‘Projekto një pus që të japë naftë, ose…’- Kujtimet e ish-të dënuarit politik: Ja çfarë më tha Kristaq Papa pasi erdhi nga Komiteti Qendror

‘Projekto një pus që të japë naftë, ose…’- Kujtimet e ish-të dënuarit politik: Ja çfarë më tha Kristaq Papa pasi erdhi nga Komiteti Qendror

Pjesa e njëzetë

Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste.

Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë.

Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.

Ata më njoftuan se kishin biseduar me ministrin e tyre dhe më transmetuan lutjen e tij, që mundësisht të shikoja mundësinë e vajtjes në pus, që të njihesha konkretisht me materialin faktik dhe të jepja përfundimet e mia. Kjo për ta kishte rëndësi, sepse me variantin e shpjegimit tim, shpenzimet e pusit të dytë i ngarkoheshin palës rumune, me një vleftë prej rreth katër milionë dollarësh. Pasi u konsultova me përfaqësuesin e ambasadës, pranova të shkoja me kushtin, që aty të vinte i gjithë grupi i naftëtarëve tanë, që ishin ato ditë në Greqi.

Pas një udhëtimi shumë të bukur me anije, duke filluar me kanalin e Korinthit, ne vajtëm në pus. U njoha me të dhënat faktike dhe si përfundim i dhashë po të njëjtin vlerësim. Pas disa ditësh, këshilltari ministrit grek, shtroi një drekë në një restorant të bukur për të gjithë grupin tonë dhe aty shprehu falenderimet e ministrit për ndihmesën time, që i solli një fitim të madh sektorit që ai drejtonte. Ata më pyetën dhe se sa para kërkoja për këtë mendim, por unë, nxënës tipik i shkollës sonë komuniste, u shpreha kategorikisht, kundër shpërblimeve të tilla. Nga pala e tyre, vazhduan të më vinin vazhdimisht kartolina urimi për festa të ndryshme, por asnjëherë unë nuk munda t’u përgjigjesha. Unë e dija mirë se ku ndodhesha. E dija që ky ishte një qëndrim aspak korrekt, por nuk ishte e vetmja herë.

Edhe shumë kartolinave apo letrave që kam marrë në punë nga kompani dhe shkencëtarë të ndryshëm naftëtarë perëndimorë, unë nuk u jam përgjigjur. Sistemi ynë diktatorial, nuk na lejonte të mbanim lidhje me të huajt. Injoranca, terrori, prapambetja, kishin mbuluar për një gjysmë shekulli tërë qiellin shqiptar. Në rast se do të kisha mundësi komunikimi, përsëri me këta presidentë kompanish e kolegë të nderuar, gjëja e parë që do të bëja, do të ishte kërkimi i faljes, për mungesën e përgjigjes ndaj letrave të tyre. Por njëkohësisht, do t’u shpjegoja edhe arsyen. Nuk ishte mungesë e edukatës apo e njohjes së rregullave të mirësjelljes, por arsye më madhore, nuk linin kartolinat e mia të dilnin jashtë kufijve. Edhe të nisja t’ua shpjegoja, a do të mundja? Dhe a do të më kuptonin vallë?!

Unë falenderoj ata naftëtarë që si përpara, ashtu pas arrestimit tim dhe tani që ndodhem larg vendit, kanë gjetur mundësitë për të shprehur konsideratat e larta, që kanë në adresë time. Janë të shumtë ata që më telefonojnë. Ata më ngrohin dhe më japin forcë me fjalët e tyre të çiltra. Në një letër plot ngrohtësi që më dërgonte një gjeolog i Institutit, midis të tjerash më theksonte:
“Ju, keni qenë një mësues e drejtues i nderuar për ne, inxhinierët e tjerë dhe këtë nuk ta harrojmë. Tek ju ishin të huaja shfaqjet e prepotencës, të arrogancës dhe cënimit të dinjitetit të tjerëve. Gjatë gjithë kohës, jeni përpjekur të ndihmonit specialistët e rinj për problemet e punës dhe hallet e tyre, si pasaportizimi apo strehimi e deri në transferime në punë të tjera, kur ata kishin probleme familjare. E këtë e bënit me ato mundësi që kishit dhe natyrisht me aq sa ju dëgjonin organet e nomenklaturës. Ndërsa ju, kurrë nuk e gjetët atë përkrahje, nga organet prej të cilëve vareshit…!

Për këto cilësira në qëndrimin ndaj njerëzve, ju gëzonit në përgjithësi nga naftëtarët një respekt të çiltër, përjashto ndonjë individ apo bashkëpunëtor të fshehtë të Sigurimit, të cilët gjendeshin edhe në Institut. Por më mirë se çdo gjë tjetër për vlerësimet, konsideratat që kishin punonjësit naftëtarë për punën e palodhur dhe kontributin tuaj të çmuar në kërkimet e naftës dhe në përgjithësi në zhvillimin e industrisë së naftës në vendin tonë, flet fakti se ishim në kolektivat punonjëse, ata që ju kemi propozuar për marrjen e gjithë atyre dekoratave të punës dhe Çmime të Republikës, me gjitha motivacionet përkatëse. Në këto kohëra, në diskutimet e Enver Hoxhës në Byronë Politike, apo në Sekretariat të K. Q. të Partisë, kish vërejtje e kritika më të shpeshta për kërkimet e naftës. Ai arriti deri aty, sa vuri në përdorim shprehjen: “Në naftë ka sabotim të heshtur”.

Në naftë filloi përsëri një baticë e re. Kështu gjithë ai sukses i madh me zbulimin e vend-burimit kollos të Cakranit, gjithë ato fjalë të mira që u thanë në adresë të gjeologëve, u harruan shumë shpejt dhe si zakonisht u ndërrua gjuha. Nga të mirë, ne u bëmë përsëri të këqij. Jo, jo, udhëheqja e Partisë, nuk do të largohej nga praktika aq sa qesharake, po aq dhe tragjike në punën e saj, që sot i lavdëronte njerëzit, specialistët e naftës në veçanti, dhe nesër, ndryshonte pozicionin, i kritikonte e dënonte. Diktatori gdhihej një herë mbarë, e njëherë mbrapsht. Tërë jetën ai i mbante njerëzit, me dy karta që kundërshtonin njëra – tjetrën për të njëjtën periudhë, kur një herë i quante “heronj” dhe herën tjetër, i kthente në “armiq e tradhtarë”.

Ato që kish thënë dje Enver Hoxha, me paturpësi i lëpinte të nesërmen. E këtu nuk flitet për disa fjalë, lavdërime apo kritika. Flitet për marrjen e jetës së shumë njerëzve që kishin punuar për atë popull flitej për shkatërrimin e dhjetëra, qindra e mijërave familjeve të pafajshme, të cilat janë persekutuar në mënyrën më të egër. Ne në Institut, nuk po e kuptonim se çfarë kishte në mend udhëheqësi i Partisë, me shprehjen e tij të “sabotimit të heshtur”! “Sulltani”, duke parë që po i vinte fundi i jetës edhe ëndrrat po i shikonte gjithnjë e më të këqija dhe nuk desh të largohej nga kjo botë, pa një krim të ri, të rëndë, që dhe ferri t’i jepte një vend të privilegjuar, si kriminel i klasit të lartë”.

Me shkarkimin tim si drejtor, unë nisa të vë re se po më krijohej një ambient tjetër, edhe nga njerëzit për të cilët isha i bindur, se ma vlerësonin e respektonin punën time. Tani, kur bëheshin mbledhje të kolektivit, ndodhte që nuk vinte njeri të ulej pranë meje. Dy apo tre karrige në të dy krahët e mi, rrinin bosh. Ishte e pabesueshme! Gjatë afro tre viteve, deri në vitin 1986, në konsultimet që organizonte drejtori në Institutit, Drini Mezini, që për me tepër nuk ishte gjeolog a specialist nafte, asnjëherë nuk më thirri për të asistuar në to, për të dhënë mendimin e përvojën time, për studimin konkret që bëhej. Vetëm në mënyrë individuale, vinin gjeologë e gjeofizikë, që kërkonin të shkëmbenin mendime për temat e tyre. Në zyrën ku punoja, më sollën si teknik në grupin e temës që kishim, një djalë të ri, i cili kish qenë dy vjet në shkollën e Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Unë këtë e quajta thjesht rastësi, por ai ishte ngarkuar nga Sigurimi i Shtetit, për të më mbajtur nën kontroll gjatë gjithë ditës së punës. Siç kuptova më vonë, drejtori ka qenë në dijeni se arrestimi im po përgatitej dhe prandaj ai më luftonte me të gjitha format. Me siguri, besnikërisë ndaj Partisë, ai i shtonte dhe luftën kundër meje e nuk e gjente gjë për rezultatet shumë të dobëta në punë. Përkundrazi. Ai arriti të bëhet ministër dhe deputet i Kuvendit Popullor. Disa vite më vonë, mësova se Sigurimi, kish përhapur zëra për arrestimin tim, prandaj dhe ishte ajo frikë e kolegëve, që nuk guxonin të afroheshin në biseda të lira, apo dhe pune me mua. I interesuari vetë, merr vesh i fundit. Mendoj se frika, e vetëm frika, i pengonte të më bënin me dijeni, për gjëmën që më priste.

Në këtë kohë nga Instituti i Minierave në Tiranë, erdhi një propozim që të më jepej përsëri për të tretën here; “Çmimi i Republikës së Shkallës së Parë”, për kontributin tim shkencor në përpilimin e Hartës Tektonike të Shqipërisë, si pjesëtar e grupit të hartimit të Hartës Tektonike të Europës. Unë isha nënkryetar i këtij grupi studimi të hartës, për të cilën punuam afro pesë vjet. Drejtori shtroi në kolektiv për miratim, vetëm dy anëtarët e tjerë të grupit, ndërsa mua, më përjashtuan pa dhënë asnjë shpjegim, e pa njoftuar kolektivin, se propozimi përfshinte dhe Petraqin. Kolektivit iu fsheh propozimi i ardhur nga një institut tjetër.

Në këtë mënyrë, unë po punoja tani si një i burgosur me arrest të tipit shtëpiak. Ata kishin bindjen se unë, tani kisha indikacione të mjafta dhe nga frika do të zbuloja vend-burime nafte, sikur ato i kisha në xhep dhe i nxirrja sa herë ta ndjeja thikën në grykë. Unë isha gjeolog si gjithë të tjerët dhe nuk kisha mundësi, që të mbaja rezerva në veten time, për strukturat perspektive. Studimet dhe rezultatet pozitive apo edhe negative, ishin fryt i një pune të përbashkët të gjeologëve e gjeofizikëve në Institut, dhe jo e një apo disa vetave. Është tjetër gjë aftësia e njërit apo tjetrit specialist, në nivelin e trajtimit të studimit. Por ishte absurditet, që dikush të njihte struktura perspektive, e t’i mbante ato të fshehura. Me këtë gjykim të mbrapshtë, shpjegohet incidenti me ministrin e Gjeologjisë dhe Minierave, Pali Miskën. Ai erdhi në një mbledhje të gjithë kolektivit tonë dhe m’u drejtua mua, me një ton arrogant:

– “Dëgjo, Xhaçka! Ne e dimë që ti i di dhe zorrët e barkut nëntokës sonë, por ta kuptosh mirë, që ne bëjmë me ty dhe pa ty”! Përveç idiotizmit teknik, kjo deklaratë kishte brenda dhe kërcënimin e drejtpërdrejtë politik. Me një fjalë, ti djalë i mirë, nuk don që të zbulosh naftë e gaz, por ne mund të të fusim në burg, e të punojmë edhe pa ty! Këtë budallallëk, ma përsëritën më vonë shumë herë edhe në hetuesi. – “Ti nuk deshe të zbuloje vend-burime të rinj nafte e gazi, sepse deshe të sabotoje ekonominë, që ajo të shkonte keq. Qëllimi yt, ishte të rrëzoje udhëheqjen e partisë, të rrëzoje pushtetin popullor”!

Ky ishte lajtmotivi i hetuesve. Por asnjëri nuk duhet të çuditet me këtë nivel gjykimi, me këto marrëzira. Kështu njëlloj, mendonin në krye të shtetit, kështu në hetuesi, kështu dhe në Sigurimin e Shtetit. Me këto shenja. unë po kuptoja se rreth meje po vërtiteshin re të zeza. Por ashtu si njeriu kur është duke u mbytur që përsëri ka një dritë shpresë se mund të shpëtojë, se shpresa vdes e fundit bashkë me njeriun, edhe unë përsëri nuk arrija të besoja që shteti të arrinte të kryente një akt të tillë kriminal kundër meje. Unë po shikoja për çdo ditë, aspekte të qëndrimeve jo korrekte e njerëzore ndaj meje, por përsëri mendja nuk arrinte të pajtohej, se mund të ndodhte çdo e keqe.

Sepse, përveç të tjerash, duhet të pranoj, se pa më rënë mbi krye, unë nuk e njihja tërësisht diktaturën, ngaqë askush nuk guxonte të tregonte apo të fliste, për burgimet masive të njerëzve të pafajshëm në të gjithë vendin tonë, e tërë shumëllojshmërinë e krimeve të Sigurimit të Enver Hoxhës. Ndër rastet e shumta në këtë kohë të ndërmjetme, po përmend një incident tjetër, tepër i ngjashëm me të parin. Një ditë të vitit 1985, pasi pat vdekur diktatori, në një mbledhje të sektorit ku unë punoja, erdhi instruktori i drejtorisë ekonomike pranë Komitetit Qendror të Partisë, Kristaq Papa, siç vinin ata shpesh në Institut. Në sy të të gjithëve, ai m’u drejtua me një propozim të papritur. – “Ti, Xhaçka, zgjidh: Ose merr një temë studimi, për një rajon që ti e di se ka perspektivë dhe të projektosh një pus, i cili patjetër të japë naftë, që do të zbulonte kështu një vend-burim të ri, ose të shkruash, duke zbërthyer në hollësi, gjithë veprimtarinë armiqësore në naftë”!

Nuk mendoj se ky gjykim ishte i vetmi. Por sidoqoftë, një provokacion i tillë, nuk i lejohej një specialisti të lartë naftëtar, që t’i kërkonte gjeologut, që me pusin e parë, të zbulonte një vend-burim të ri. Çdo njeri duhet të ruajë dhe dinjitetin e tij, njerëzor dhe shkencor, dhe jo të lëshojë ultimatume me logjikë injorantësh. Ky ultimatum, i bërë hapur më tronditi, se e kuptova që i shtohej paralajmërimit që më pat bërë dhe Pali Miska, para gjithë kolektivit të Institutit. -Pra, unë isha bërë tashmë si një tabelë qitjeje ku secili, për të ruajtur postin e tij, lëshonte çfarëdo lloj predhash, pa menduar se isha njeri dhe pa merakun më të vogël, se mos e tepronin apo se mos e shkelnin. Dukej sheshit, që ata kishin porosi të qarta, që të mos rezervoheshin ndaj meje.

Natyrisht, unë nuk mund të pajtohesha me një propozim të tillë sa provokativ, aq edhe i zhveshur nga kritere teknike. – “Unë, -i thashë në mes të qetësisë së përgjithshme, – jam gjeolog si gjithë të tjerët. Nuk jam as profet e as fallxhi, që të gjej me siguri, se ku ndodhet nafta në nëntokë. Në të gjithë botën, kanë një koeficient suksesi. Përse ndaj meje kërkohet garanci qind-përqind, me kërcënimin se po nuk e zbulova, do të kem pasoja të rënda?! Kush është ai gjeolog që pranon të projektojë në kushte të tilla”?! – “Ti je gjeolog i shquar, – nisi instruktori me stilin, që sa më shumë të mburrte, aq më shume të ngarkon. – “Kjo është një detyrë…”!

Unë vazhdova të protestoj, duke ia prerë fjalën. – “Ju, me bagazhin tuaj teknik, e kuptoni që nuk është detyrë normale. Po si na qenka detyrë ajo tjetra që më shtroni, përsa i përket veprimtarisë armiqësore?! Shteti ngriti grupe pune, grupe ekspertizash, bëri gjyqe. E çfarë kërkoni tjetër? Çfarë mund të them unë, përveç atyre që ju na i keni thënë? Aq më tepër që unë në ato vite, nuk kam punuar në Institut, sepse ju më hoqët si të papërshtatshëm, për koncepte të huaja, meqenëse kërkoja të merreshin pajisje gjeofizike nga perëndimi…! Siç e dini, vetë udhëheqësi i Partisë, e ka dënuar largimin tim nga Instituti. Nuk kuptoj përse e kërkoni nga mua një gjë të tillë? Unë nuk jam as hetues dhe as nuk kam punuar në grupet e ekspertizës. Ju merrni kalemin, e i shkruani vetë këto gjëra. Pse e kërkoni nga unë?!

Dihet nga të gjithë naftëtarët, që qëndrimi im në këtë periudhë për planifikimet e prodhimit të naftës, ka qenë i drejtë në interes të shfrytëzimit racional të vend-burimeve dhe kam patur kurajon, t’i kundërshtoj ish-udhëheqësve të partisë e të shtetit dhe jeta tregoi se unë kisha të drejtë. Pra, edhe këtë kërkojeni aty, nga ato kuadro që i mbështesnin planet e fryra, që dëmtonin vend-burimet tona, dëmtonin ekonominë. Mos e kërkoni nga mua që i mbrojta ato, kur edhe mund të heshtja, si shumë të tjerë. Po kështu është i njohur qëndrimi i drejtë, kontributi im në moskryerjen e investimeve të pabazuara, në Sarandë. Unë jam specialist, e detyra ime është të mbroj rregullat teknike. Politikën e bëjnë të tjerët”.

Me kundërshtimin tim të fortë, për këtë provokacion të ndyrë, mbledhja u mbyll. Vazhdova të punoja në tema studimi, por nuk arrita të bëja ndonjë projektim pusi, se nuk krijova bindje të plotë. Tani fillova të mendohem më seriozisht, për pozitën në të cilën ndodhesha. Ato sulme të përsëritura dhe me prepotencë, nuk ishin të rastit. Natyrisht, ata i dinin të gjitha meritat e mia, por siç u bë e qartë pak me vonë, nëpërmjet kësaj mjegulle, që udhëheqja e Partisë përhapte me qëllim në naftë, fshihte nga mbrapa objektiva e plane shumë të ulëta e kriminale, të diktatorit të ri të Shqipërisë, Ramiz Alisë.

Në një atmosferë të zymtë terrori në Shqipëri, në prill të vitit 1985, pat vdekur udhëheqësi i Partisë Komuniste të Shqipërisë Enver Hoxha, i cili e drejtoi partinë e shtetin, për afro katër dekada. Shumë njerëz ndër ta dhe unë, menduan se me vdekjen e diktatorit, miku i ngushtë e besnik i tij, Ramiz, Alia, do të ishte më liberal, e do të ndreqte gabimet e shumta të shokut të tij tashmë të vdekur. Por kjo shpresë na doli e gabuar! Jeta e mëvonshme, lidhja familjare që ai krijoi me Familjen e Hoxhës, e bëri atë, të ndjekë të njëjtën rrugë dhe të njëjtat forma, si paraardhësi i tij, bile në disa drejtime, punët shkuan më zi. Ai ishte jo aq prepotent sa i pari, por shumë më demagog dhe shumë me i pabesë. Që pa vdekur Enver Hoxha, Sigurimi pat marrë detyrën e arrestimit të grupit tonë të naftës. Ramiz Alia nuk i hoqi asnjë presje kësaj detyre të fëlliqur.

Ne, të caktuarit e rinj

Me shkarkimin nga detyra e drejtorit të Institutit, mendova më kot se do të isha i qetë në punën time studimore. Vitet 1983-’85, ishin vite të një stresi të rëndë psikologjik, nga një persekutim i heshtur, që më bënte të ndjeja brenda vetes një zgavër të akullt, që më shkatërronte nervat. Tani, unë, për të parët e punës, nuk isha më një specialist, që në dukje duhej respektuar. Kohët e fundit, unë trajtohesha si një specialist shumë i aftë, por që lart e poshtë, flitej hapur, se nuk dëshiroja të kontribuoja për pushtetin popullor. Dhe kjo shoqërohej shpesh me shantazhe e me përmendjen e përjavshme, se ata; “bënin edhe pa mua”.

Mundohesha ta mbaja veten, kur këto me thuheshin në sy. E kuptoja që isha në një vorbull aspak të këndshme, e rrotullohesha në mes të saj. Varka e jetës sime, tani kish zbritur në pjesën e ulur të dallgës, e që nga bregu, nuk dukej më. Ai që drejtonte varkën e jetës sime, nuk isha më unë. Atë e drejtonte me komandë, shteti burokratik e diktatorial. Veçanërisht në ato vitet e fundit, buzëqeshja nuk e vizitonte më fytyrën time. Unë kisha harruar se në qytet, kish teatër dhe kinema, se Fieri kishte dhe një plazh të këndshëm, kisha harruar se në Shqipëri, çdo vit, bëhej dhe një festival i këngës së lehtë. Mendja ime ziente nga pyetjet pa përgjigje: Përse po më jepnin gjithë këto ultimatume?! Përse miqtë dhe kolegët e mi, kohët e fundi, me rininë gjithnjë larg e më larg?!

Mundohesha të lidhja disa ngjarje të vogla, që në pamje dukeshin si të parëndësishme, por që në thelb nuk ishin ashtu. Kështu një ditë, më vjen në zyrë një koleg, me të cilin kisha patur gjithnjë marrëdhënie të mira. Tashmë ishte e treta here, që po më ftonte të shkonim dhe të pinim ndonjë gotë raki, në restorantin e turizmit, që ishte më i miri në qytet. Unë nuk kisha ndonjë dëshirë të veçantë për të pirë, aq më tepër që unë alkoolin nuk e kam patur qejf, përkundrazi. Meqenëse këmbëngulja këtë herë ishte e madhe, e pranova ftesën e tij.

Në një sallë aneks të Hotel Turizmit, ai më tha se kishte dëshirë të më qeraste dhe porositi nga një dopio raki dhe nga një biftek me garniturë. Mua fillimisht më bëri përshtypje bujaria e tij, që nuk ishte kaq e zakonshme, por nuk i vura rëndësi. Pasi i pimë gotat e porositura, ai nxori nga xhepi një shishe raki të marrë nga shtëpia dhe kërkoi të ma mbushte përsëri gotën. I kundërshtova, duke i thënë se edhe të parën e piva me vështirësi. Por këmbëngulja ishte tepër e madhe dhe për ta shoqëruar në kënaqësinë e tij, duke qenë edhe në një gjendje shpirtërore disi të rënë, e lashë përkujdesjen dhe pranova ta pija gotën e mbushur rishtas.

Gjatë gjithë kohës biseduam për ngjarjet sportive, për fazën me temën projektuese që kisha në dorë, e të tjera. Ai për vete, kish rrëkëllyer gotën e tretë, kur më bëri një pyetje, e cila i kalonte mjaft caqet e bisedave tona të përditshme. – Kur lexon veprat e Enver Hoxhës, a nuk çuditesh se si i kanë dalë atij të gjitha parashikimet, që ka bërë për sektorin e naftës dhe për tërë vendin tonë në tërësi, ëh…?! Si mendon ti, Petraq, ai i ka thënë e shkruar këto, përpara ngjarjeve të ndodhura? Apo janë shkruar më pas gjatë përpilimit të veprave? Pyetja, edhe sikur të mos ishte provokuese, ishte një pyetje e marrë. Por tashmë unë e kuptoja që ishte qëllimkeqe. Ai mendoi se unë, i turbulluar nga rakia, do ta lija mënjanë vetëkontrollin, që ne të gjithë e kishim të ngritur në sistem dhe do të lëshoja ndonjë mendim, nga ata që mezi i priste Sigurimi, për ta pasur më lehtë të më vinte prangat. Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • shoku: 17/09/2023 15:15

    Se ke ba mire detyren dhe paske sabotu partine qe atehere . E sheh se RAMA sbuloi naften ne shpirag tani.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim