Projektbuxheti 2013, Kushtetuesja
e Prokuroria kërkojnë fonde ekstra

Projektbuxheti 2013, Kushtetuesja <br />e Prokuroria kërkojnë fonde ekstra
TIRANE - Në komisionet kuvendore nisën sot seancat dëgjimore me institucionet lidhur me projektbuxhetin që qeveria pritet t'i akordojë për vitin 2013.

Në Komisionin e Ekonomisë opozita doli sërish kundër deklaratave të mazhorancës lidhur me pretendimet e saj se është një nga buxhetet më të mëdhenj. Sipas deputetëve socialist ky projekt është jorealist dhe i pasigurt.

Ndërkaq debate pati edhe në Komisionin e Sigurisë, në të cilin u miratua në parim pr/buxheti 2013 i Ministrisë së Brendshme.

Nga ana tjetër, Komisioni i Ligjeve shqyrtoi buxhetin e institucioneve të Drejtësisë. Parlamentarët nuk pranuan një kërkesë të Prokurorisë për një fond shtesë prej 75 milionë lekësh që i nevojiten asaj për një projekt që lidh në rrjet të gjitha prokuroritë e vendit

GJYKATAVE, KUSHTETUTES, PROKURORISE NUK I JAPIN PARATE E KERKUARA
Në Komisionin e Ligjeve u shqyrtua buxheti i institucioneve të Drejtësisë. Parlamentarët nuk pranuan një kërkesë të Prokurorisë për një fond shtesë prej 75 milionë lekësh që i nevojiten asaj për një projekt që lidh në rrjet të gjitha prokuroritë e vendit. Komisioni vendosi që për vitin e ardhshëm, për këtë projekt, të jepen vetëm 30 milionë lekë. Gjithashtu e pakënaqur ka qenë Gjykata Kushtetuese, e cila kërkoi 16 milionë lekë shtesë. Komisioni pranoi të shtojë fondin me vetëm 4.3 milionë lekë. Kryetari Rusmajli refuzoi kërkesën për blerjen e një gjeneratori si dhe pjesën e fondeve të kërkuara për bibliotekën e gjykatës. Rusmajli ftoi gjyqtarët e organit më të lartë të drejtësisë që nevojën për dituri ta plotësojnë në forma alternative përmes Internetit.
Ndërsa gjykatave te tjera, në vend të 130 milionë lekëve të kërkuara, iu dhanë 110 milionë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e KLD-së që ishin ftuar në Komision thanë se ishin të kënaqur me fondet e caktuara nga ministria e Financave

DEBATE NE KOMISIONIN E EKONOMISE, PS: JOREALIST
Opozita del serish kundër deklaratave të mazhorancës në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2013, ku mazhoranca pretendon se është një nga buxhetet më të mëdhenj. Sipas deputetëve të opozitës në Komisionin e Ekonomisë, buxheti i vitit 2013, përveçse konfirmon krizën është jorealist dhe i pasigurt. Deputeti socialist Arben Ahmetaj theksoi se ky projekt bazohet tek dështimi sipas tij, prej 8 vitesh i kësaj qeverie.

“Megjithëse borxhi është mbi 62-63 %, ndërkohë që shpenzimet kapitale janë ndër më të ulëtat në 8 vite, përsëri keni dhe rritjen ekonomike më të ulët në 10 vite, që do të thotë se ky buxhet ka vetëm një emër, është kapaku i dështimi 8 vjeçar të kësaj qeverie”, - u shpreh Ahmetaj. Deputeti Ahmetaj u ndal edhe tek borxhet e kompanisë çeke energjetike CEZ-Shpërndarje që operon në Shqipëri.

“Qeveria vjen dhe thotë që KESH-i ka marrë funksion me CEZ. Rrëzon një kompani, se një kompani tjetër e huaj, një privatizimi medemek i shkëlqyer ka dështuar dhe kemi pasiguri totale te shpenzimet. Ky buxhet, në rastin më të mirë të vet është i pasigurt”, tha deputeti socialist.

Nga ana e tij kreu i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho doli kundër deklaratave të kryeministrit Berisha, i cili është shprehur se në vitin 2013 do të ndërtohen shkolla, çerdhe, rrugë të reja. Spaho deklaroi se me buxhetin e vitit 2013 nuk do të ketë investime të mëdha, por do të ketë rritje të rrogave dhe pensioneve. “Nuk do të hapen investime për rrugë rurale, nuk do të hapen investime për shkolla, për çerdhe, për kopshte, për sistemet e ujërave të zeza”, theksoi Spaho.

Edhe në këtë mbledhje të Komisionit nuk munguan debatet mes deputetit socialist Arben Malaj dhe kreut të Komisionit Edmond Spaho në lidhje me ndërtimin e Bypasit të Vlorës.

KOMISIONI I SIGURISE, PS: SHKB TRAJTIM TE VECANTE
Në Komisionin e Sigurisë Kombëtare u miratua në parim pr/buxheti i Ministrisë së Brendshme për vitin 2013. Zv/ministri Ristani tha se është i mjaftueshëm për nevojat e këtij dikasteri, por deputeti socialist Ilir Gjoni e cilësoi pr/buxhetin si tallës, duke akuzuar se parlamentarëve nuk u është dhënë koha e mjaftueshme që ta shqyrtonin atë.

Deputeti Gazmir Bizhga tha se SHKB-së i rezervohet një trajtim i veçantë në krahasim me shërbimet e tjera të inteligjencës, pasi për vetëm 90 punonjës ajo merr një fond prej 140 milionë lekësh.

Në Komisionin e Arsimit u diskutua pr/buxheti për arsimin. Sipas të dhënave pritet që 2.7 % e GDP-së parashikohet ti jepet arsimit. 

Sipas ministrit të Arsimit Myqerem Tafaj të dhënat e parashikuara në buxhetin e shtetit për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës "arrijnë në shumën e mbi 38 miliardë lekëve për të gjitha zërat e shpenzimeve operative dhe kapitale".

Sipas deputetëve të opozitës ky është buxheti më i ulët nga viti 1997 dhe nuk i përafrohet aspak premtimeve te Qeverisë Berisha për ta çuar në 5 për qind.

Sipas deputetes socialiste Ledi Shamku ky buxhet është 2,73 për qind. "Ato historitë që tregoni vit për vit për dy mandat radhas që arsimi është prioritet dhe që e doni në 5, 6 madje 7 për qind. Kjo shifër nuk ka qenë ndonjëherë që nga 1997"- tha Shamku. 

(kz/im/Gre.M/sg/ Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?