TIRANË- Buxheti i vitit 2023 për Ministrin e Mbrojtjes do të jetë 40.2 miliardë lekë, me një rritje prej 8 miliardë krahasuar me një vit më parë. Sërish, strategjia e Mbrojtjes do të përqendrohet tek përmirësimi i Forcave të Armatosura, por edhe investimi në teknologji, pjesë e tyre edhe dy satelitët që do të survejojnë territorin.
‘Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2023 në shifra nominale është 40 miliardë e 256 milionë lekë. Përbëhet nga shtatë programe buxhetore, forca e luftimit, mbështetja e luftimit, arsimimi ushtarak, mbështetja sociale, mbështetja shëndetësore dhe emergjencat civile dhe rezervat e shtetit nga 13% në 10%.’- u shpreh Peleshi.
Dy helikopterë “Black Hawk” pritet të vijnë deri në vjeshtën e 2023-shit, por ambicia është për gjashtë në total deri në vitin 2025.
‘Ne kemi likuiduar pagesën për dy helikopterë “Black Hawk” që pritet të arrijnë në Shqipëri vitin që vjen, por ky buxhet është planifikuar për t’a shtuar flotën edhe me helikopterë të tjerë. Në duam në afatmesëm të shkojmë në gjashtë helikopterë “Black Hawk”.’- tha ministri.
Në Komisionin e Sigurisë ku u diskutua projektbuxheti, nuk munguan edhe debatet. Opozita akuzoi për korrupsion me ngritjen e helikopterëve për shuarjen e zjarreve, teksa iu referua raportit të KLSH, por Peleshi konsideroi se KLSH nuk është gjykatë.
‘Po ju pyes jeni në dijeni apo sepse i keni çuar sërish fonde agjencisë emergjencave civile, ndërsa KLSH thotë se shpenzimi i kryer me në vlerën e 36 mln lekë, nuk provohet me dokumentacionin. Ju jo vetëm që nuk ngrini dot në fluturim helikopterët që janë, por edhe këta që merren me qira apo pagesë për të shuar zjarret në verë, i ka kap KLSH që bëjnë sikur ngrihen helikopterë, por nuk ngrihet asgjë, shkojnë paratë kot.’- u shpreh deputeti i PD, Ervin Salianji.
‘Nuk mund të shpall fajtorë me një raport. Çdo raport i KLSH-së shoqërohet me detyrimin për të hartuar një plan veprimi në zbatim të rekomandimeve. Më pas çdo nëpunës, i cili preket apo gjendet në parregullsi, ka të drejtën të mbrohet. Nëse shpallet fajtor merren masa.’- iu përgjigj ministri.
Pjesë e buxhetit janë edhe rritja me 30% e pagave të të gjithë ushtarakeve. Projektbuxheti i vitit 2023 kaloi në parim në Komisionin e Sigurisë vetëm me votat e mazhorancës.