Qeveria Zviceriane dhe Këshilli i Evropës kanë shënuar një hap të ri në mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, me nisjen e dy projekteve të reja të bashkëfinancuara, që synojnë forcimin e institucioneve ligjzbatuese dhe rritjen e efektivitetit në rikuperimin dhe administrimin e aseteve.

Në qendër të kësaj nisme qëndron projekti “Forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit publik kundër korrupsionit” (RAC), i cili do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), me fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e praktikave të administrimit të aseteve dhe promovimin e ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara në dobi të komunitetit.

Përmes asistencës teknike, ekspertizës ndërkombëtare dhe shkëmbimit të praktikave më të mira evropiane, projekti RAC synon të rrisë efektivitetin e agjencive ligjzbatuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke forcuar njëkohësisht besimin e publikut dhe transparencën në menaxhimin e pasurive të konfiskuara.

Paralelisht, projekti “Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri” (CMLA) do të mbështesë autoritetet shqiptare në forcimin e kuadrit të parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT), përmes një qasjeje të bazuar në risk dhe udhëzimeve praktike për autoritetet publike dhe subjektet raportuese.

Gjatë aktivitetit të prezantimit, Drejtori i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës, Gianluca Esposito, theksoi se fokusi i reformave duhet të zhvendoset nga miratimi i ligjeve tek efektiviteti i zbatimit të tyre dhe rezultatet konkrete për qytetarët. Ndërsa Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, nënvizoi se një sistem efektiv kundër pastrimit të parave është thelbësor për mbrojtjen e ekonomisë, konkurrencën e ndershme dhe rrugën evropiane të Shqipërisë.

Në këtë kuadër, Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, vlerësoi rëndësinë e projekteve dhe mbështetjes së vazhdueshme për forcimin e rolit të agjencisë:

“Ky projekt përfaqëson një mbështetje shumë të rëndësishme për Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, jo vetëm në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknike, por edhe në konsolidimin e qasjes sonë ndaj ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara. Mbështetja me ekspertizë ndërkombëtare dhe praktika të avancuara do të na ndihmojë që këto pasuri të kthehen në vlerë të shtuar për shoqërinë, duke kontribuar drejtpërdrejt në interesin publik dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,”  u shpreh Xhaja.

Eventi mblodhi përfaqësues të lartë të institucioneve shqiptare, partnerëve ndërkombëtarë, shoqërisë civile dhe medias, duke shërbyer si një platformë dialogu mbi reformat anti-korrupsion, administrimin e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara, si dhe standardet në zhvillim në fushën AML/CFT, si dhe ndikimin e tyre në nivel kombëtar.