Koalicioni i organizatave mjedisore ka bërë bashkë ekspertë mjedisi, donatorë dhe aktivistë në forumin e tretë për të kundërshtuar projektin e propozuar nga Mabetex Group për ndërtimin e një resorti në kufi me Parkun Kombëtar “Divjakë – Karavasta”.

Taulant Bino, president i shoqatës Ortinologjike të Shqipërisë, shprehet se projekti i ndërtimit vë në rrezik ekosistemin unik të florës dhe faunës, si dhe ekonominë lokale të zonës së Divjakës.

“Ka një tw ashtuquajtur resort, të propozuar, që nuk është resort, por një qytet i ri me afro 18 mijë vizitorë në ditë. Rrezikojnë habitatet e parkut, lagunat bregdetare, pjesë të caktuara të pyllit, lagunën e brendshme, pelikanin kaçurrel, qindra shpendë në këtë lagunë. Shkatërrojnë hotelerinë lokale dhe traditën e zonës”.

Ndërsa Besjana Guri nga EcoAlbania thotë se përveç forumeve publike, do të ndërmerren edhe hapa të tjera në mbrojtje të parkut të kombëtar “Divjakë – Karavasta”. “Nuk kemi asnjë dokument që vërteton statusin e këtij projekti. Pavarësisht se nuk kemi informacion, ne do të presim dhe do ta anikojmë deri në protesta dhe forume të tjera”.

Projekti i Mabetex Group, i shtrire në rreth 12 km vijë bregdetare, parashikon zënien dhe tjetërsimin e 10% të territorit të Parkut.  Fushata “Stop Urbanizimit të Parkut Kombëtar “Divjakë – Karavasta”, të ndërmarra nga shoqatat AOS, EcoAlbania, LexFerenda dhe Pseudo – Iliria, mbështetet nga Lëviz Albania dhe Agjencia Zvicerane për  Zhvillim dhe Bashëpunim.