Puçi institucional është një goditje shkatërruese e raporteve të pavarësisë së institucioneve kryesore të një shteti, të përcaktuara nga Kushtetuta e tij. Parlamenti ka pavarësinë të caktojë Buxhetin e Shtetit çdo vit, ndërsa qeveria me ministrinë e saj të Financave ka pavarësinë të zbatojë me përpikmëri buxhetin e miratuar nga Parlamenti.

Më 11 shtator 2026, 271 gjyqtarë nga 20 gjykata të vendit u mblodhën dhe kërkuan zbatimin e rritjeve të ndjeshme të pagave, në bazë të vendimit Nr. 15, datë 17 shkurt 2026 të Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton mënyrë tjetër të përllogaritjes së pagave të magjistratëve, pa përfillur fare frymën e Kushtetutës për proporcionalitet në nivelin e pagave të administratës shtetërore.

Mirëpo kërkesa e këtyre gjyqtarëve nuk u kufizua vetëm në pretendimin për një përmirësim të shpërblimit financiar. Ajo përshkallëzoi në paralajmërimin-kërcënim se, nëse nuk do të plotësohej kjo kërkesë, gjyqtarët do të merrnin masa, deri në reduktimin e proceseve gjyqësore, a thua se realizimi i gjyqeve është tagër e një ndërmarrjeje private gjyqësore dhe jo detyrim kushtetues, për të cilën magjistratët marrin një pagë të shtuar tri herë, që nga viti 2016!

Ndërkohë, më 9 shtator, 20 nënpunës autorizues të gjykatave të vendit, bashkë me kryetarët e Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve, depozituan në SPAK kallëzim penal kundër Ministrit te Financave, për moszbatimin e kërkesës për shtimin e menjëhershëm të pagave të 880 magjistratëve(gjyqtarëve dhe prokurorëve) të Shqipërisë më 1 gusht 2026.

Në bazë të vendimit Nr. 15, datë 17 shkurt 2026 të Gjykatës Kushtetuese, magjistratët kërkojnë shtesa 40 milionë euro në vit të pagave të tyre, si dhe shtesat e prapambetura të rrogave, nga 25 maji i vitit 2023 e deri më 31 gusht 2026. Këto shtesa e rëndojnë buxhetin e Shtetit me 125 milionë euro.

A po përballemi me një konflikt të zakonshëm institucional, apo po krijohet një model ku magjistratët, përmes organeve të tyre drejtuese dhe shoqatave të tyre, ushtrojnë presion të drejtpërdrejtë mbi qeverinë dhe Kuvendin, për rritjen jo proporcionale të rrogave të veta?

Gjykoj se me sjelljen e deritanishme të organeve drejtuese të drejtësisë dhe shoqatave të tyre, jemi në kushtet e një shkeljeje të rëndë institucionale, në mos gati një puç institucional. Kjo, pasi detyrimi për të zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese nuk do të thotë domosdoshmërisht që çdo institucion shtetër (edhe gjykatat institucione shtetërore janë) mund të urdhërojë vetë nivelin e pagës, ose të krijojë një detyrim të ri buxhetor, pa procedurën e duhur ligjore.

Ekzekutivi, pra qeveria dhe Ministria e Financave, nuk mund të sigurojnë fondet shtesë nga Buxheti i Shtetit, pa miratuar Kuvendi ligjin për shtesën e fondeve në Buxhet. Dhe nuk janë pak, por 165 milionë euro! Të paduruar, gjyqtarët paralajmërojnë reduktim të proceseve gjyqësore.

Kuvendi është e udhës të vendosë pezullimin e përkohshëm të zbatimit të Vendimit Nr. 15, datë 17 shkurt 2026 të Gjykatës Kushtetuese, derisa të marrë nga Komisioni i Venecias opinionin, nëse ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është në përputhje me frymën e Kushtetutës së Shqipërisë, për ruajtjen e proporcionalitetit në nivelin e pagave në administratën shtetërore të Shqipërisë. Për këtë deputetët e Kunevdit duhet të vendosin katër ditë më vonë, më 17 shtator 2026.

Ministria e Financave ka përgjegjësi për administrimin e financave publike dhe për përgatitjen e propozimeve buxhetore, brenda kompetencave ligjore. Ministri i Financave, me rastin e pagave të shtuara ndjeshëm të magjistratëve, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, a po refuzon një detyrim të qartë kushtetues, apo po kërkon që detyrimi të zbatohet përmes ligjit dhe procedurës së Kuvendit? Besoj se është e dyta.

Paralajmërimi për reduktim të proceseve gjyqësore: vija e kuqe!

Nëse gjyqtarët paralajmërojnë se do të reduktojnë proceset gjyqësore, për shkak të mosplotësimit të kërkesave për paga, atëherë kemi një çështje madhore që prek drejtpërdrejt qytetarin.

Sepse procesi gjyqësor nuk është pronë e gjyqtarit. Ai është shërbim publik dhe detyrim kushtetues. Një qytetar që pret vendimin për pronën, për një konflikt familjar, një çështje penale, një dëm ekonomik, një të drejtë të shkelur apo një mosmarrëveshje pune, nuk mund të mbetet peng i një konflikti financiar midis institucioneve.

Me këtë paralajmërim-kërcënim, institucionet e drejtësisë kanë kaluar me papërgjegjshmëri të plotë Rubikonin. Forma kolektive e kufizimit të përkohshëm të punës nuk lejohet nga statusi kushtetues dhe ligjor i magjistratëve.

Por edhe nëse ekziston një mekanizëm ligjor për shprehjen e shqetësimeve profesionale, ai nuk mund të shndërrohet në një mjet që cenon të drejtën e qytetarëve për gjykim, brenda një afati të arsyeshëm.

Nuk mund të ketë drejtësi financiare për magjistratin, duke cënuar drejtësinë për qytetarin! Për më tepër që magjistratit deri tani i është rritur në 8 vjet 2.5 herë rroga!

Në debatin e sotëm, shqetësimi nuk është vetëm nëse gjyqtarët kërkojnë paga akoma dhe më të larta. Shqetësimi është nëse organet e Drejtësisë po kërkojnë të fitojnë një kompetencë të re: përcaktimin e detyrimeve financiare të shtetit!

Pavarësia e magjistratëve nuk mund të jetë privilegj pa kufij

Pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve është një nga themelet e demokracisë. Por pavarësia nuk do të thotë se magjistratët mund të kërkojnë çdo nivel page pa kufizime. Pavarësia kërkon paga të përshtatshme, por jo më të larta se Presidenti i Republikës! Pavarës! Pavarësia kërkon mbrojtje nga presioni politik, por jo krijimin e një kaste të privilegjuar magjistratësh me rroga dy herë më të larta se drejtues të sotëm të administratës shtetërore.

Nëse qytetarët shohin se gjyqtarët kërkojnë paga akoma dhe më të larta, ndërsa proceset gjyqësore reduktohen, pa shtuar cilësinë e tyre, atëherë besimi tek sistemi i drejtësisë dëmtohet keqazi.