Ndërkaq, në takimin me kreun e Asamblesë Legjislative të Ontarios z. Dave Levac, Ministri vlerësoi përfshirjen e gjuhës shqipe në programin shkollor në këtë rajon dhe kërkoi shtrirjen e këtij standardi kudo ku jetojnë shqiptarët në Kanada. Levac shprehu gatishmërinë e tij për të mundësuar një dialog konstruktiv me autoritete e rajoneve të tjera por edhe me ato të qeverisë federale. U fol gjithashtu për bashkëpunime mes universiteteve të të dyja vendeve për programe të shkëmbimit studentor. Te dy zyrtarët u dakordësuan se nëse i ashtuquajturi ‘brain drain’ kanalizohet siç duhet, kjo i shërben si vendit të origjinës ashtu edhe shtetit pritës. Të enjten Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës organizuan një pritje në nder të dy Ministrave të Diasporës, Pandeli Majko dhe Dardan Gashi dhe gjithashtu përfaqësuesëve të komunitetit shqiptar në Ontario. Të ftuar në pritjen e zhvilluar në ambjentet e parlamentit të Ontarios ishin znj. Laura Albanese, Ministre për Emigracionin, Kreu i Asamblesë Legjislative Dave Levac, Reza Moridi, Minister i Shkencës dhe Inovacionit në qeverinë lokale, Shafiq Qadri, deputet dhe mik i komunitetit shqiptar etj. Albanese, mbështetëse e fortë e ligjit për mbrojten e trashëgimisë kulturore shqiptare vlerësoi kontributin e komunitetit tonë, duke e cilësuar atë si një vlerë të shtuar të shoqërisë kanadeze. Të ftuarit vizituan më pas ekspozitën fotografike të mundësuar nga Ambasada e Shqipërise. E çelur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ekspozita kishte në qendër gruan shqiptare përgjatë dekadave.
d.gj/ Shqiptarja.com












