Ligjvënësit e Shqipërisë mblidhen sot për seancë plenare. Në rendin e ditës janë parashikuar 6 interpelanca, dy prej të cilave janë kërkuar me kryeministrin Edi Rama nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike dhe të ato të ‘Mundësia’.

Opozita kërkon shpjegime nga kryeministri për lëvizjet demografike e emigracionin masiv të qytetarëve. Deputetët e partisë Mundësia kanë thirrur kryeministrin në interpelancë për ‘Paketën e Maleve’ me argumentin se kjo nismë e qeverisë, ka cenuar pronën private.

2 interpelanca të tjera i drejtohen ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi. Deputeti i PD Kliti Hoti kërkon shpjegime nga ministri për projektet e vonuara infrastrukturore në Shkodër ndërsa Gjin Gjoni për gjendjen e rrugëve në veri të vendit.

Në interpelancë është thirrur dhe ministri i Brendshëm Besfort Lamallari nga deputetë të PD për të diskutuar për imigracionin ilegal në vend dhe trafikun e qenieve njerëzore.

Interpelanca e fundit është për ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha, ndaj të cilit deputeti Erald Kapri kërkon transparencë për procesin e integrimit në BE, mbi planin e rritjes dhe axhendën e reformave.

Në rend dite janë përfshirë gjithashtu dhe 2 projektligje, njëri për ratifikimin e marrëveshjes Poloni-Shqipëri për sigurimet shoqërore dhe një tjetër për nënproduktet me origjinë shtazore.

Lajmi në përditësim...