Banorë të zonës që preken nga projekti TID që parashikon ndërtimin e një Parku Arkeologjik që nis nga Amfiteatri dhe përfundon te Torra Veneciane, i kërkojnë bashkisë që ta shfuqizojë VKM e 30 korrikut dhe projekti të ribëhet nga e para, por me asistencën e vetë banorëve.

Me anë të një përfaqësie të tyre, ata u paraqitën në bashkinë e Durrësit. Në duart e tyre gjendeshin dokumente, skica e vendime që sipas banorëve kishin të bënin me zhbërjen e projektit TID.

Sipas tyre, më 30 korrik të këtij viti qeveria, me anë të një VKM kishte përjashtuar nga lista e prishjeve 20 shtëpi banimi dhe tani pretendojnë se duhet anuluar i gjithë projekti. Me anë të një planimetrie banorët treguan konturet e reja të projektit.

“Projekti TID nuk mund të vazhdojë kështu. Projekti ka rënë që në momentin që ata diskutojnë për rishikim. Një pjesë e mirë e banorëve po sigurojnë edhe dokumentet e pronave që ishin lënë të pambyllura. Institucionet duhet të marrin masa, projekti nuk është pezulluar, por po e rishikojnë dhe tregon që ai ekzistues nuk është në fuqi. Hapi ynë i radhës do të jetë pranë këshillit bashkiak që do t’i kërkojmë të pezullojnë TID dhe nëse nuk e bëjnë, kemi një proces të hapur gjyqësor që mund ta pezullojë pjesërisht gjykata. Kanë firmosur 65 banorë të prekur”, tha Entela Spahivogli.

“Shtëpinë nuk e lëshon njeri për lulishte”, tha banorja Rita Kazazi.

Ata deklarojnë se do të vazhdojnë të protestojnë derisa banesat e tyre të dalin jashtë planit për shembje.

TID-i parashikon transformimin e qendrës historike të qytetit, përfshirë zonën e amfiteatrit (pjesa e sipërme tashmë nuk do të përfshihet) dhe bulevardin “Epidamn”. Projekti ka ngjallur kundërshtime të forta, pasi do prishen dhjetëra banesa e bizneseve. Rreth 74 familje preken nga procesi i shpronësimit, ndërsa fondi i kompensimit është rreth 315 milionë lekë.