Në Shqipëri nuk do të njihet gjini tjetër, përveç burrë dhe grua! Për projektligjin shumë të debatuar dhe që nxiti reagime të shumta, mazhoranca ka bërë një hap pas. Me 22 amendamente, të depozituara në Kuvend me firmën e kreut të grupit, Taulant Balla, mazhoranca synon të rivendosë theksin te ligji për barazinë gjinore, duke e fokusuar sërish te trajtim i barabartë mes grave dhe burrave.
Termat “gjithëpërfshirës” dhe “me gjithë diversitetin e tyre”, të përmendura në projektligjin aktual referuar gjinive, dhe që nënkuptonte identifikim gjinor tjetër përveç burrë e grua kërkohet të hiqen nga drafti.
Ndryshimet nisin që në nenin e parë, ku shprehja “pavarësisht përkatësisë gjinore” zëvendësohet me formulimin më të qartë dhe konkret “trajtim të barabartë mes grave dhe burrave.”
Në nenin 4 pika a, që flet për barazinë gjinore hiqet pjesa që flet për “diversitet gjinor”, duke e kthyer ligjin në përputhje me realitetin biologjik dhe kulturor të shoqërisë shqiptare. Në pikën ë po të këtij ligji, ku përkufizohet “Gjinia” , kërkohet heqja e shprehjes: “lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore”.
Edhe në nenin 10, që lidhet me “gjuhën e ndjeshme gjinore”, kërkohet të hiqet fjala “gjithëpërfshirëse”.
Në thelb, amendamentet e PS synojnë të fshijnë çdo referencë që mund të interpretohej si hapje ndaj identiteteve të tjera gjinore apo ndaj nocioneve të reja si “identitet gjinor”, “shprehje gjinore” apo “diversitet gjinor”.
Neni 24 i projektligjit, që lidhet me përfaqësimin e gjinive në pozicionet drejtuese dhe vendimmarrëse, mbetet një nga pikat më të rëndësishme të ndryshimeve të propozuara. Në draftin fillestar parashikohet integrimi i “kritereve të gjithëpërfshirjes dhe diversitetit gjinor” në proceset e konkurrimit dhe emërimeve.
Me amendamentin e depozituar në Kuvend, fjalia që lidhet me “diversitetin gjinor” mbetet e kufizuar vetëm në kuptimin e përfaqësimit të grave dhe burrave, duke përjashtuar çdo interpretim tjetër.
Kështu, drafti i ri e kthen ligjin për barazinë gjinore në një dokument që nënvizon barazinë mes grave dhe burrave, por jo më shumë se kaq. Kjo e bën ligjin më të kuptueshëm, më të zbatueshëm dhe shmang keqinterpretimet. Shoqëria civile dhe pjesë të opozitës, por mbi të gjitha komunitetet fetare e kanë kundërshtuar ashpër projektligjin që prej hedhjes së tij për konsultim publik, të cilit akuzonin se ky draft cenon familjen. Projektligji është depozituar në Kuvend dhe tashmë, bashkë me ndryshimet e socialistëve, do të diskutohet në komisione parlamentare. Votimi i tij në seancë plenare është parashikuar për më 30 tetor.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente












E shqyhet nga kembet shoqerine civile. Nese keni kellqe lere popullin te zgjedhe, beni nje referendum. OJQ-te kane mbyllur gojen, unione nuk ka, beni cfare t'iu thone me te medhenjte dhe vete nuk keni shtylle kurrizore. Lereni ballkanin rehat edhe per pak kohe!
Përgjigju