/ATSH-Behlul Jashari/- Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, i riproceduar nga qeveria e re shqyrtohet në parim sot në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, një nga 14 komisionet parlamentare të miratura e formuara dje pasdite në seancën e Kuvendit kosovar, të konstituuar të hënën e javës së kaluar, në 8 dhjetor.

Kështu nisi shqyrtimi parlamentar, që do vazhdojë, dhe Kosova pritet ta presë Vitin e Ri me miratim të Buxhetit të Shtetit 2015, edhe pse u humb shumë kohë në 2014-tën duke mos qenë funksional Kuvendi 7 muaj nga vetëshpërndarja në seancën e jashtëzakonshme të 7 majit dhe duke mos u ndërtuar instituiconet deri gjysëm viti pas zgjedhjve parlamentare të 8 qershorit.

"Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet të hënën në seancë plenare, për të shqyrtuar për herë të parë Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015. Të hënën tjetër, në 29 dhjetor, do të bëhet shqyrtimi i dytë i këtij Projektligji", u paralajmërua mbrëmë.
Vendimin e mori njëzëri, pasdite vonë, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryeparlamentari Kadri Veseli.
Me pajtueshmërinë e përfaqësuesve të grupeve parlamentare, Kryesia vendosi t'i rekomandojë seancës që shqyrtimi i Projektligjit për buxhetin të bëhet me procedurë të përshpejtuar.

Në 15 dhjetor, Projektligji për Buxhetin e Repubilikës së Kosovës për vitin 2015, me të hyra 1 miliard e 576 milionë euro, ishte në axhendën e mbledhjes së qeverisë së re kosovare një javë pas zgjedhjes, të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, dhe u vendos që t'i riprocedohet e propozohet Kuvendit të Republikës për shqyrtim e miratim.
Kryeministri Mustafa ka njoftuar kabinetin qeveritar për nevojën e riprocedimit të Projektligjit të Buxhetit 2015 në Kuvendin e Kosovës.

"Projektligji për Buxhetin 2015 është proceduar në afat në Kuvendin e Kosovës nga qeveria e kaluar, por Kuvendi i Kosovës ka qenë i pa konstituuar, prandaj është e nevojshme që Projektligji edhe një herë të riprocedohet në Kuvend. Kabineti i ri qeveritar nuk ka pasë kohë që të shqyrtojë propozimin e Projektligjit për Buxhetin 2015, por një gjë të tillë do ta bëjë përmes amandamentimit të tij gjatë diskutimit në Kuvendin e Kosovës", tha kryeministri Mustafa.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka prezantuar të dhënat e përgjithshme të hyrjeve dhe daljeve në Buxhetin 2015 dhe ka ftuar anëtarët e kabinetit qeveritar që, sipas nevojës, të përgatisin amendamentet e ndryshimit të tij gjatë diskutimit në Kuvendin e Kosovës.

Në përfundim të mbledhjes, Qeveria ka marrë vendimin për miratim dhe riprocedim të Projektligjit për Buxhetin 2015 në Kuvendin e Kosovës.
Pas mbledhjes, të njëjtën ditë, Ministria e Financave bënte të ditur në një komunikatë se kishte kërkuar që Qeveria të veprojë në përputhje me kërkesën e fundit të Kuvendit të Kosovës, që në mbështetje të nenit 86 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, të kalojë prapë në qeveri Buxhetin e vitit 2015.
"Për shkak të afatit shumë të shkurtër të mbetur ligjor, ky buxhet i përgatitur nga qeveria e kaluar nuk ka mundësi për t'u ndryshuar. Ndërsa, ndryshimet në buxhet që reflektojnë programin e ri qeverisës planifikohet të bëhen gjatë rishikimit të buxhetit brenda afatit ligjor gjatë vitit 2015", theksonte Ministria kosovare e Financave.

Ministria bënte të ditur se, kufijtë buxhetorë, sa i përket shpenzimeve dhe të hyrave për vitin 2015, si dhe shpërndarjen e buxhetit në kategoritë paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime, shpenzime kapitale, subvencione dhe transfere janë ato që janë miratuar nga qeveria e kaluar.

"Qeveria mbetet e përkushtuar që të punojë në përmbushjen e objektivave zhvillimore të përcaktuara në programin qeverisës që do të aprovohet në qeveri në fillim të vitit 2015", theksonte komunikata e Ministrisë së Financave, e cila zotohej se, "do të ketë transparencë maksimale karshi gjithë qytetarëve të vendit, lidhur me atë se si mblidhet dhe shpenzohet çdo cent i tyre".

Në kohën kur Kuvendi ishte i pakonstituuar dhe jofunksional dhe nuk mund të procedohej Buxheti i Shtetit në parlament, në mbledhjen e qeverisë të 31 tetorit theksohej se, "për vitin 2015, të hyrat e përgjithshme buxhetore planifikohen të jenë në nivel prej 1 miliard e 576 milionë euro, (apo një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014)", ndërsa "shpenzimet e përgjithshme për vitin 2015 pritet të jenë në nivelin prej 1 miliard e 682 milion euro, që paraqet një rritje rreth 6% krahasuar me nivelin e përgjithshëm të shpenzimeve në vitin 2014".

Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në fjalimin vjetor dje në Kuvend theksonte se në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat u mbajtën në qershor, qytetarët e Republikës së Kosovës treguan shkallë të lartë të pjekurisë, por në zhvillimet politike pas zgjedhjeve të gjysmës së fundit të këtij viti është humbur shumë kohë.