Projekti i “AMBO”-s, me të cilin përfiton edhe Shqipëria është i ndryshëm nga ai i Burgas (Bullgari) – Aleksandropolis (Greqi). Ai ka shumë më tepër avantazhe, deklaroi pak ditë më parë për organin e specializuar në fushën e energjetikës, “Plats”, presidenti Ted Ferguson, duke shtuar se nuk ishte e qartë përse Bullgaria hoqi dorë nga projekti i naftësjellësit Burgas-Aleksandropolis.

Naftësjellësi “AMBO” do jetë në gjendje që të transportojë 750 000 fuçi në ditë, kurse kapaciteti i transportimit të naftësjellësit tjetër është 700 000 fuçi në ditë. Gjatësia e tubacioneve do të jetë 894 kilometra dhe parashikohet që përmes tij të transportohen çdo vit 30-40 milionë tonë naftë bruto.

Sipas Ferguson, interesimi financiar i investitorëve potencialë do të mund të konkretizohet përfundimisht, kur sasia e parashikuar e naftës të fillojë të rrjedhë nga fushat naftëmbajtëse në Detin Kaspik. Naftësjellësi parashikon që naftën nga vendi i nxjerrjes në Kaspik të Rusisë ta përçojë përmes Bullgarisë dhe Maqedonisë deri në Portin e Vlorës, për t’u transportuar më tej në Evropën Perëndimore dhe SHBA.

Projekti ka qenë i planifikuar që të fillonte në vitin 2008, por prej mungesës së mjeteve financiare, 1.2 miliardë dollarë, realizimi është shtyrë, edhe pse mësohet se është siguruar 80% e fondeve.