet e biznesit zhvillimor ekonomik si dhe për të gjeneruar rritje të punësimit të qëndrueshëm dhe të ardhme më të mirë", është titulli i projektit, i cili synon përmirësimin e ambientit dhe infrastrukturës që lidhen me zhvillimin e biznesit në agro-kulturë dhe zhvillim ekonomik.
Zbatimi i projektit ka filluar gjatë muajit dhjetor dhe do të zgjasë 18 muaj.

Projekti në fjalë ka për qëllim edhe promovimin dhe ngritjen e kapaciteteve të operatorëve në fushën e biznesit privat, duke siguruar edhe grante direkte. Komuna e Istogut me organizatën "Syri i Vizionit" ka bashkëpunuar edhe në projekte të tjera, ndërsa në këtë projekt komuna është bashkëaplikuese, thuhet në komunikatën e komunës së Istogut.