Shërbimi Informativ Shtetëror, do të duhet të shtrijë veprimtarinë e tij edhe mbi kërcënimet ndaj sigurisë ekonomike, atyre kibernetike dhe hibride si dhe mbi “kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë.”. Sipas disa ndryshimeve ligjore të propozuara nga Qeveria, kjo është e domosdoshme në situata e reja të sigurisë globale, dhe ndërhyrjs synon të eliminojë boshllëqet ekzistuese ligjore duke qartësuar dispozitat në fuqi dhe rritur efikasitetin e mekanizmave aktualë.

Por pika që ndryshon mënyrën e mbledhjes së informacionit nga institucione të ndryshme, ka hapur debate. Me legjislacionin në fuqi, SHISH ka të drejtë të kërkojnë informacion për përmbushjen e detyrave në funksion të sigurimit kombëtar nga drejtuesit e institucioneve qendrore, lokale, personat fizikë e juridikë shtetërorë ose privatë. Me ndryshimin e propozuar SHISH-it i jepet akses në databazet e ndryshme shtetërore.

Kryetarja e Komisionit të Medias dhe të Drejtave të Njeriut Jorida Tabaku, tha se kjo pikë ngre shqetësim.

“Po ja zgjeroni kompetencat por duke mos ruajtur kontrollin dhe balancen.  Aksesi ne databez e te dhënave shtetterore, aksesi ne informacion dhe fakti qe ju keni ndryshuar nenin përkatës sa i përket, i keni përjashtuar te drejtën e informimit, sa i përket punës se këtij komisioni është nje hap pas per transparenen, humbet aksesi i pjesshëm” tha deputetja Jorida Tabaku

Vetë institucioni tha se SHISH nuk do të ketë akses të plotë dhe të palimituar, por vetëm në funksion të veprimtarisë së tij.

"Aksesi në databazë, nuk rrit kompetencat e SHISH, por është një mjet pune për të kryer punën më mirë. E kanë shume institucione” tha Amarda Dhima, drejtoreshë Juridike SHISH

Në fakt ndryshimi i propozuar parashikon që qasja në të dhëna bëhet me marrëveshje mes institucioneve.

Një tjetër ndryshim që shkaktoi po ashtu debat, ishte ai që përjashton zyrtarët e SHISH nga deklarimi i pasurisë në ILDKPKI. Ky ndryshim motivohet me rrezikun e ekspozimit të tyre. Tabaku tha se është shqetësuese që Zyrtarët e SHISH nuk do të deklarojnë pasurinë dhe se ajo do të jetë tërësisht konfidenciale, ndërsa institucioni tha se për natyrën e punës kjo gjë është e domosdoshme.