Mbi 100 milionë euro parashikohet të jetë fatura financiare për pagesat e shtatë kontratave koncesionare dhe të partneritetit publik-privat (PPP) gjatë vitit 2027. Sipas të dhënave të projektbuxhetit, pagesat e planifikuara për këto kontrata arrijnë në rreth 10 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me vitin 2026, ato parashikohen të ulen me rreth 2 miliardë lekë, pasi mbyllen 3 kontratat e koncesionit në shëndetësisë, shërbime që tashmë do të ofrohen nga shteti.
Mes kontratave me peshën më të madhe financiare renditet Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës së Arbrit, për të cilën parashikohen pagesa në vlerën 3.36 miliardë lekë. Ndjekur nga kontrata e “Ofrimit të shërbimeve laboratorike spitalore”, me rreth 2.2 miliardë lekë pagesa të planifikuara. Për shërbimin e skanimit në dogana janë parashikuar rreth 1.47 miliardë lekë, ndërsa për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës rreth 1 miliard lekë.
Kontratat që do të financohen
Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës se Arbrit 3,36 miliardë lekë
Subvencionimi i kontratës koncesionare për ndërtimin Milot – Morine, 590 milionë lekë
Ndërtimi dhe Operimi i Porti Jahteve Orikum - Dukat 767 milionë lekë
Shërbimi i Skanimit në Dogana 1,476,189 mijë lekë
Ofrimi i Shërbimeve laboratorike spitalore 2,2 miliardë lekë
Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë 655,4 milionë lekë
Ndërtimi i Landfillit, inceneratorit Tiranë 1 miliardë lekë
Ndërkohë tre koncesionet e shëndetësisë, ofrimi i shërbimit të dializës ne 5 spitale rajonale, kontrolli baze i popullsisë dhe sterilizimi nuk përfitojnë më para nga buxheti i shtetit, pasi kontratat përfundojnë në muajin nëntor dhe shërbimet do të ofrohen nga vetë shteti.
Lajmi kryesor:
Pr/buxheti 2027 mbi 10 mld euro! Shëndetësia ‘pjesën e luanit’, rritje pagash për policinë e 12 mln euro bursa për studentët! Mbi 2.2 mld euro investimet publike (VIDEO)









