TIRANË, 28 Prill/ATSH-Anila Struga/.- Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot arsimin profesional si një mundësi e re për punësimin e të rinjve në Shqipëri.
Gjatë prezantimit të projektligjit "Për zejtarinë", Kryeministri theksoi rëndësinë e arsimit profesional për të luftuar papunësinë.
Kjo sipas tij është një nga përgjigjet e duhura në drejtimin e duhur pasi i hap të rinjve një mundësi dhe korsi të re, për të pasur nesër një punë përmes zanatit.
"Ky është shembulli kuptimplotë i të gjitha vendeve ku beteja me papunësinë ka pasur sukses. Sot ne kemi 40 për qind më shumë të rinj që trokasin në dyert e shkollave profesionale. Nëse ky arsimim do të ishte prioritet 20 vjet më parë sot ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot", tha Rama.
Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri tha se kemi trashëguar një Shqipëri të dërrmuar jo nga varfëria ekonomike, por nga varfëria e aspiratave, e cila sjell gjithë varfëritë e tjera.
"Kjo varfëri e aspiratave, nënvizoi Rama, ka bërë që ndihma ekonomike të mos shkojë tek ata që e meritojnë duke qënë më e lartë, por të shpërndahet dhe mes atyre që nuk e meritojnë në formën e një bakshishi.
"Jam krenar, theksoi Rama, pasi ne i kemi shpallur luftë në radhë të parë varfërisë së aspiratave, që e ka ushqyer këtë vend në mënyrë të vazhdueshme me iluzione dhe gënjeshtra. Kemi vendosur të mos i ushqejmë shqiptarët me sheqerin e gënjeshtrave, por bashkë me ta të ndajmë të vërtetën e madhe, se vetëm ilaçi i hidhur i të vërtetave mund ta shërojë vendin dhe ta kthejë atë nga një vend i rrënuar në një vend të begatë". vijon.../a.g/