Rruga e hyrjes së Shkodrës do të jetë e përfunduar brenda 23 qershorit, tha ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, gjatë interpelancës me deputetët Kliti Hoti e Gjin Gjoni për projektet në Shkodër e Lezhë. Një tjetër projekt i rëndësishëm që do të përfundojë në dhjetor 2026, është ura e Bahçallëkut.

Sa për Milot-Balldrenin, Karakaçi tha se ka një vonesë dyjavore pasi është në fazën përmbyllëse të koncensionimit.

“Jemi në përputhje me kushtet e kontratës. Që nga maji është e aksesueshme në të dyja korsitë. Do të përfundojë brenda afatit, brenda datës 23 qershor do të jetë i përfunduar. Është shtuar një rrethrrotullim që u konsiderua i nevojshëm për komunikimin e banorëve dhe bizneseve në dy anët e rrugës. Jam i pakënaqur sepse humbet lëvizshmëria, por projektet rrugore lidhen edhe me ndërlidhjen e banorëve.

Brenda muajit nëntor-dhjetor të vitit 2026, ura e Bahçallëkut është e përfunduar. Lumi ka qenë në nivel të lartë dhe është e pamundur të punohet.

Sa i përket rrugës së Dukagjinit, punimet e parashikuara janë përfunduar dhe kolauduar gjatë 2025 në përputhje me afatet.

Ura e Matit, ka pasur ndërhyrhje në këmbët e urës që të mos kishim rrezik. Ajo urë është pjesë e projektit të Bankës Botërore për riasfaltimin në tërësi. Riveshja me asfalt e asaj ure besoj duhet të fillojë në muajin shtator.

Ura e Lezhës, është në vëmendje dhe grupet e terrenit janë në monitorim të vazhdueshëm.

Milot-Balldreni është projekt jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm. Ai aks është në kohën jashtë sezonit veror dhe është jashtë kapaciteteve. Fituesi duhet të kishte dalë brenda datës 20 maj, kërkoj shumë ndjesë sepse i ndiej ato dy javë të humbura. Projekti i Milot-Balldrenit është në fazë koncensionimi, është në fazën përmbyllëse”, tha Karakaçi.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- ‘Zvërneci’ në Kuvend/ Berisha sulmon protestën: Ka mjeranë anti-opozitë! Balla i kujton lidhjet me Artur Shehun: Ke shkuar në Vlorë me makinën e tij