Shqetësimin e ngre Shoqëria Civile mbi të cilin u shpreh sot ambasada suedeze në Tiranë. Me një postim në rrjetin social Facebook, Ambasada Suedeze i jep zë ankesave që një OJF ka bërë në organizata ndërkombëtare botërore ndaj projektit Mabetex që planifikon të ndërtojë Master Planin “Resort Divjakë Albania”.
“Një subjekt privat ka paraqitur një propozim "Divjake Resort Albania" qeverisë shqiptare për ndërtimin e një kompleks pushimi turistik në Parkun Kombëtar të Divjakës dhe Karavastasë.
Në total, ky kompleks pushimesh do të zërë një sipërfaqe prej 1,170 ha, 12 kilometra vijë bregdetare dhe do të ishte në gjendje të priste deri në 18,000 vizitorë në ditë.
Një shoqatë OJQ-je ka shprehur shqetësim për efektet e këtij kompleksi turistik në parkun kombëtar dhe biodiversitetin e saj.
Lexoni më shumë rreth propozimit këtu: https://wetransfer.com/…/ac7077bba6cb9ad274ee01b8acb…/0f8486
Suedia thekson rëndësinë e sigurimit të qëndrueshmërisë në projektet e turizmit, si dhe pajtueshmërinë me legjislacionin kombëtar dhe atë të BE-së”, shkruan Ambasada e Suedisë në Tiranë.
Ambasada suedeze sjell ankesën që Organizata e Shoqërisë Civile i ka bërë Organizatave të huaja ndërkombëtare për mbrojtjen e specieve të rralla e mjedisit ku theksohen disa pika se ku bazohet shqetësimi i tyre se ky projekt do rezultojë shkatërrim për Lagunën e Karavasta.
(Publikimi ne Facebook i deklarates nga Ambasada Suedeze)
Cilat janë shqetësimet e OJF-së
Nëse klikojmë linkun e mësipërm hapet një dokument i adresuar ndaj disa organizatave ndërkombëtare ku theksohet se për shkak të rëndësisë ndërkombëtare që ka Divjaka dhe Karavasta, ky plan rrezikon dhe biodiversitetin europian.
Projekti i Mabetex planifikon të ndërtojë Master Planin “Resort Divjakë Albania”. Sipas Taulant Bino, përfaqësues i OJF-së:
. Resorti formon një zonë urbane të turizmit masiv në qendër të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Ndërsa qyteti i Divjakës ka rreth 10 mijë banorë, resorti do të presë çdo ditë 18 mijë vizitorë. Ky është rast tipik i turizmit masiv, shkatërrues i natyrës.
. Resorti shkatërron ekologjikisht gjithë sistemin ligatinor. Dallgëthyesi i parashikuar në Tokën e Vdekur (Zonë Qëndrore e Parkut) do të shkaktojë fillimisht mbushjen me sedimente të lagunës së jashtme (Godullës së jashme) të Karavastasë dhe më pas mbushjen edhe të lagunës së brendshme (Godullës së brendshm). Pra laguna do të vdesë së bashku me sektorin e peshkimit. Mbajtja e sedimenteve do të shkaktojë në vijim erozionin e Spiaxhos, Zonë Qëndrore e Parkut dhe habitati më i rëndësishëm për shpendët. Dallgëthyesi është ndërhyrja më shkatërruese në Park.
. 2400 apartamentet e parashikuara do të shiten dhe do të kemi banesa të reja të përhershme në qendër të Parkut Kombëtar. Ligji e ndalon kategorikisht ndërtimin e banesave në park.
. Resorti prek zonën qëndrore të Parkut pavarësisht së ligji e ndalon këtë.
. Plani “Resort Divjake Albania” nuk merr parasysh dhe shkatërron një pjesë të mirë të vlerave natyrore dhe larmisë biologjike të të zonës dhe të vetë Shqipërisë. Plani prek plotësisht territorin dhe vlerat natyrore të Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta” dhe është në kundërshtim me Ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”.
. Lejimi i ndërtimit të një kompleksi të tillë, do ti hapë rrugën shkatërrimit të Parqeve të tjera Kombëtare në vend, pasi për cdo investitor në fushën e turizmit, vendet më të kërkuara prej tyre janë pikërisht zonat e mbrojtura.
. Plani nuk merr në konsideratë rekomandimet e Planit të Menaxhimit të Parkut Kombëtar, hartuar me mbeshtetjen e JICA dhe miratuar në vitin 2016 nga Ministri i Mjedisit.
. Master Plani i propozuar është në shkelje të plotë të disa Konventave Ndërkombëtare (Konventës së Bernës për Rrjetin Emerald, Konventës Ramsar për Ligatinat e Rëndësisë Ndërkombëtare, dhe në shkelje të parimeve të mbrojtjes së natyrës së Bashkimit Europian (Rrjetit Natyra 2000)
. Plani prek 100% të popullatës folezuese të Shqipërisë për disa llojeve të shpendësh si Pelikani kacurrel, Karabullaku i vogël, Cafka e vogël të bardhë, Cafka a natës dhe Cafka a verdhë.
Plani redukton ndjeshëm numrin e 250 specieve te shpendëve folezues apo dimërues në këtë ekosistem. Njëkohësisht ai do të dëmtojë të paktën 35 lloje gjitarësh, 24 zvarranikësh dhe 120 specie peshqish. Një pjesë e mirë e tyre janë të mbrojtur nga legjislacioni ynë dhe Direktivat e Bashkimit Europian.
Kërkesa: Të gjendet një plan tjetër
Mbështetur në sa më sipër, Grupimi i kërkoi Qeverisë dhe propozuesit të hartojë një plan tjetër zhvillimor që nuk cënon habitatet, speciet dhe vlerat natyrore të ekosistemit.
Për të gjitha arsyet e mësipërme, shoqëria civile i bëri madje thirrje edhe Ministrisë së Mjedisit të mos e aprovojë këtë projekt të turizmit masiv.
“Ky do të ishte fillimi i fundit për Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, Zonat e Mbrojtura dhe natyrën në Shqipëri.
Më 24 Mars 2017, grupimi i shoqatave mjedisore në mbrojtje të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, iu drejtua njëzëri Ministrisë së Mjedisit me dy shkresa te veçanta kundër planit.
Si njihet Divjaka
Divjaka konsiderohet si perla e Shqipërisë dhe Mesdheut, e veshur me ujëra, mbuluar me pyje dhe duna ranore, banuar prej shekujsh nga njeriu dhe bota e egër.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, Zona e parë Ramsar e shpallur në Shqipëri, Zona më e Rëndësishme për Shpendët në Shqipëri, Zona Emerald e Konventës së Bernës, Zona e ardhshme Natyra 2000 e Bashkimit Europian.
Divjakasit për shekuj e mbrojtën nga zjarri, prerjet dhe ndërtimet pa leje.
Kjo është Divjaka në të cilën sot pritet të ndërrohet Projekti Mabetex Group, që sipas OJF-së zhduk nga parku ekosisteme, habitate të tëra, koloni të botës së egër, qindra gjallesa.
Redaksia Online
(d.b/Shqiptarja.com)