65-vjeçari Prokopis Pavlopulos ishte kandidaturë e Syrizas dhe e kryeministrit Aleksis Tsipras. Kandidatura e ish-ministrit dhe ish-deputetit të “Demokracisë së re” u mbështet dhe nga deputetët e “Demokracisë së Re” dhe Grekët e pavarur” (ANEL)
Në përfundim të një takimi me kryeministrin Tsipras, Pavlopoulos konfirmoi se kjo ishte një detyrë “e një nderi të jashtëzakonshëm e një përgjegjësie që do t’i japë mundësinë për të luftuar për Greqinë e për të gjithë Europën”.
Presidenti i ri i Greqisë, prova e parë e kryeministrit Aleksis Tsipras
Kryeministri dhe kryetar i SYRIZA-s ka i propozuar grupit parlamentar të partisë, si kandidat për President të Republikës, Prokopis Pavlopoulos. Përzgjedhja e kandidatit për Presidentin e ri, nuk mund të jetë e pavarur nga konjuktura, tha Tsipras.
E majta, në momentet më kritike, nuk ishte kurrë arrogante kundrejt historisë së vet, as pretendonte poste për veten e vet, theksoi kryeministri, duke shtuar se nevojitet president i republikës me ndjeshmëri të dëshmuar demokratike, ndjenjë të lartë përgjegjësie patriotike dhe të gëzojë respektin e parlamentit.
Pavlopoulos, i cili është lindur në 1950-n në Kalamata, ka mbaruar Juridikun e Athinës. Në vazhdim ka mbrojtur doktoraturën në Universitetin e Sorbonës për të Drejtën Publike, e më pas ka ndjekur një karrierë akademike në disa universitete të Athinës dhe Parisit, e shoqëruar me një bibliografi tepër të vlerësuar.
Përsa i përket karrierës politike është zgjedhur deputet me Demokracinë e Re prej vitit 1996 deri në vitin 2012. Gjatë kësaj periudhe ka qenë kryetar i grupit parlamentar të konservatorëve, duke gëzuar respektin e plotë të tyre, zëdhënës i Qeverisë dhe, së fundmi në Qeverinë “Karamanlis”, ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm dhe të Administratës Civile, prej vitit 2004 deri në vitin 2009.
Ajo që i ka dhënë pikë, më shumë se kandidaturat e tjera që ka pasur në tryezë kryeministri Tsipras për këtë post, ka qenë fakti se ka kundërshtuar disa ligje të sjella në Parlament nga ish-kryeministri Samaras, të konsideruara si antikushtetuese.
Kandidatura e tij vlerësohet se do të mbështetet jo vetëm nga 162 deputetët, që përbëjnë shumicën parlamentare, që përkrah koalicionin qeveritar të radikalëve të majtë dhe Grekëve të Pavarur, por edhe nga ligjvënësit konservatorë. Kështu që pritet të sigurojë mbi 180 vota, që kërkohen për zgjedhjen e presidentit që në seancën e parë parlamentare, e cila do të fillojë mbrëmjen e së mërkurës.
Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)