Stadiumi Selman Stërmasi, që aktualisht është në përdorim nga klubi i futbollit Tirana, shumë shpejt pritet të shembet për t’i lënë vendin një projekti të ri, që përfshin edhe një impiant modern futbolli.

Bashkia e Tiranës, siç zbulon Report TV, ka përgatitur një relacion tw projektit, i cili do kalojë për votim në këshillin bashkiak, me qëllim për t’i hapur rrugën investimit, që do të administrohet nga Korporata Shqiptare e Investimeve.

Rijetëzimi i ‘Selman Stërmasi’, sipas këtij relacioni përfshin edhe aneksin e stadiumit, një fushë pranë tij të pashfrytëzuar, me një sipërfaqe totale prej 27.446 m2 që do kthehet në një mundësi për zhvillimin e pasurive të paluajtshme në funksion të përforcimit të infrastrukturës urbane dhe sportive në Shqipëri.

Nw relacion thuhet se projekti synon kthimin e zonës në një qendër multifunksionale dhe për të kontribuar në vlerë të shtuar në jetën sociale dhe në ekonomi. Kjo do të arrihet përmes shtimit të aktiviteteve të biznesit në zonën e zhvilluar.

Lajmin për rijetëzimin e stadiumit ‘Selman Stërmasi’, që aktualisht shërben vetëm për koncerte, e dha vetë një ditë më parë kryebashiaku Erion Veliaj, ndërsa në relacion thuhet se bashkia duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me klubin Tirana për projektin, pasi bardheblutë e kanë në përdorim stadiumin të paktën edhe për 4 vite të tjera.

Mirëpo në pritje të projektit të rijetëzimit të stadiumit, PD ka reaguar ashpër duke thënë se ‘po grabitet një truall publik për ndërtimin e një ose disa kullave të betonit’. Sipas anëtarit të kryesisë Grigels Muçollari ‘ky projekt do jetë me kulla dhe biznese, por pa gjelbërim’. Të njëjtën gjuhë ka përdorur edhe Dorian Teliti, i cili ka pohuar se ‘4 kulla do ndërtohen në këtë zonë pa konsultim publik’.

Stadiumi Selman Stërmasi, që njihet ndryshe edhe stadiumi ‘Dinamo’, është ndërtuar në vitin 1955 dhe është rikonstruktuar për herë të fundit në 2015. Prej disa muajsh, për shkak të amortizimit, aty nuk luhet më futboll, por përdoret vetëm për koncerte.