TIRANE - Me 29 vota pro, 0 kundër dhe abstenimin e 20 anëtarëve të majtë, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar mes debatesh projektin e qeverisë së Katarit prej 7 milionë eurosh, për zgjatimin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës. Projekti mban firmën e studios, “Grimshaw Architects” LLP e cila fitoi konkursin ndërkombëtar mes 6 projekteve të tjera.

Akuza dhe kundërakuza ka pasur mes kreut të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi dhe kryebashkiakut Lulzim Basha. Gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit, Dalipi paralajmëroi se grupi i majtë do të abstenojë ndaj këtyre projekteve pasi sipas tij fshehin interesa klienteliste. Ndërsa më të njëjtat akuza është kundërpërgjigjur edhe vetë kryebashkiaku, i cili e lidhi abstenimin e të majtëve me arsye politike.

“Nuk gjej arsye veçse politike, për të abstenuar në këtë votim”, -tha Basha. Kryebashkiaku theksoi se projekti për “Dëshmorët e Kombit” ka në themel gjelbërimin, ndërsa shtoi se gjatë kohës që ka kryesuar Tiranën janë mbjellë 12 500 pemë gjithsej. “Nga viti 2001 deri në 2011 kanë qenë vetëm 5 mijë”, -nënvizoi ai.

Ndërsa reagime ka pasur edhe për largimin e kryetarit Basha nga mbledhja e Këshillit, Këshilltari i PS-së, Gent Gazheli u shpreh se modeli që Basha ofron për Tiranën është ai i korrupsionit pa fund.

“Dua që kryetari i Bashkisë të jetë në mbledhje. Kryetarit i ka mbetur vetëm Sahati pa shitur. Çfarë modeli ofron ai për Tiranën? Korrupsionin pa fund. Të gjitha rrugët e Tiranës janë të mbushura më baltë dhe gropa”, theksoi Gazheli.

lana
*Si do të jetë Lumi i Tiranës sipas projektit të Grimshaw

PROJEKTI BRITANIK PER BULEVARDIN "DESHMORET E KOMBIT" DHE LUMIN E TIRANES

Projekti britanik për Bulevardin qendror të kryeqytetit dhe lumin e Tiranës, i fituar në maj të vitit 2012 nga studio “Grimshaw Architects”, konsiston në një strukturë lagjesh ku mund të ecet më këmbë, ku shërbimet bazë, si dyqanet lokale, mjeku, dentisti, shkolla fillore, një stacion autobusi apo tramvaji të gjenden të gjitha brenda një largësie që mund të përshkohet duke ecur nga zonat e banuara. Gjerësia e bulevardit mbetet 60 metra. “Grimshaw” insiston në konceptin e së ardhmes së Tiranës së gjelbër. Kjo studio nëpërmjet projektit të saj, mund ta shndërrojë tablonë aktuale të vendbanimeve informale në një pjesë të strukturuar të qytetit.

Projekti hedh baza për krijimin e energjisë nëpërmjet përpunimit të mbetjeve. Autobus me hidrogjen që ngjitet në kodrën e Paskuqanit.

Gjithashtu do të ketë ndryshime në administrimin e transportit, veç linjave të tramvajit, shtohen linja të tjera që mund të lidhin Aeroportin me qytetin.

Parashikohen parkingjet e makinave si ndërtesa konike me kate mbitokësore e nëntokësore. Do të ketë afërsisht 500 vende parkimi makinash.

Parashikohet ndërtimi i një zone sportive për ta vendosur Tiranën në hartën e vendeve të njohura sportive sot apo krijimin e ngjarjeve kulturore, muzikore.

Çfarë parashikojnë tri sheshet ose xhepat përgjatë bulevardit dhe ku do të shtrihen hapësirat për ndërtim?


Hapësira e parë që nis nga Stacioni i Trenit, parashikon ndërtimin e një parku me një shesh dhe kafene përreth, që merr trajtat e një sheshi intim, por nga ana tjetër, jo me perimetër të ngushtë vizual. Në këtë hapësirë janë parashikuar edhe ndërtimi i disa godinave me funksion publik. Brezi i dytë parashikon në të dy xhepat rreth bulevardit qendra tregtare. Në hapësirën e tretë, që në njërën anë ka një park me gjelbërim, ndërsa ana tjetër ka ndërtesa me funksion publik, ku bëjnë pjesë që nga biblioteka, Bashkia e re, Opera. Edhe ndërtimet janë të ndara sipas tri hapësirave të “dhomave urbane” të planifikuara. Të gjitha ndërtimet nga Stacioni i Trenit deri tek Bregu i Lumit do të jenë të reja.

bulevardi deshmoret e kombit
*Si do të jetë Bulevardi Dëshmorët e Kombit

bulevard deshmoret e kombit

bulevardi deshmoret e kombit


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)