TIRANË - Kuvendi i Shqipërisë pritet që nga e enjtja, ti rikthetet punimeve në mënyrë të rregullt. Seanca e së enjetes do të miratojë anëtarët e komisioneve të përhershme parlamentare si dhe strukturat e tjera të organit ligjvënës. Anëtarët e Konferencës së Kryetarëve  vendosën që seanca e radhës të mblidhet të e enjten, ashtu siç ka qenë traditë për këtë institucion, pikërisht në orën 10:00.

Në rend të ditës për seancën e së enjtes mësohet se do të jetë pikërisht konstituimi i organeve të Kuvendit. Ende nuk është vendosur nëse në seancën e së enjtes do të shqyrtohen apo jo projektligjet apo nismat ligjore që kanë mbetur që nga qeveria e mëparshme. Lidhur me shqyrtimin e tyre, kreu i Kuvendit tha se kjo do të mbetet edhe në varësi të Këshillit të Ministrave. “Do të veprohet në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe me kompetencat që na jep kjo Rregullore me transparencë të plotë; natyrisht edhe në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave, përsa i takon rendit të ditës të Parlamentit”, tha Meta.

Ndërkohë që krerët e grupeve parlamentare miratuan me konsensus përbërjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe të Këshillit për Legjislacionin, përbërjen e sekretariateve dhe delegacioneve parlamentare pranë organizmave ndërkombëtare, si dhe përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit. Gjithashtu gjatë mbledhjes u ra dakord për ruajtjen e raportit mazhorancë-opozitë dhe garantimin e efiçensës së punës së organeve të Kuvendit, veçanërisht në komisionet e përhershme. Gjithsej janë tetë komisione parlamentare të përhershme, ku raporti ka qenë që pesë prej tyre drejtohen nga mazhoranca si dhe 3 prej tyre nga opozita.

Pas gjithë miratimit të organeve të Kuvendit me anëtarët e tjerë, pritet që java tjetër të sjellë dhe “jetën normale” në Kuvend, ku do të fillojnë nga puna e tyre komisionet parlamentare. Katër komisione do të drejtohen nga Partia Socialiste, një nga Lëvizja Socialiste për Integrim si dhe tre komisione pritet që të drejtohen nga Partia Demokratike.     
Shkrimi u publikua sot (25.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)


Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)