TIRANË- Një projekt pilot për mësimin e gjuhës angleze për 15 të mitur në mbikqyrje të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës, Tiranë është prezantuar sot në Tiranë.
 Zbatimi i projektit do të zgjasë katër muaj.

Shërbimi i Provës e ka prezantuar në kuadër të forcimit të bashkëpunimit me institucionet shtetërore dhe organizatat jo- fitimprurëse, që operojnë në Republikën e Shqipërisë.
 
Për 15 të miturit e përfshirë në të, do të realizohen kurse mësimi të Gjuhës Angleze dhe mësimdhënia do të ofrohet nga mësuesja e trajnuar vullnetare, Elizabeth Goëing.
 
PEÇI: DREJTËSIA SHQIPTARE, JO TË MITURVE NË BURGJE
Gjatë prezantimit të këtij projekti në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Zv/Ministri Idlir Peçi theksoi se “drejtësia shqiptare përmes politikave të saj duhet të synojë që t’i thotë jo të miturve në burgje”.
 
“T’i themi jo të miturve në burgje! Ky slogan duhet të jetë udhëzuesi kryesor i punës sonë. Çdo studim lidhur me kriminologjinë, apo shkaqet që të çojnë drejt kriminologjisë  kanë si recetë kryesore largimin e të miturve nga qelitë e paraburgimit, burgut etj, pasi burgimi i tyre është receta më e mirë për t’i përfshirë edhe këta të mitur në vorbullën e zezë të krimit ”.
 
Sipas Peçit, Ministria e Drejtësisë nëpërmjet shërbimit të provës mbështet nismën e grupeve vullnetare, të cilët kërkojnë që mendjen e të miturve ta largojnë nga krimi dhe ta adresojnë drejt dijes.
 
“Përgëzoj shërbimin e provës që krijon gjithnjë ura bashkëpunimi me organizata të ndryshme, për të ofruar më të mirën për shtetasit që janë pjesë e shërbimit të provës. Përgëzojmë këtë nismë e cila është ideuar nga një grup vullnetarësh, puna e të cilëve buron nga zemra dhe vlera të larta humane”, theksoi Peçi.
 
QAFA: MUNGON BAZA E TË DHËNAVE PËR PERSONAT NË MBIKQYRJE
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa bëri me dije se një nga problematikat më të ndjeshme e cila ka nevojë për t’u adresuar, është çështja e mungesës së një baze të dhënash të mirëfilltë, ku të pasqyrohet ecuria e çdo personi në periudhë mbikëqyrjeje, si dhe e personave të cilët përfundojnë periudhën e provës.
 
“Pasqyrimi sa më i saktë, i cili ka munguar deri më tani ndikon në skanimin e gjendjes si dhe të informacionit për çdo person aktualisht në periudhë mbikëqyrjeje, veçanërisht për të miturit për të cilët është i domosdoshëm hartimi i politikave të trajtimit në sajë të një bashkëpunimi të harmonizuar ndër-institucional. Konkluzioni i sipërcituar është akoma më aktual nëse i referohemi statistikave të administruara nga Shërbimi i Provës gjatë periudhës katër-vjeçare. Kështu rezulton se për vitin 2009 kanë qenë në periudhë prove 109 të mitur, një numër ky i shumëfishuar për vitet ne vijim deri në trefishim për vitin 2013 dhe konkretisht 311 të mitur.  Trendi në rritje, i cili nuk përbën aspak një lajm të mirë, parashtron nevojën për të forcuar bashkëpunimin me Organizatat Jo Fitimprurese, me synim realizimin e projekteve konkrete për trajtimin e të miturve”, u shpreh z. Qafa
 
Njëkohësisht, Qafa theksoi rëndësinë e krijimit të një sistemi vlerësimi të posaçëm për të miturit mbetet një domosdoshmëri për Shërbimin e Provës.
 
“Vetëm nëpërmjet një vlerësimi të duhur të profilit të shkelësve, Shërbimi i Provës do të mund të pretendonte me të drejtë një vendimarrje të tillë ku të përcaktohen në mënyrë të qartë detyrimet përkatëse për çdo të mitur. Pra krijimi i një sistemi vlerësimi të posaçëm për të miturit mbetet një domosdoshmëri për Shërbimin e Provës pasi përgjigjet që na nevojiten për hartimin e programeve individuale të trajtimit dhe më gjerë të politikave të duhura që mund të hartohen nga institucionet kompetentet do të mund t’i kemi vetëm nëse bëjmë pyetjet e përshtatshme për të vlerësuar profilin e të miturve në mbikëqyrje si dhe shkaqet apo arsyet që i kanë çuar në konflikt me ligjin apo që i pengojnë në pranimin e mbështetjes dhe të ndihmës nga Shërbimi i Provës apo nga operatorë të tjerë të përfshirë në këtë proces”, tha Z. Qafa
 
Gjithashtu, gjatë takimit theksi u vu në intensifikimin e mëtejshëm të punës në drejtim të bashkëpunimit me operatorët e përfshirë në drejtësinë restaturuese.
Projekti- Pilot për zhvillimin e kursit të gjuhës angleze mundësohet nga Shoqata Jo-fitimprurëse “The Ideas Partnership”.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)