Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë parashikon mbrojtje të posaçme procedurale për Guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët, duke përcaktuar se ata nuk mund të arrestohen apo t’u kufizohet liria pa një autorizim paraprak nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas draftit, Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen ose të privohen nga liria në asnjë formë, si dhe nuk mund t’i nënshtrohen kontrollit personal apo kontrollit të banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese.

Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm rastet kur ata kapen në flagrancë ose janë në ndjekje të menjëhershme pas kryerjes së një krimi.

Projektligji përcakton gjithashtu se, jashtë këtyre rasteve, prokurori i çështjes duhet të kërkojë menjëherë autorizimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të kryejë arrestimin, kontrollin personal ose kontrollin e banesës së Guvernatorit apo zëvendësguvernatorëve.

Gjykata Kushtetuese duhet të shqyrtojë kërkesën dhe të marrë një vendim brenda dy javëve nga data e paraqitjes së saj. Nëse brenda këtij afati nuk jepet një vendim, kërkesa për autorizim konsiderohet e refuzuar.

Dispozita është pjesë e projektligjit të ri për Bankën e Shqipërisë, i cili sjell ndryshime në mënyrën e funksionimit të institucionit dhe në statusin ligjor të drejtuesve të tij.

Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë

kliko këtu për të parë dokumentin e plotë...