Projekti Ndërkufitar Greqi-Shqipëri, Ministrja Gjosha dhurata për Shtëpinë e Fëmijëve në Vlorë

/ATSH-Gjergji Mima/ -Dhurata dhe një ditë me më shumë dashuri për të vegjelit e Shtëpisë së Fëmijës në Vlorë.
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha së bashku me përfaqësues të Delegacionit Europian dhe përfaqësues të palës greke, zgjodhën të ishin më pranë tyre.
Në kuadër të 'Ditës së Bashkëpunimit Europian' dhe projektit Ndërkufitar Greqi- Shqipëri, përfshirja dhe barazia sociale në të gjitha qytet e vendit, ishin dy mesazhet kryesore që u përcollën në këtë aktivitet bamirësie, ku u kërkua më shumë solidaritet, ndjeshmëri dhe dashuri për fëmijët e braktisur.
Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha u shpreh se simbolika e dhuratave për fëmijët e Shtëpisë Fëmijës, ka qëllim që të na kujtojë të gjithëve se ata më shumë se kushdo tjetër kanë nevojë për ngrohtësinë familjare dhe vëmendjen për kushte më të mira.
'Falë bashkëpunimit me partnerët tanë, ne sot mundëm që të grumbullonim disa dhurata, të cilat i gëzojnë këta të vegjël dhe na kujtojnë të gjitheve ne se në morinë e gjërave të përditshme, duhet t'i kthejmë sytë vazhdimisht nga këta fëmijë, për t'iu siguruar një të ardhme më të mirë dhe më shumë përkujdesje', tha Ministrja Gjosha.
Ministrja Gjosha, shprehu se investimi tek ata duhet të jetë në edukim, por mbi të gjitha ata duhet të ndjejnë ngrohtësinë e munguar familjare.
'Unë shoh sot edukatore të shkëlqyera të cilat e reflektojnë sa i duan këta të vegjël. Është shumë e rëndësishme kjo pjesë, pasi më shumë se gjithcka ata kanë nevojë për dashuri për t'u rritur shëndetshëm', tha Ministrja Gjosha.
Përfaqësuesit e Delegacionit Europian dhe palës Greke përfitues të projektit u shprehën se gjithpërfshirja dhe mbështetja e këtyre kategorive sociale nuk do të mungojë edhe në vazhdim, pasi përmes projekteve ndërkufitare veç të tjerave synohet pikërisht asistenca për ato shtresa të shoqërisë që kanë më shumë nevojë.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare aktori dhe producenti i njohur francez Alain Delon